Në atelienë e tij zinin vend rreth një mijë instrumente. I kishte punuar vetë e shpikur disa prej tyre. Por Shaqir Hoti kulmin si punues i instrumenteve frymore do ta arrinte para më shumë se një dekade, kur ia mësyu dhe e çoi deri në fund punimin e Okarinës. Instrumentin e kohës së neolitit ia “ktheu” Kosovës, pasi origjinali i gjetur në vitet ’60 të shekullit të kaluar është në Beograd prej vitit 1999, ku gjenden edhe mbi 1200 eksponate të tjera.
Në njëvjetorin e vdekjes, Hoti është kujtuar pikërisht për Okarinën. I thjeshtë sa s’ka e me buzëqeshjen që gjithmonë e ka bartur me vete, ai në dokumentarin “Okarina e Runikut” rrëfen se si punohet ky instrument. Me dokumentarin nën regji të Genc Berishës, skenar të Seadet Beqirit, ku producent është Fatmir Spahiu, të dielën në “Kino Armatë” në Prishtinë është kujtuar Hoti.
Para kamerave ai kishte rrëfyer se si nuk ia kishte dalë që para luftës së fundit në Kosovë ta shihte Okarinën e Runikut që i takon mijëvjeçarit të gjashtë para erës sonë. E pas luftës së fundit, bazuar vetëm në fotografi, ia kishte dalë që ta formësonte instrumentin. Procesi i përgatitjes së argjilës, bashkë me dhënien e formës e pjekjen kur edhe finalizohet instrumenti, ai e tregon me humor në dokumentar. Ministria e Kulturës para një dekade zakonisht mysafirëve të rëndësishëm si dhuratë me simbolikë të fortë ua jepte okarinat e Hotit. Kishin lidhur marrëveshje me të, por siç ndodh rëndom, institucioni i vononte obligimet.
“Më ka pasë mbet merak që nuk kam mujt me pa Okarinën”, rrëfen Hoti në dokumentarin që duket të jetë punuar për ngut.
Liburn Jupolli, kompozitor e shpikës i instrumenteve, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Shaqir Hoti përfaqësonte çdo element të muzikës shqiptare. Ka përmendur se ai ishte një prej pionierëve të flautit.
“Shaqir Hoti ishte një prej figurave që arriti që çdo element të folklorit tonë ta jetësonte në kohën moderne. Okarinën e bëri simbol të instrumenteve frymore. Ai e shtyu përpara trashëgiminë tonë muzikore”, ka thënë Jupolli. Sipas tij, fryma e Hotit është shumë e vlefshme dhe ndihmon pasurimin e folklorit.
“I ndjeri kishte një jehonë shumë të madhe te kolegët, bashkëpunëtorët e gjeneratat e reja. Kontributi i tij është shumë i madh dhe do të vazhdojë të jetë një thesar muzikor që do të kemi rastin ta plasojmë tutje”, ka thënë ai.
Hoti qe bërë emblemë e tingujve shqip. Instrumentisti e muzikanti i njohur vdiq më 10 prill 2021, në moshën 85-vjeçare. Prapa la një trashëgimi të pasur instrumentesh që i krijoi vetë. Mbi të gjitha, la dashurinë për muzikën. Shembullin e një artisti të mirëfilltë.
Shaqir Hoti ishte i lindur më 1936, në fshatin Rogovë të Hasit. Që në moshën 6-vjeçare luajti me instrumentet aerofone si fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen të muzikës në Prizren, në flaut. Një kohë punoi në fshatin e lindjes, duke kontribuar në organizimin e jetës kulturore. Më pas u angazhua në Orkestrën Popullore të Radio Prishtinës si flautist i parë. Mori pjesë në festivale me karakter vendor dhe ndërkombëtar me instrumente frymore.
Mbetet e veçantë paraqitja në Berlinin Perëndimor më 1969, në një festival ndërkombëtar ku me këngën “Baresha”, të interpretuar nga Nexhmije Pagarusha, fituan çmimin e parë.
