Kulturë

Punëtoria e artit në qeramikë – eksperiencë e re në zbulim të pasionit

Nëntë gra janë bërë pjesë e punëtorisë së artit të qeramikës që e organizon për herë të dytë galeria “Monet”, ku në një ambient artistik e praktikojnë një pasion të ri. Qëllimi i galerisë ka qenë i thjeshtë: t’i relaksojë pjesëmarrësit me art

Që nga fillimi i shkurtit, nëntë tavolina janë të radhitura me distancë nga njëra-tjetra në galerinë “Monet”. Fletë të printuara me imazhe vazosh janë të vendosura në secilën. Pranë tyre edhe disa pajisje. Janë mjetet që i presin nëntë pjesëmarrëse, që muajin shkurt kanë vendosur ta nisin duke zhvilluar një pasion të ri. Kur ora shënon 18:00, asnjë prej pjesëmarrësve nuk mungon. Puna nis si natyrshëm. Secila zë vendin në tavolinën ku ka nisur të punojë. Ndriçimi i fokusuar te pikturat në muret e galerisë e bëjnë ambientin të përshtatshëm për të “zgjuar” dëshirën e artit te pjesëmarrëset.

Nëntë gra e vajza janë bërë pjesë e punëtorisë së artit të qeramikës që e organizon për herë të dytë galeria “Monet”, ku në një ambient artistik e praktikojnë një pasion të ri. Qëllimi i galerisë ka qenë i thjeshtë: t’i relaksojë pjesëmarrësit me art. Këtë duket sikur ia kanë dalë me pjesëmarrësen Vita Rexhepi. Ani pse me profesion ekonomiste, vjen me shumë dëshirë për t’i kaluar mbrëmjet këtu, pasi që kjo thotë se i ndihmon që të relaksohet nga ajo që bën gjithë ditën. Sipas saj, arti ka qenë përherë dëshirë e saj, por tek tash ka gjetur një mundësi për ta praktikuar atë më lirshëm.

Image
Organizatorët thonë se e kanë menduar këtë punëtori, si mundësi për pjesëmarrësit që të përjetojnë një përvojë ndryshe nga përditshmëria

“Çdo ditë kemi punuar gjëra të ndryshme. Këtu kam vendosur të vij për ta shijuar një eksperiencë më ndryshe. Arti më ka pëlqyer shumë, por me qeramikë nuk jam marrë më herët”, ka treguar Rexhepi të enjten mbrëma, teksa po i jepte formën një vazoje. E gota me formë të ndryshme janë të vendosura në një kënd për tharje e që janë produkt i ditëve paraprake të pjesëmarrësve. Rexhepi dhe pjesëmarrësit e tjerë këtë punë po e bëjnë nën mentorimin e skulptorit Veli Blakçori dhe artisteve të qeramikës, Vala dhe Dafina Blakçori. Krahas kësaj punëtorie me qeramikë, “Monet” ka filluar edhe organizimin e punëtorive të pikturës.

Ariana Bytyçi-Katanolli, para se të shfaqte interesim për artin e qeramikës, në këtë galeri ka ndjekur trajnimin për pikturë. Ajo aktualisht është duke i ndjekur studimet e doktoratës për shëndetësi publike në Zvicër, por kjo punëtori e ka bërë që ky art t’i hyjë shumë në zemër. Thotë se edhe pse studion diçka krejtësisht tjetër, gjithmonë artin e ka pasur pasion, por që s’ka pasur mundësi ta ushtrojë për shkak të mungesës së punëtorive të tilla.

“Për mua kjo është shumë kënaqësi, sepse thjesht po e kaloj pasditen në diçka që është jashtë asaj që bëj gjatë përditshmërisë. Është një heqje e stresit dhe po mësojmë teknika të reja për një aktivitet të ri që në të ardhmen mund edhe të merremi me të”, ka shpjeguar Bytyçi-Katanolli për KOHËN.

Pjesëmarrëset për të krijuar punimet e tyre me art të qeramikës kalojnë në disa faza, si modelimi, tharja, gërryerja, pjekja e ngjyrosja. Organizatorët thonë se e kanë menduar këtë punëtori, si mundësi për pjesëmarrësit që të përjetojnë një përvojë ndryshe nga përditshmëria.

“Jemi munduar që çdo ditë me pjesëmarrëset e kësaj punëtorie te modelojmë diçka ndryshe nga ditët e kaluara dhe jemi duke i përcjellë të gjitha fazat për këto punime. Sa e kemi vërejtur pjesëmarrëset nuk janë të fushës së artit, por janë fanatikë të artit që duan të relaksohen me këto aktivitete”, ka shpjeguar njëra nga trajneret e kësaj punëtorie, Dafina Blakçori.

Galeria “Monet” planifikon që edhe në javët në vazhdim të organizojë punëtori të qeramikës dhe të pikturës për të interesuarit. Sipas njoftimit të kësaj galerie, të interesuarit për artin e qeramikës mund t’i bashkohen kësaj punëtorie edhe në të tjera data gjatë këtij muaji.