Mostrat e gjetjet që nxjerr Zyra Kombëtare e Auditimit e dëshmojnë se Ministria e Kulturës ka jo pak telashe në menaxhim buxheti. Deri në 1.7 milionë euro është shuma që nuk i arsyetohet prej atyre që i ka financuar, por ky është vetëm një rast. Çerek milioni shpenzime në kamata e procese gjyqësore, tenderë emergjentë pa zotim mjetesh e dëshmi të negocimit e tejkalim kontratash, vonesa deri në 144 ditë në vlerësim projektesh, janë disa prej gjetjeve për vitin e kaluar. Një tjetër është edhe ajo që buxheti i investimeve kapitale s’është shpenzuar as 20 për qind
Se Ministria e Kulturës e ka vazhduar traditën e keqplanifikimit të buxhetit – me pagesa për punë të paverifikuara, mosarsyetim të avancave të subvencioneve, performancë të dobët me as 20 për qind të realizimit të investimeve kapitale e deri te vonesat e pagesave – tashmë ia ka dëshmuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit.
Kamatat që janë paguar deri në nivele sa vetë borxhi, telashet me procedura të prokurimit, tejkalimet e vlerave të kontratave e deri te vonesat në vlerësimin e projekteve që subvencionen, janë disa prej gjetjeve të publikuara në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2022. Sipas këtij raporti, bashkë me shkresën që ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ua ka përcjellë auditorëve, vetë ai pajtohet me gjetjet përpos një pike të vetme.
Çerek milioni kamata e procese gjyqësore
Institucioni më i lartë kulturor në vend vitin e kaluar kishte bërë klasifikim joadekuat të shpenzimeve. Auditorët kanë gjetur se pagesat në vlerë prej 154 mijë e 243 eurosh të cilat për nga natyra i takojnë kategorisë së pagave ishin realizuar nga Thesari i Shtetit, bazuar në vendimin gjyqësor, nga kategoria subvencione dhe transfere.
“Borxhi kryesor për këtë pagesë ishte 82 mijë e 800 euro, ndërsa shpenzime procedurale dhe kamata ishin 71 mijë e 443 euro. Kjo kishte ndodhur si pasojë e planifikimit jo të duhur ekonomik. Po ashtu, është ndikuar nga paditë e bëra në gjykatë për obligimet e MKRS-së ndaj punonjësve për shkëputjen e kontratave”, shkruhet në Raport. Auditorët kanë gjetur se vonesat e pagesave janë një pikë e dobët e MKRS-së. Në shtatë mostrat e analizuara del se në vlerë totale prej 78 mijë e 451 eurosh kishte vonesa në pagesa nga 63 ditë deri në 3 vjet, “po ashtu dy prej faturave ishin të paprotokolluara”.
Auditorët në analizë e sipër kanë nxjerrë në pah se për vitin 2022 Ministria ka kryer shpenzime në vlerë prej 255 mijë e 130 eurosh bazuar në vendime gjyqësore e përmbarimore. “Prej tyre 167 mijë e 698 euro ishin për borxhin kryesor, ndërsa 87 mijë e 432 euro për shpenzimet procedurale dhe kamata”, saktësohet në Raport.
Ato që janë përcaktuar si dobësi në realizmin e pagesave janë marrë disa raste. Një prej tyre ka të bëjë me një kontratë për masat preventive apo intervenimet emergjente në rajonin e Prizrenit nënshkruar më 31 mars 2022 në vlerë 337 mijë e 463 euro. Kontrata saktësonte se “parapagimi do të paguhet duke zbritur shumat proporcionale nga pagesat”. Kurse auditorët kanë hasur në raste kur për punët e përfunduara MKRS-ja kishte pranuar dhe paguar dy fatura të plota duke mos aplikuar zbritjen për vlerën e avancës që ishte 50 mijë e 619 euro.
Njëra faturë ishte në vlerë 78 mijë e 211 euro dhe fatura tjetër në vlerë prej 45 mijë e 935 euro. Konstatimi është se kjo ka ndodhur “për shkak të mungesës së komunikimit midis Zyrës së prokurimit dhe menaxhimit të kontratës”.
