Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzetë britanikë drejt kthimit të tarifës hyrëse në ekspozitat e përhershme

Muzetë

Tensioni u bë i dukshëm këtë javë, kur Galeria Kombëtare njoftoi se do të bëjë shkurtime të konsiderueshme përballë një deficiti prej 8.2 milionë funtesh për vitin e ardhshëm, gjë që mund të nënkuptojë më pak ekspozita falas, huazime më të kufizuara ndërkombëtare të veprave artistike dhe çmime më të larta biletash

Për një çerek shekulli, vizitorët e muzeve dhe galerive kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar kanë mundësi të hyjnë falas për të parë koleksionet e përhershme.

Politika, e prezantuar nga Qeveria në vitin 2001, është vlerësuar gjerësisht se ka përmirësuar qasjen në kulturë dhe ka rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve në disa nga atraksionet më të njohura të vendit.
Por, derisa presionet financiare në sektor po thellohen dhe kostot e funksionimit po rriten, një politikë që dikur konsiderohej e paprekshme tani po shqyrtohet sërish.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tensioni u bë i dukshëm këtë javë, kur Galeria Kombëtare njoftoi se do të bëjë shkurtime të konsiderueshme përballë një deficiti prej 8.2 milionë funtesh për vitin e ardhshëm, gjë që mund të nënkuptojë më pak ekspozita falas, huazime më të kufizuara ndërkombëtare të veprave artistike dhe çmime më të larta biletash.

Galeria tregoi se do të ulte shpenzimet për “programet publike dhe aktivitetet ku, për një sërë arsyesh jashtë kontrollit tonë, nuk mund të justifikojmë më kostot e tyre”.

Njoftimi shtoi frikën se qasja falas mund të bëhet më e vështirë për t’u ruajtur. Shqetësime të përforcuara nga rishikimi i fundit Këshilli i Arteve, i cili rekomandoi tarifimin e turistëve ndërkombëtarë për qasje në koleksionet e përhershme të institucioneve kombëtare.

“Është tronditëse të mësohet se Galeria Kombëtare ndodhet në vështirësi të tilla financiare por përgjigjja nuk duhet të jetë ta bëjmë vizitën në muze dhe galeri më të vështirë”, ka thënë Alison Cole, drejtoreshë “Cultural Policy Unit”.

“Ekziston rreziku që një formë tarifimi për hyrje të rikthehet, duke gërryer politikën tonë historike të hyrjes universale falas dhe duke sjellë të gjitha pasojat e paqëllimshme që rrjedhin prej saj”.
Sipas Cole, ndonëse tarifimi i turistëve ose rritja e çmimeve të biletave mund të duket “joshëse”, provat tregojnë se hyrja falas mund të jetë ekonomikisht efektive. “Hyrja falas inkurajon mbi 25 për qind të vizitorëve të paguajnë për ekspozitat me biletë, ndërsa shumë prej tyre shpenzojnë më tepër edhe në kafene dhe dyqane”, tregoi ajo.

Situata është shqyrtuar tashmë nga Thesari, i cili thuhet se kishte eksploruar përfundimin e hyrjes falas për vizitorët nga jashtë si pjesë e shkurtimeve buxhetore në buxhetin e vitit 2025, si dhe kishte modeluar edhe heqjen e plotë të politikës.

Planet, të cilat mund të kishin kursyer deri në 480 milionë funta nga buxheti vjetor i Departamentit për Digjitalin, Kulturën, Median dhe Sportin, u braktisën përfundimisht pas kundërshtimeve nga ministrat, përfshirë sekretaren e kulturës, Lisa Nandy.

Shoqata e Muzeve, që përfaqëson më shumë se një mijë e 800 institucione në Mbretërinë e Bashkuar, e ka mbrojtur vazhdimisht hyrjen falas, duke paralajmëruar se tarifimi mund të dëmtojë turizmin dhe të ketë efekte zinxhir në tregtinë me pakicë dhe sektorin e mikpritjes.

