Kulturë

Ikja nga 2020-a në Muzeun e iluzioneve

Në ditët e përthekuara prej koronavirusit, bota nuk është e qartë dhe kuptimi i realitetit, kohës dhe hapësirës po ridefinohen. Rreziku nga pandemia ka bërë të kuptohet tani se ajo që ishte e sigurt dhe e mirëqenë mund të mos jetë më e tillë. Atëherë kur gjërat përreth janë të paqarta, shumë njerëz zgjedhin arratisjen nga realiteti. Një deriçkë që shpalos këtë mundësi nis mu te Muzeu i iluzioneve.

“Ndaloni për një moment, harroni botën reale dhe vizitoni muzeun tonë fantastik që do t’ju mahnitë me dhomat kreative”, shkruan në broshurën e Muzeut të iluzioneve që gjendet në kryeqytet në lagjen “Arbëria”. Që në krye të herës, ajo ngjan si një ftesë brenda një realiteti tjetër paralel. Sidoqoftë, edhe brenda tij, janë të prekshme gjurmët e virusit SARS-CoV-2.

“Më zgjo kur të përfundojë viti 2020”

Image

Te “Infinity Disco Room”, argëtimi dhe kujtimet për netët nëpër klube vallëzimi shtrihen deri në paskajësi


“Më zgjo kur të përfundojë viti 2020” është një ndër komentet sarkastike që ka qarkulluar me të madhe nëpër rrjete sociale. Sigurisht, nëse gjërat nuk përkeqësohen, por po ndodhi e kundërta, vijon ironia, “mos më zgjo!”

Ky përshkrim i ri sikur gjen shprehje edhe për fotografitë që mund të realizohen te “Dhoma e pushimit”. Në qendër të kësaj hapësire ndodhet një krevat nga i cili njerëzit nuk duan të ngrihen për të shmangur obligimet, përgjegjësitë a realitetin. Është njëra nga risitë që ka sjellë Muzeu pasi u lejua rihapja e tij në maj. Në dhomën ngjitur janë dy korniza, që të krijojnë përshtypjen e dritareve nga të cilat mund të shihet Prishtina.

“Një kujtim për kohën kur masat ishin strikte dhe kryeqyteti ishte i mbyllur”, thotë Antoneta Vokshi. Është njeriu i parë që vizitorët takojnë sapo të arrijnë në Muze.

“Unë jetoja brenda Muzeut të iluzioneve pasi që kishte ditë kur kaloja më shumë se 10 orë në punë. Por, iluzioni i vërtetë erdhi kur gjithçka u mbyll. Nuk dija se çfarë të besoj, kisha diçka të paqartë para vetes dhe nuk dija se si të reagoja”, thotë Vokshi, menaxhere në muzeun e hapur në shkurt të 2019-s, një nismë e konkretizuar prej bashkëpunimit me Muzeun e iluzioneve në Shkup, që mban po të njëjtin emër, “Illusium”.

Sipas Vokshit, vizita në Muze është një ikje nga realiteti. Njerëzit, sipas saj, mund të gjejnë edhe nostalgji për gjërat që ishin normale para pandemisë.

Pak më tutje është “Dhoma kundër gravitetit” ku objektet i kundërvihen gravitetit. Te “Infinity Disco Room”, argëtimi dhe kujtimet për netët nëpër klube vallëzimi shtrihen deri në paskajësi.

Atëherë kur gjërat përreth janë të paqarta, shumë njerëz zgjedhin arratisjen nga realiteti. Një deriçkë që shpalos këtë mundësi nis mu te Muzeu i iluzioneve në Prishtinë

Pastaj te “Kaleidoscope” vizitorët mund të qëndrojnë ngjitur me dhjetëra njerëz të tjerë, e që në të vërtetë janë reflektime të ndryshme imazhesh. Kurse te “Ames Room’, ku zënë vend edhe dritaret me pamjen e Prishtinës, njeriu mund të rritet a të zvogëlohet ngjashëm si te “Liza në botën e çudirave” e Lewis Carrollit.

Libri i shkruar më shumë se një shekull e gjysmë më parë, tregon për një vajzë të vogël e cila bie në një vrimë të lepurit dhe përfundon brenda një bote surreale ku ndodhin ngjarje të pazakonta. Ajo është nën ankth që të përshtatet përgjatë gjithë historisë. Në mënyrë të ngjashme, përshtatja me koronavirusin është një sfidë. Në çfarë madhësie, forme e mënyre duhet të përshtatemi me realitetin e ri?