Kompozitori Valton Beqiri ka bërë muzikën e dokumentarit, ku për rëndësinë e okarinës flasin studiues të muzikës e arkeologjisë. Sipas Beqirit, instrumenti është i lidhur ngushtë me jetën dhe veprën e Shaqir Hotit.
“Ai njihet jo vetëm si instrumentist dhe krijues, por edhe si personaliteti më i rëndësishëm i ruajtjes së traditës muzikore përmes ndërtimit apo rindërtimit të instrumenteve frymore”, ka thënë Beqiri. E ka përshkruar atë si njeri me dëshirë të madhe që dijen e tij ta përcjellë te të tjetër. E pikërisht për këtë arsye, sipas Beqirit, nga shtatori i vitit 2019 deri në shkurtin e vitit 2020 “Mus-e Kosova” ka bërë promovimin e okarinës te të rinjtë, ku Hoti ishte angazhuar për të mbajtur disa punëtori nëpër shkolla.
“Që nga ajo periudhë datojnë xhirimet e intervistave me bacën Shaqë me qëllim të prezantimit të punës së tij dhe auditorit më të gjerë, përmes dokumentimit të punimit të okarinës”, ka thënë ai.
Hoti asnjëherë nuk përtonte të fliste për instrumente.
Prej se nisi të merrej me muzikë, s’iu nda asaj as në moshë të shtyrë. Inovator në mjeshtërinë e prodhimit të instrumenteve kryesisht frymore, shtëpinë e tij do ta shndërronte në një muze unik të muzikës.
“Në këtë atelie veç një instrument me ma marrë dikush menjëherë e di. Janë një mijë copa, e është vështirë të dallohet kur mungon një, por mua ma vëren syri”, do të thoshte Hoti në një bisedë për KOHËN në nëntorin e vitit 2014, kur shpalosi një tjetër seri instrumentesh të krijuara prej tij. Trashëgimia e tij është përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme.
Shaqir Hoti me veprën e tij mbetet njëri nga asetet më të mëdha të cilin e ka kultura shqiptare. Pos si interpretues, punues dhe hulumtues i veglave burimore me frymë, qe krijues e transkriptues i më shumë se 300 këngëve e melodive.
Pas përfundimit të shkollimit të mesëm në Shkollën e Muzikës në Prizren (1961-1965), vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Vitet e tij si student lidhen edhe me periudhën kur zhvillimi i kulturës muzikore në Kosovë merr një mori hovesh sa i përket themelimit të institucioneve edukativo-arsimore, por edhe atyre performuese, pjesë e të cilave shumë shpejt do të bëhej edhe ai. Në vitin 1969, menjëherë pas përfundimit të shkollimit të mesëm, si rezultat i mungesës së kuadrove profesionale, ai filloi profesionin pedagogjik si mësues i arsimit muzikor në vendin e tij të lindjes.
Moment i rëndësishëm për karrierën e tij do të jetë takimi me kompozitorin e etnomuzikologun Lorenc Antoni (1909-1991), i cili e ftoi Shaqir Hotin t’i bashkëngjitej Orkestrës Popullore të Radio Prishtinës. Nga viti 1967 e deri në vitin 1989 ai do të bëhej pjesë e kësaj orkestre duke interpretuar në instrumentin e flautit dhe në instrumente frymore burimore, si njëri nga interpretuesit më të rëndësishëm të këtij institucioni. Më 1972 në Prishtinë, Hoti themeloi ansamblin folklorik “Azem Bejta”, i cili u shqua ndër ansamblet më të njohura në vend.
Në vitin 1984 mori pozicionin e drejtuesit të Orkestrës Popullore të Radio Prishtinës dhe në këtë pozitë do të qëndrojë deri në fund të viteve ‘80. Për veprimtarinë e tij si performues e krijues ai është laureat i shumë çmimeve, duke filluar nga ai i pari për këngën “Ah Hyrije”, të cilin e mori në festivalin ”Akordet e Kosovës”, më pas në po të njëjtin festival u shpërblye me Çmimin e tretë për këngën “Vasha e hënës” më 1978. Nga vitet ’60 deri në të viteve ’90, së bashku me ansamblin e tij e në bashkëpunim me performues të njohur vendorë, realizoi turne koncertale në Evropë e SHBA.