Galeria “Monet” në qendër të Prishtinës është në festë. Sikurse vitin e kaluar edhe këtë dhjetor ka hapur ekspozitën shitëse. Si ide unike, qëllimi është që qytetarëve t’u ofrohet mundësia që me pak mjete dhuratat e fundvitit të jenë vepra të artit. Rreth 40 artistë janë bërë bashkë duke i grumbulluar veprat e tyre në “Monet” të premten në ekspozitën që do të jetë e hapur deri në fund të muajit. Piktura të ndryshme sa u përket stileve e formateve, skica e punime që rrallë mund të gjenden me çmime, ku më i larti është 99 euro, kanë mbushur muret e galerisë. Ambienti festiv është veç intro e një hapësire që bashkon shumë botë të artit, shkruan sot Koha Ditore.
Bashkëthemeluesja e “Monet”, Blerta Surroi, ka thënë se qëllimi ishte që të organizonin një ekspozitë në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të blejnë vepra arti për dhurata. Ka treguar se sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit ideja është që çmimet të jenë modeste.
“Jemi bazuar në xhepin e qytetarit. Shumëkush e pëlqen punën e një artisti që e ka për zemër, por nuk ia mbërrin xhepi që të shkojë në atelienë e tij t’ia blejë punimin”, ka thënë Surroi. Sipas saj, ekspozita e fundvitit në “Monet” është një mundësi e mirë që me pak mjete të mund të blihet një punim.
“Për artistin ky është një motiv që punën e vet ta bëjë edhe më mirë. Këtë vit ka pasur kërkesë të artistëve të ndryshëm për ekspozitë gjatë gjithë kohës. Kjo na ka gëzuar shumë. Për ne si galeri kjo është një festë”, ka thënë ajo për ekspozitën, ku ndër të tjerash paraqiten punime të Fatmir Krypës, Eshref Qahilit, Burhan Ahmetit, Shqipe Kamberit, Mjellma Gorancit e Zake Prelvukajt.(Më shumë lexoni sot në Koha Ditore)