Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzeu belg përballet me trashëgiminë e errët koloniale

Vetëm disa qindra metra nga vendi ku 267 fshatarë kongolezë mbaheshin prapa rrethojave, me udhëzimet që të mos ushqeheshin, Muzeu për Afrikën në Bruksel, po mundohet të bëjë paqe me atë histori.

Në ditët me diell, emrat e shtatë prej atyre fshatarëve, të cilët kishin vdekur nga pneumonia më 1897, do të projektohen në një dritare të xhamit në murin që bart emrat e 1 mijë e 500 belgëve, të cilët po ashtu kishin vdekur gjatë periudhës koloniale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E vë një hije mbi kolonizimin, mbi dhunën”, ka shpjeguar Koekie Clessens, një prej menaxherëve të muzeut, teksa ka bërë me gisht nga muri, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”.

“Kështu, s’mund të thoni që ne nuk i kujtojmë ata”, ka thënë drejtori i muzeut, Guido Gryseels, duke shtuar se një plakë për të kujtuar të gjithë që pësuan nga kjo tragjedi, është vendosur në parkun, ku dikur ishin mbajtur njerëzit.

Por ka më shumë hije mbi atë që institucioni e quan “muzeu i fundit kolonial në botë”, për shkak të misionit me pushtime të pamëshirshme nga Mbreti Leopold i Dytë i Kongos, që lanë të varë rreth 10 milionë njerëz.

Gryseels e pohon njohjen e ngadaltë në Belgjikë të shkatërrimeve të kolonializmit.

“Për më shumë se 60 vjet, ne kemi shpërndarë imazhin e mënyrës perëndimore të të menduarit, si superiorë ndaj mënyrës afrikane të të menduarit”, ka shpjeguar ai. “Tani e kemi një pikëvështrim të qartë, që ne e dënojmë kolonializmin si sistem qeveritar”.

Regjimi brutal i Mbretit Leopold nga viti 1885 deri më 1908, e la popullin kongolezë të shkatërruar dhe të shfrytëzuar për ta pasuruar Belgjikën. Punonjësit të cilët nuk i plotësonin normat e punës, mund të dënoheshin me prerje të duarve. Populli i Kongos – që është 76 herë më i madh se Belgjika – luftoi kundër kolonizatorëve deri më 1960, para se të arrinte pavarësinë.

Gruseels pret një reagim “shumë të përzier” ndaj përpjekjeve të institucionit të tij që të arrihet pajtim me të kaluarën. Komuniteti afrikan thotë që nuk është bërë mjaftueshëm në procesin e dekolonializmit, dhe që duhet ndritur më shumë vetëdije për dhunën që është ushtruar ndaj popullit afrikan.

Nga ana tjetër, drejtor i Muzeut, i ka thënë DW”-së se shumë belgë kishin shkuar atje me plot idealizëm.

“Është e qartë që ka pasur mijëra doktorë të cilët kishin shkuar në Kongo, e të cilët kanë punuar në kushte shumë të vështira, duke vaksinuar fëmijë, duke ndihmuar gra gjatë lindjes, duke ndërtuar spitale. Nuk mund të thuash se ata ishin racistë me mision negativ”, ka thënë ai.

Në kuadër të rihapjes, disa nga artefaktet e muzeut, që portretizojnë afrikanët si primitivë, do të zhvendosen në katin e poshtëm. Më herët kanë qenë të ekspozuara si pjesë e ekspozitës permanente, por tani konsiderohen si të papranueshme për shkak të kontekstit të ri.

“Nga viti 1908 deri më 1960, muzeu ishte financuar nga Ministria e kolonive dhe kishte pasur rol të rëndësishëm në përfaqësimin e Afrikës dhe afrikanëve dhe në glorifikimin e kolonive e themeluesve të tyre”, lexohet në një pllakat të vendosur në ekspozitën e re të muzeut, titulluar “Sidelined”. Në fakt, disa aspekte të atij imazhi kolonial ende janë evidente në ambiente të muzeut.

Figura të formatit të madh, realizuar nga skulptori Arsene Matton, e shpërfaqin rolin “dashamirës” të Belgjikës ndaj kolonive të veta. Një tjetër skulpturë e ekspozuar aty paraqet figurën e femrës në një pozë që do të duhej të përfaqësonte “mirëqenien” dhe “sigurinë” që sillte Belgjika në vendet e kolonizuara. Por tani, këto skulptura, bien poshtë për shkak të një krijimi madhështor të artistit të njohur kongolez, Aime Mpane. Skulptura e tij gjigante që paraqet një kokë është titulluar, “frymëmarrje e re apo një Kongo e rritur”.

Mpane i ka thënë DW-së se ishte i intriguar nga mundësia për të krijuar një vepër që qëndronte pranë skulpturave të Mbretit Leopold dhe pikturave që portretizojnë një Kongo “me stereotipa rreth klisheve të shumta koloniale”. Ai shpreson që këto vepra të mbesin nën hijen e veprës së tij dhe që ky tension të përfaqësojë një dialog të ri për të kaluarën. Në fund të fundit, artisti dëshiron që njerëzit të shohin drejt së ardhmes dhe t’i ftojë të tjerët që të bashkëpunojnë në vend se të ndahen në grupe. Ai beson që muzeu e ka bërë një hap të parë të duhur. Por optimizmi i Mpane nuk ndahet edhe në diasporën afrikane në Belgjikë.

Billy Kalonji që kryeson një komitet që ka punuar me muzeun për më shumë se një dekadë, ka thënë se ka tri ide të ndryshme për rihapjen e muzeut.

“Në vend të parë ka një grup që ka thënë se ky muze nuk mund të transformohet asnjëherë – duhet shkatërruar dhe objektet duhen kthyer”, nis ai. “E kemi një grup të dytë që thotë se muzeu duhet boshatisur, artefaktet duhen bartur dhe me to të hapet muze tjetër. Dhe është një grup i tretë, të cilin e kryesoj unë e që themi se do të punojmë me muzeun në mënyrë që publiku belg dhe ndërkombëtar ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe së bashku do ta gjykojmë të ardhmen e këtij muzeu”, ka thënë ai.