Drejtoresha e saj, Sharon Heal, ka thënë se hyrja falas kishte sjellë “një gamë të gjerë përfitimesh kulturore, arsimore dhe ekonomike”, duke shtuar se tarifimi i vizitorëve ndërkombëtarë mund të dëmtonte reputacionin e Mbretërisë së Bashkuar.
Jenny Waldman, drejtoreshë e organizatës bamirëse “Art Fund”, ka thënë se problemi i vërtetë ishte nënfinancimi kronik. 
“Po shohim shumë inovacion, nga ekspozitat e përbashkëta që udhëtojnë deri te mbledhjet kreative të fondeve në komunitet. Por, për të lulëzuar, muzetë kanë nevojë për financim publik të qëndrueshëm dhe afatgjatë për të përballuar kostot vjetore të mbajtjes së dyerve hapur dhe të mirëpritjes së të gjithëve në koleksionet tona publike”, ka thënë ajo.

Mbretëria e Bashkuar është një përjashtim mes vendeve kryesore kulturore për faktin se nuk tarifon hyrjen. “Louvre” në Francë tarifon 28 funte për hyrje, “Prado” në Spanjë 13 funte dhe Muzetë e Vatikanit 17 funte. 

Në këtë sfond, një numër në rritje figurash të larta të muzeve — disa prej të cilëve dikur mbështesnin hyrjen falas — kanë filluar të argumentojnë se politika mund të mos jetë më e përshtatshme për qëllimin e saj.

Mes tyre është Nick Merriman, ish-drejtues i “Horniman Museum & Gardens and English Heritage”, i cili i ka thënë “Daily Telegraph” javën e kaluar se, ndonëse hyrja falas kishte rritur numrin e vizitorëve, kishte bërë pak për të diversifikuar audiencën. 

“Thjesht merr më shumë njerëz të klasës së mesme që shkojnë”, ka thënë ai. “Në parim, pse të mos tarifohet? Shumica e njerëzve, për muzetë kombëtarë, janë të gatshëm të paguajnë”.
Roy Clare, ish-drejtues i “Royal Museums Greenwich”, bëri thirrje për një “qasje më të sofistikuar”, duke argumentuar se qasja falas nuk ka pse të zbatohet “24/7 apo 365 ditë në vit”.

Mark Jones, ish-drejtor i “Victoria and Albert Museum” dhe drejtor i përkohshëm i “British Museum” nga 2023 deri në 2024, e përshkroi hyrjen universale falas si “regresive dhe të padrejtë”. Ai ka thënë se taksapaguesit me të ardhura modeste po subvencionojnë qasjen për turistët që mund të përballojnë pagesën, ndërsa tarifimi mund të ndihmojë edhe në lehtësimin e mbipopullimit.

Debati po zhvillohet në një sfond të ashpër financiar. Midis viteve 2010 dhe 2023, financimi bazë për organizatat artistike dhe kulturore në Mbretërinë e Bashkuar ra me 18 për qind. Në sondazhin e saj më të fundit, Shoqata e Muzeve zbuloi se 61 për qind e të anketuarve po planifikonin shkurtime shërbimesh në vitet 2024–25.

Në Tate, stafi zhvilloi një grevë shtatëditore vitin e kaluar si reagim ndaj ristrukturimeve të përsëritura, pushimeve nga puna dhe rritjeve të pagave nën nivelin e inflacionit, ndërsa disa punonjës raportuan se ishin detyruar të përdornin banka ushqimore.

Noel McClean, nga sindikata “Prospect”, që përfaqëson punonjësit në Galerinë Kombëtare, atë të Portreteve dhe “Tate”, ka thënë se punëtorët po “mbanin barrën kryesore” të krizës. 

“Nëse nuk bëhet asgjë, mund të pasojnë masa drastike”, paralajmëroi ai. “Tashmë ekziston frika se qasja falas mund të rrezikohet megjithatë ai është jetik për qëllime sociale, ekonomike dhe arsimore.”
Përderisa muzetë kombëtarë mbeten falas për momentin, shumë institucione rajonale dhe të pavarura kanë filluar tashmë të tarifojnë aty ku hyrja dikur ishte falas, përfshirë “Kettle’s Yard” në Cambridge. Këshilli bashkiak i Oxfordit gjithashtu votoi për vendosjen e një tarife standarde prej 4 funtesh për të vizituar Muzeun e Oxfordit.