Tenderë emergjentë pa zotim mjetesh e dëshmi të negocimit
Telashet në përmbushjen e kërkesave ligjore në prokurim nuk dalin të jenë të vogla. Janë testuar tri mostra dhe që në të tria është hasur në “mangësi në përmbushjen e kërkesave ligjore”.
“Te projekti për intervenime emergjente në Qendrën Kulturore Hebraike në Prizren në vlerë 547 mijë e 554 eurosh mungonte plani i menaxhimit të kontratës; Te projekti për masat preventive-intervenimet emergjente regjioni i Prizrenit në vlerë 337 mijë e 463 eurosh mungonte plani i menaxhimit të kontratës. Vlerësimi i tenderit ishte zgjatur për më shumë se dy muaj, edhe pse është konsideruar si rast emergjent”, kanë specifikuar auditorët. Sipas tyre, për këtë kontratë siguria e ekzekutimit ishte ofruar vetëm për 30 ditë, ndërsa kontrata kishte kohëzgjatje 6 muaj e në anën tjetër zotimi i mjeteve nuk mbulonte vlerën e kontratës pasi ishin zotuar mjete vetëm 280 mijë euro.
“Po ashtu, nuk kishte dëshmi që menaxheri i projektit i emëruar nga operatori ekonomik kishte pranuar punët gjatë ekzekutimit dhe te projekti për intervenime emergjente në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës-Prizren, në shtëpinë e familjes Lokvica në Prizren dhe në Hamamin e Qytetit në Mitrovicë, në vlerë 342 mijë e 899 eurosh mungonte plani për menaxhimin e kontratës, raporti i vlerësimit ishte i nënshkruar nga komisioni, mirëpo nuk ishte i plotësuar për përmbushjen e kritereve. Në anën tjetër, zotimi i mjeteve nuk mbulonte vlerën e kontratës pasi janë zotuar vetëm mjete në vlerë 210 mijë e eurosh. Për projektin në fjalë nuk kishte dëshmi për zhvillim të negociatave”, shkruhet në Raport.
Auditorët kanë cekur se me Rregulloren për Shpenzimin e Parasë Publike përcaktohet që fillimisht duhet të procedohet zotimi i mjeteve, të lëshohet urdhërblerja dhe pas pranimit të blerjeve bëhet raporti i pranimit, si dhe pranohet fatura.
Por MKRS-ja del se ka “rregulla” të vetat. “Në 11 mostra të testuara në vlerë 218 mijë e 452 euro, kemi vërejtur se në fillim ishte pranuar fatura, pastaj ishte bërë zotimi i mjeteve dhe urdhërblerja. Kjo ka ndodhur si pasojë e moszbatimit të procedurave ligjore për shpenzimin e parasë publike nga ana e zyrtarëve përgjegjës”, shkruhet në raport.
Subvencionet pa arsyetim, tejkalim kontratash
Auditorët kanë shfletuar edhe dokumentet e subvencionimit të projekteve nga Ministria e Kulturës. Janë marrë me 19 raste, një prej tyre i vitit 2021. Janë 1 milion e 784 mijë e 551 euro për të cilat përfituesit e subvencioneve nuk kishin dorëzuar raportet për arsyetimin e shpenzimeve të cilat sipas marrëveshjeve do të duhej të ishin mbyllur.
“Për më tepër, në dy raste të tjera ishin vërejtur dobësi në mbylljen e subvencioneve, si në vijim: te mbyllja e subvencionit me datë 20.12.2022 ishte pranuar si dëshmi fatura për renovimin e zyrave me vlerë 60 mijë euro përderisa gjatë ekzaminimit fizik (10.03.2023) kemi vërejtur se nuk ishin pranuar të gjithë artikujt si në faturë. Kjo me arsyetimin (e përfituesit) se fatura ishte paguar në bazë të aneks-kontratës si avans dhe ende ka kohë deri në përfundimin e saj”, shkruhet në Raport.
