Mosshfrytëzimi i gati gjysmës së buxhetit të investimeve kapitale, pagesat e parregullta e kontrata të nënshkruara jashtë procedurave ligjore, janë disa prej gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Ministrinë e Kulturës për vitin 2019. Në Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të këtij institucioni auditorët kanë nxjerrë në pah se ka avanca të pambyllura të udhëtimeve të zyrtarëve ministrorë qysh nga viti 2010. Në këtë dokument, që është publikuar të mërkurën, del se keqplanifikimi i buxhetit e ka përcjellë gjatë gjithë kohës MKRS-në. Angazhimi i punonjësve me Marrëveshjen për shërbime të veçanta e pagesat e majme për mediat që përcillnin aktivitet e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, janë gjetjet e tjera që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Ngecja e shpenzimeve kapitale e mbi 80 mijë euro për udhëtime zyrtare
Për vitin e kaluar Ministria e Kulturës kishte në dispozicion 44 milionë e 733 mijë euro. Prej tyre ka shpenzuar 30 milionë e 917 euro. Sipas auditorëve, buxheti final për investime kapitale në vitin 2019 ishte 21 milionë e 724 euro. Kurse prej kësaj shume janë shfrytëzuar vetëm 12 milionë e 312 euro, apo 57 për qind.
“Me rastin e analizës së pagesave sipas kodeve ekonomike, ne kemi gjetur se disa nga pagesat nuk janë bërë nga kodet adekuate ekonomike. Pagesat kanë rezultuar me gabime për shkak të klasifikimit të gabuar qysh në fazën e aprovimit të Ligjit për ndarjet buxhetore dhe pagesave direkte nga vendimet gjyqësore”, shkruhet në Raport. Auditorët kanë konstatuar se nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve ishin realizuar pagesa në vlerë 94 mijë euro për shpenzime që i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime. Me këto mjete ishin paguar bileta të udhëtimit zyrtar, mirëmbajtje të objekteve, pagesat për anëtarë të këshillave drejtues e fatura të tjera.
“Nga kategoria e investimeve kapitale, me vendim gjyqësor ishte realizuar pagesa në vlerë 88 mijë e 354 eurosh për bileta të udhëtimit zyrtar, shpenzime të cilat për nga natyra i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime”, shkruhet në Raport. Auditorët kanë konstatuar se një pagesë në vlerë 15 mijë euro ishte bërë për diferencën në pagë, shpenzime të cilat i takojnë kategorisë paga dhe mëditje. Janë 26 mijë euro të tjera të planifikuara për mallra dhe shërbime, të cilat kanë shkuar për punë shtesë për zyrtarët e angazhuar jashtë orarit të rregullt të punës.
Mbi 220 mijë euro për festën e Pavarësisë
Edhe
Ministria e Kulturës s’ka hesap me buxhet: miliona pa mbulesë e kamata
“Për organizimin e aktiviteteve lidhur me festën e Pavarësisë së Kosovës, MKRS-ja ka shpenzuar 220 mijë e 809 euro nga kategoria e subvencioneve. Këto aktivitete për nga natyra dhe plani kontabël i takojnë kategorisë për mallra dhe shërbime”, shkruhet në Raportin që pasqyron menaxhimin e MKRS-së për vitin e kaluar. Mjetet për festë ishin ndarë nga subvencionet me vendim të veçantë të Qeverisë dhe Ministria kishte kryer vetëm punët operative. “Gabimet më sipër kanë ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të buxhetit nga Qeveria dhe kujdesit të pamjaftueshëm të menaxhmentit të MKRS-së për të parandaluar ndarjet buxhetore në kodet e gabuara të shpenzimeve”, shkruhet në Raport.
Pagesat pa evidencë për aktivitet e punonjësit shtesë
Auditorët kanë gjetur se ‘’Mbrojtja civile’’, që ishte caktuar në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit, figurojnë si punonjës vetëm me paga. Në Raport shkruhet se për këta zyrtarë, MKRS-ja nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për vijueshmëri në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2019. Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2019 ishin 150 mijë e 789 euro. Sa u përket punonjësve, MKRS-ja del të këtë bërë goxha histori vitin e kaluar.