Lulzim Zeka me profesion është auditor, por kjo s’e ka mbajtur “peng” vetëm të shifrave. Imagjinatën dhe kreativitetin e tij ai i shkriu me nismën Muzeu i iluzioneve, që prej javës së kaluar në Prishtinë ka hapur dyert për vizitorë. Adresa e tij është rruga “Ahmet Krasniqi” në lagjen “Arbëria”.
Është një hapësirë përtej imagjinatës. Aty sfidohet realiteti. Në muzeun i cili qysh në javën e parë ka vluar nga vizitorët, janë iluzionet ato që flasin. Shpërfaqen nëpërmjet fotografive, shkruan “Koha Ditore”. Ndonëse në pamje të parë të ngjanë sikur nuk ndodh asgjë, mjafton një shkrepje e fotografisë që vizitori të mos jetë “me këmbë në tokë”.
Ndër arsyet që Zeka i hyri punës që edhe Prishtinën ta bëjë me një muze të tillë Zeka thotë se pos atraksionit, ai ua mundëson qytetarëve një ikje të përkohshme nga realiteti jo rrallë i vështirë kosovar.
“Mendoj edhe se çfarëdo aktiviteti përveç atyre të përditshmëve është ikje nga realiteti pavarësisht nga forma e tij. Muzeu thjesht i është ofruar audiencës për të kaluar kohë pak më ndryshe nga ajo që u mundësohet në Kosovë”, thotë Zeka.
Për muzeun rrëfen se ka bërë investim të konsiderueshëm, por mbase edhe për shkak të ndikimit të profesionit preferon që ta lërë “sekret biznesor”.
Muzeu përmban 36 iluzione optike të shpërndara në të ashtuquajturat dhoma dhe të varura nëpër mure në formë kornizash. Nisur me vetiniciativë nga drejtori Zeka, ky muze është shndërruar në risi dhe mënyrë të re argëtimi për vizitorët kosovarë.
Prej risisë te biznesi me art
Edhe
Ikja nga 2020-a në Muzeun e iluzioneve
Kontakti i parë që në hyrje të Muzeut të iluzioneve është me ashensorin e improvizuar në mesin e të cilit është një vrimë e zezë që krijon iluzionin se të tërheqë brenda saj. Disa hapa më tutje vizitori mund të “bëjë surf”.
Çlodhja pas shtegtimit nëpër iluzione të largëta, mund të bëhet në një karrige, që në fotografi merr përmasa gjigante. Në çdo anë vizitori është i rrethuar me fotografi të cilat nuk lëvizin, kanë ngjyra e trajta të njëjta, por iluzioni që krijohet është që i vë në lëvizje e ua ndërron ngjyrat.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)