Te tejkalimi i vlerave të kontratave është marrë si mostër rasti kur “vlera totale e parashikuar (indikative) e kontratës është 600 mijë euro dhe derivimi i lejuar nga vlera totale e parashikuar (indikative) është plus/minus tridhjetë për qind”.
“Te kontrata kornizë ‘Shërbimet e prodhimit të spoteve televizive dhe dokumentarëve për nevojat e MKRS-së” në vlerë 600 mijë euro e nënshkruar më datë 22.01.2021, tejkalimet mbi nivelin e lejuar (mbi 30 për qind) ishin 2.7 për qind, apo shprehur në vlerë monetare 16 mijë e 235 euro. Shpenzimet e realizuara gjithsej për këtë kontratë ishin 796 mijë e 235 euro. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve nga menaxheri i kontratës gjatë realizimit të kontratës kornizë”, shkruhet në Raport.
Projekte të papërfunduara, shkelje afatesh
Vonesat në realizmin e punimeve janë barrë e lehtë për MKRS-në. Në gjashtë raste auditorët kanë gjetur se punimet nuk ishin realizuar sipas planit dinamik, prej tyre tri raste ishin projekte bashkëfinancim me komunat. Pasqyrat e auditimit nxjerrin se MKRS-ja kishte nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Lipjanit në mars të vitit 2020 për bashkëfinancim të projektit. Komuna kishte nënshkruar kontratë për projektin “ndërtimi i palestrës sportive Lipjan” më 2019 në vlerë 1 milion e 748 mijë e 298 euro. Afati për kryerjen e punëve ishte deri në ditën e fundit të vitit 2021.
“Përderisa, sipas nenit 3.1 të memorandumit obligimet e Ministrisë, përveç investimit në vlerë 700 mijë euro, ishin që të caktojë projekt-menaxherin për monitorimin e kontratës dhe së bashku me komunën të kujdesen për implementimin e projektit. Vonesat në përfundimin e këtij projekti ishin 12 muaj. Deri në kohën e përfundimit të auditimit ky projekt ende nuk kishte përfunduar”, saktësohet në Raport. Aty merren edhe disa raste të tjera me komunat si ai me Ferizajn për projektin “ndërtimi i sallës sportive Greme - Ferizaj” dhe me Gjakovën ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Rugovë të Hasit. Më pas renditen edhe kontrata të lidhura direkt nga MKRS-ja.
“MKRS kishte nënshkruar kontratë për projektin ‘Masat Preventive-Intervenimet Emergjente Regjioni i Prizrenit” më datë 31.03.2022 në vlerë 337 mijë e 463 eurosh. Sipas KVK, pika 9 afati për kryerjen e punëve ishte 6 muaj. Vonesat në realizimin e punimeve ishin 2 muaj. Deri në kohën e ekzaminimit fizik (mars 2023) ky projekt ende nuk kishte përfunduar. Sipas menaxherit të kontratës arsyet e vonesave janë pengesat nga bashkëpronarët duke refuzuar ndërhyrjen në këto ndërtesa”, shkruhet në Raport. Me intervenimet emergjente ka edhe telashe të tjera. Kontrata tjetër, “intervenimet emergjente në rajonin e Prizrenit” e datës 29.12.2021 në vlerë prej 119 mijë e 477 eurosh nuk ishte realizuar në terren me pesë muaj vonesë. Por telashet në këtë rast nuk përfundojnë me kaq.
“Nuk kemi pranuar raport të pranimit teknik. Sipas menaxherit të kontratës arsyet e vonesave janë kushtet atmosferike, si dhe zgjatja e procedurave për aprovimin e punëve shtesë”, shkruhet në Raport.
Vlerësimet e projekteve me vonesa deri në 144 ditë
Ministria e Kulturës vazhdon të përballet me dobësi në vlerësimin e projekteve që subvencion dhe në realizim të projekteve kapitale.
Sipas Rregullores për subvencionimin në fushën e kulturës e trashëgimisë kulturore komisioni për vlerësimin e projekteve duhet të kryejë punën e vet brenda afatit prej 15 ditë pune, nga data e mbylljes së konkursit. Sipas Raportit, projekt-propozimet përfituese duhet të zbatohen në tërësi deri në ditën e fundit të vitit. Për vitin 2022 procesi i vlerësimit për dy thirrje publike të testuara kishte vonesa.
