Fyell të drejtë, fyell shoke, kavall, pipëz, okarina të llojeve të ndryshme, e shumë instrumente frymore tradicionale të tjera, të punuara prej vitesh nga duart e instrumentistit dhe mjeshtrit të okarinës, Shaqir Hoti, ende gjenden në këtë punëtori.
Pas vdekjes së instrumentistit në vitin 2021, e gjithë kjo veprimtari u trashëgua te 5 fëmijët e tij.
Tre nga fëmijët kujdesen dhe mundohen ta ndjekin rrugën e babait.
Valdet Hoti, djali më i madh i Shaqir Hotit, thotë se është përqendruar më shumë në përpunimin e instrumentit frymor okarina, e cila simbolizonte babanë e tij.
Ai gjithmonë ka qenë krah i djathtë i të atit rreth financimit e punës së dorës.
Si punë të dytë e ka krijimin e okarinës, shkaku i kërkesës së madhe në treg.
Ylberi, si më i vogli, tregon se në punëtori janë gjithsej 1,500 instrumente frymore. Rreth 100 janë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Nëse nga institucionet do të gjente mbështetje, ai thotë se do të fokusoheshin akoma më shumë rreth veprimtarisë së të atit.
Ylberi ka nisur t’i punojë fyellin dhe kavallin si punëdore, por thotë se askush si babai nuk është i zoti në këtë punë.
Blerim Hoti, djali tjetër, prej vitesh është marrë me punën si taksist.
Talenti është i lindur, jo i blerë, thotë ai teksa përmend se babai i tij asnjëherë nuk ua ka imponuar zgjedhjen e profesionit.
E tingujt e instrumentistit vazhdojnë të dëgjohen ende.