Kulturë

“N’përpjekje për me u çue” rikthen virtualisht labirintin e iluzioneve

Në dhjetor të vitit të kaluar, Driant Zeneli e kishte shndërruar Galerinë Kombëtare të Kosovës në një lloj labirinti iluzionesh që zbulonte përmes kthinash, botë e rrëfime të ndryshme. Ata që e kanë parë ekspozitën “N’përpjekje për me u çue” të kuruar nga Claudia Buizza dhe Alicia Knock pos që kishin shëtitur në botën e një artisti që iluzionet i ka pjesë të fortë të “menysë” së tij, kanë hyrë edhe në horizonte ëndrrash e padyshim janë bërë pjesë e lojës që sfidon limitet intelektuale dhe fizike.

Padyshim që të qenit brenda Galerisë e ambientit të krijuar nga Zeneli, ku narrativa e gjuhës filmike është pjesë e pandashme e veprave, dallon shumë nga mundësia që jep një version 3D i ekspozitës. Por Galeria Kombëtare e Kosovës, të hënën, e ka kthyer te publiku ekspozitën e artistit shqiptar nëpërmjet mundësive që ofron teknologjia. Krejt këtë e plotëson një minidokumentar ku artisti rrëfen për ekspozitën. Ekspozita virtuale e Zenelit është vazhdimësi e punës së GKK-së në kuadër të projektit “Artist në karantinë”, që ky institucion e ka nisur qysh nga fundi i marsit, shkruan sot Koha Ditore.

Në maj të vitit të kaluar, vepra e tij “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm” kishte përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Si për atë vepër, edhe për versionin në Prishtinë, frymëzimi kishte lindur duke shfletuar faqet e librit “Drejt Epsilonit të Eridanit” të Arion Hysenbegasit. Aty ishin bërë bashkë rrëfimi i një të moshuari që flet për yjet e galaktikat, por edhe rrëfimi i së bijës së tij që ëndërron të bëhet DJ.

Është pikërisht loja me iluzionin ajo që e hap ekspozitën. Në sallë në kushte reale qëndronin disa të rinj që me llastiqe “godisnin” vizitorët. Virtualisht kjo nuk qëndron, por pjesët e tjera të ekspozitës vijnë njëra pas tjetrës.

Ndërkohë, në katin e dytë është vepra që ishte realizuar nga fëmijët e organizatës “BONEVET”, “No wise fish would escape without flying”. Artisti i kishte ftuar ata që të bënin një film mbi “peshkun fluturues” që përpiqet të arratiset nga struktura e hekurt e Bibliotekës Kombëtare. Krejt mjetet e punës janë të ekspozuara.

Vetë artisi shkodran që jeton midis Tiranës dhe Milanos në kohën e pandemisë është në Shqipëri. Ai ka thënë se më së miri do të ishte që ekspozita të shihej në rrethana normale me vizitorë që do të shkonin në Galeri.

“Në 3D nuk e ka të njëjtin efekt. Gjithsesi ajo ndjesia e zhurmave dhe e dritave e lëvizjes nuk është. Ekspozita ishte performative e jo statike”, ka thënë Zeneli. Por, sipas tij, është shumë mirë që në këtë kohë ekspozita mund të ketë edhe vizitorë virtualë.