“Okarina: Tingulli i lashtë në kontekstin modern”, ka qenë titulli i prezantimit që ka mbajtur të enjten Shaqir Hoti, i cili për kontributin e tij në promovimin e instrumenteve muzikore, prej muajit të kaluar edhe zyrtarisht mban titullin “Mjeshtër i Merituar”.
Veprimtaria e tij tashmë është e njohur gjerësisht por, pos kësaj, ajo dëshmon edhe potencialin e rikthimit të instrumenteve tradicionale përderisa në vete jep shembullin e ngërthen thirrjen për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Hoti në këtë prezantim në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” është kthyer prapa në kohë tek ka shpalosur krejt rrugëtimin e tij në reprodukimin e instrumenteve, e veçmas okarinës, instrumentit nja tetëmijëvjeçar, më i vjetri i gjetur deri më tash në Kosovë.
U gjet më 1972 në Runik të Skenderajt dhe tash e dy dekada gjendet në Beograd bashkë me 1 244 artefakte që janë marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës. Kur Hoti (83) e reprodukoi këtë instrument, qe një lloj misioni më vete, por tashmë krejt puna e tij është e tillë.
Ajo që i ka mbetur peng sot e kësaj dite në lidhje me këtë instrument është se origjinalin s’e ka pasur kurrë në dorë. E kishte tentuar këtë në vitet ’90, por s’ia doli sherri i procedurave.
Për punën e Hotit dhe zanafillën e okarinës kanë folur edhe muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica dhe Brikena Hoxha nga instituti i pavarur kërkimor, “Iniciativa kosovare për stabilitet” (IKS).
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)