Rehatia brenda trukeve

Image

Te “Dhoma e pushimit”. Në qendër të kësaj hapësire ndodhet një krevat nga i cili njerëzit nuk duan të ngrihen për të shmangur obligimet, përgjegjësitë a realitetin


Vokshi është ajo që më së shumti jeton në mes të realitetit dhe surreales që zë vend brenda Muzeut. Iluzionet optike brenda përdorin ngjyrë, dritën, dhe vendosjen e objekteve në atë formë që janë mashtruese ose çorientuese për trurin. Informacionet që kap syri e që procesohen nga truri, krijojnë një perceptim që në realiteti, nuk përputhet me imazhin real.

“Çfarëdo që sheh është e panjohur dhe interesante”, thotë 42-vjeçarja. Tregon se njerëzit eksperimentojnë në forma të ndryshme me dhomat duke shkrepur fotografi të ndryshme të cilat i ndajnë pastaj edhe në rrjete sociale. Vokshi i ka mësuar truket brenda botës surreale të Muzeut.

“E di se çfarë fshihet pas çdo iluzioni. Çfarë ndikon që të marrim një perceptim jo real”, thotë ajo. Nuk ngurron që t’u tregojë as të tjerëve. “Po u ulët këtu, ngjyrat dhe mënyra se si është ngjyrosur muri do të krijojë iluzionin sikur drita po ndriçon mbi ju, por në fakt drita është e ndalur”, thotë ajo. Marifeti qëndron të kuptuarit se si funksionojnë gjërat.

Vokshi i udhëzon vizitorët se si të kapin këndin e duhur për të realizuar “fotografinë perfekte”. Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta më koronavirusin. Ka akoma shumë paqartësi se si virusi ndikon te njerëzit. Nëse është marrë ndonjë mësim gjatë këtij viti në lidhje më këtë sëmundje, është fakti se ai është jashtëzakonisht heterogjen.

Vokshi u qëndron njerëzve në distancë. Akoma nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe ka frikë se mund të infektohet. Thotë se edhe vizitorët ende kanë frikë. Situata e krijuar për shkak të pandemisë, thekson se ka ndikuar edhe në numrin e vizitorëve. Tani Muzeu ka më pak punë.

“Por, gjërat sikur kanë filluar të përmirësohen këta dy muajt e fundit”, shton ajo. Më 24 dhjetor, Vokshi priti katër grupe, gjithsej 15 njerëz. Thotë se brenda Muzeut, kalimi nga një dhomë në tjetrën është mjaft argëtuese. Aty mendja ngacmohet nga iluzionet optike. Muzeu u mundëson njerëzve që të argëtohen dhe në të njëjtën kohe të mendojë e reflektojë.

Kthimi në realitet

Image

Te “Kaleidoscope” vizitorët mund të qëndrojnë ngjitur me dhjetëra njerëz të tjerë, e që në të vërtetë janë reflektime të ndryshme imazhesh të njëjta


Vokshi dëshiron ta lërë pas këtë vit dhe situatën e krijuar për shkak të pandemisë. Nuk dëshiron të mbetet e ngecur brenda një iluzioni. Pak a shumë si Liza. Në veprën e Lewis Carroll, personazhi kryesor është në kërkim të një rrugë për të dalë nga situata në të cilën ka hyrë.

Njëlloj si libri, edhe vizita brenda Muzeut është e mbushur me truke psikologjike. “Muzeu është një mundësi për të parë gjëra interesante, për të luajtur pak me mendje, por posa të dalësh gjërat janë normale”, thotë ajo. Tregon se një gjendje e tillë ku s’ka siguri se çfarë është reale, e çfarë të besohet është mirë kur zgjat pak. Ashtu si vizitat e mysafirëve brenda muzeut.

Vokshi shton se do të donte që kaq e thjeshtë të ishte edhe situata e krijuar për shkak të koronavirusit. Madje, tregon se në mars kur ishin mbyllur nuk e kishte menduar se do të zgjaste kaq gjatë. Sidoqoftë, kur orari përfundon, në orën 17:00, Vokshi i vendos drynin Muzeut. Magjia e iluzionit brenda Muzeut përfundon aty. “Më pëlqen më shumë realiteti”, thotë ajo. Është e shqetësuar me lajmet e reja për shfaqjen e mutacioneve të reja të koronavirusit në Angli. Sidoqoftë, thotë se i gjithë viti ishte i tillë, një pritje se çfarë do të ndodhë të nesërmen. Në këtë situatë, mbetet për të parë se çfarë do të sjellë Viti i Ri. Por edhe cilat do të jenë truket e reja që do të sjellë Muzeu.