“Thirrja për fondin e mobilitetit 2022 Sport-Rini-Art-Trashëgimi Kulturore /Individuale afati për aplikim ishte deri më 29.08.2022. Komisioni i vlerësimit kishte bërë vlerësimin me vonesë prej 44 ditëve përtej afatit të lejuar dhe Thirrja për projekt propozimet kulturore 2022 ‘Art dhe Trashëgimi kulturore/Individuale afati për aplikim ishte deri më 22.04.2022’. Komisioni i vlerësimit kishte bërë vlerësimin me vonesë prej 144 ditëve përtej afatit të lejuar”, shkruhet në raport.
Auditorët kanë gjetur se buxheti final për paga dhe mëditje në krahasim me buxhetin fillestar ishte rritur për 77 mijë e 916 euro nga grantet e donatorëve, kurse buxheti final për mallra dhe shërbime në krahasim me buxhetin fillestar kishte rritje për 2 milionë e 71 mijë eurosh.
“Rritja ishte ndikuar nga ndarjet për Pakon e Ringjalljes Ekonomike 75 mijë euro për mbështetjen e kulturës dhe sportit, të hyrat vetanake 17 mijë e 245 euro, Grantet e Përcaktuara të Donatorëve në vlerë 121 mijë e 770 eurosh si dhe me vendime të Qeverisë vlerë 1 milion e 857 euro”. Buxheti në këtë kategori ishte shpenzuar 69 për qind. Në anën tjetër, buxheti final për subvencione dhe transfere në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për 4 milionë e 469 mijë euro. Sipas auditorëve, rritja ishte si rezultat i ndarjeve nga “Pako e Ringjalljes Ekonomike 880 mijë e 725 euro për mbështetje financiare për projekte të caktuara si filmi ‘Zgjoi’ dhe ‘Manifesta 14 - Prishtina 2022’, granteve të përcaktuara të donatorëve 49 mijë e euro, si dhe vendime të Qeverisë 3 milionë e 539 mijë e 288 euro. Shpenzimi i buxhetit në këtë kategori ishte 89 për qind”, shkruhet në Raport.
Përgjysmimi i buxhetit për investime kapitale, shpenzimi as 20 për qind
Për vitin 2020, MKRS-ja fillimisht kishte buxhet për investime kapitale në vlerë prej 20 milionë e 710 mijë eurosh. Por ky buxhet ishte ulur për më shumë se 50 për qind duke u bërë 9 milionë e 546 mijë euro.
“Ulja e buxhetit ishte ndikuar nga vendimet e Qeverisë për kursime buxhetore si pasojë e mosrealizimit të projekteve kapitale”, shkruhet në raport. Pasqyrat financiare tregojnë se nga ky buxhet janë shpenzuar 3 milionë e 784 mijë e 720 euro, që i bie fiks 15.8 për qind e buxhetit fillestar.
“Nga 111 projekte të planifikuara me buxhet fillestar për 29 prej tyre nuk kishin filluar fare procedurat e prokurimit. Ndërsa me buxhet final ishin paraparë 106 projekte me vlerë 9 milionë e 546 mijë euro për 53 projekte prej tyre në vlerë 2 milionë e 305 mijë euro nuk kishin filluar procedurat e prokurimit me arsyetimin se nuk ka pasur kërkesë nga njësitë kërkuese për fillimin e procedurave”, shkruhet në Raport.
Nëpërmjet një shkrese, ministri i Kulturës është pajtuar me gjetjet e auditorëve. Nuk është pajtuar vetëm për tejkalimin e vlerës së kontratës për 16 mijë e 235 euro, për të cilën ka bashkëngjitur një koment. Ministri Hajrulla Çeku në shkresën e 29 qershorit drejtuar auditorëve është zotuar se “brenda 30 ditëve nga pranimi i raportit final do të dorëzojë një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve...”.