Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Moikom Zeqo – enciklopedi e kulturës shqiptare

Ishte tërhequr prej kohësh nga politika dhe i qe kthyer botës në të cilën qe vetvetja. Megjithëse sëmundja e rëndë e leukemisë akute po e drobiste prej vitesh, trashëgimia e tij me qindra studime, libra kritikë e art poetik tashmë ishte bërë e tillë që nuk sfidohej dot nga vitet. Por mëngjesin e së hënës, në moshën 71-vjeçare, Moikom Zeqo ka dhënë frymën e fundit në përballjen e pabarabartë me sëmundjen e rëndë.

Deri në ditët e fundme të jetës, ai ishte i pranishëm në shtypin e shkruar duke spikatur me mendimin dhe kulturën e tij të gjerë. Autor i mbi 60 librave shkencorë, kulturorë dhe poetikë, Moikom Zeqo njihet si një prej autorëve më prodhimtarë në historinë e letrave shqipe.

Me interesime të gjithanshme shkencore, Zeqo bëri emër si njëri nga njohësit më të mirë i antikiteteve shqiptare. Si durrsak që krijoi afeksion me detin, plot prej studimeve të tij si “Legjendat e lashta për Durrësin”, “Kulte të lashta në Iliri” e “Aspekte të mitologjisë ilire” shpalosin të dhëna përmbajtjesore mbi lidhjet iliro-shqiptare.

Krijimet e tij të larmishme shpërthyen kufijtë e Shqipërisë, pasi që vepra të tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbisht, bullgarisht, rumanisht, gjermanisht, e të tjera.

Sipas kritikëve, veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe erudite. Ai cilësohet edhe si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. Jo pak prej krijimtarisë së tij u zhvillua në fushën e poezisë. U njoh si një prej përfaqësuesve më të shenjuar të brezit letrar pas-Kadare.

Pak orë pas kumtit për ndarjen nga jeta, figura të njohura nga jeta politike e akademike në Shqipëri kanë vlerësuar Zeqon si njërin nga personalitetet më të jashtëzakonshme krijuese në hapësirat shqiptare.

Kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta ka thënë të hënën se është i tronditur nga vdekja e Zeqos, të cilin e ka cilësuar si mendimtar e intelektual të angazhuar për të mirën publike dhe interesin kombëtar.

“Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë”, ka shkruar Meta teksa ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.

Me një fotografi bardhezi të Zeqos, kryeministri Edi Rama ka qenë tejet i shkurtër në ngushëllimin e tij për studiuesin jetëndërruar.

“Lamtumirë Moikom”, ka shkruar Rama në faqen e tij në "Facebook".

Për kryekuvendarin, Gramoz Ruçi, Zeqo ishte një “enciklopedi e gjallë”. Sipas tij, ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës me një dashuri e përkushtim të pashoq. Moikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë”, ka thënë Ruçi në telegramin e tij të ngushëllimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka quajtur vdekjen e Zeqos ditë të trishtë për kulturën shqiptare.

“U nda nga ne eruditi Moikom Zeqo, ky shpirt i lirë, që luftoi deri në momentin e fundit për jetën, që nuk reshti së përpjekuri për kulturën; një zë opozitar, këmbëngulës, nxitës për të bërë më të mirën, që do të na mungojë të gjithëve!”, ka shkruar ministrja Margariti.

Artikuj të ngjashëm