Kulturë

Ministria dështon ta rinovojë Teatrin Kombëtar sivjet

Foto: Driton Paçarada / Koha

Është dashur një intervenim i shpejtë i kompanisë së ujësjellësit rajonal “Prishtina” që Baleti Kombëtar i Kosovës të realizonte premierën e shfaqjes “Exil” në ditën e 5-të të këtij muaji.

Dy ditë para premierës së shfaqjes me koreografi të Eno Peçit, bodrumi i Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte vërshuar nga ujërat e zeza, dhe si pasojë ngrohja qendrore nuk mund të aktivizohej. Por pavarësisht problemeve të shpeshta që kanë Teatri e Baleti, që funksionojnë në të njëjtin objekt, Ministria e Kulturës as këtë vit nuk ia ka dalë që ta bëjë rinovimin e ndërtesës, megjithëse në korrik të këtij viti ia kishte mësyrë këtij projekti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njoftimi për këtë tender është bërë më 29 korrik, kurse në ditën e 13-të të gushtit është mbyllur afati për aplikim. Planifikohej që me 100 mijë euro të bëhen disa ndërhyrje në nyjat sanitare, në dysheme, instalime elektrike, zhveshtore e në sallën e ushtrimeve të Baletit Kombëtar të Kosovës. Por në tetor është bërë anulimi i shpalljes së tenderit. Sipas njoftimit kishin konkurruar vetëm dy kompani për të kryer punët e kërkuara nga institucioni më i lartë kulturor në vend. Në njoftim shkruhet se anulimi është bërë duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për prokurim publik.

Teatri e Baleti nuk ishin njoftuar fare as për hapjen e tenderit, e as për anulimin e tij.

Agim Sopi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se nuk është në dijeni për këtë çështje. Ai ka përsëritur nevojat për rinovime. Sipas tij, një tjetër problem del të jetë organizimi komunal “Verë në dimër”, ku një pjesë e kafehaneve të improvizuara kanë zënë vend para Teatrit Kombëtar të Kosovës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)