Të dielën qe radha që ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të promovojë intervenimet që janë bërë në infrastrukturën e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë. Por në anën tjetër, nëse nuk ndërmerr masa në raport me kërkesat e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ky institucion do të funksionojë veç edhe këtë javë. Pas pesë ditësh, TKK-ja pritet t’i mbyllë dyert për publikun, pasi aktorët do të futen në grevë shkaku i pagave
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku po vazhdon të merret me promovim të projekteve rinovuese edhe të dielave. Kësaj radhe me intervenimet që janë bërë në infrastrukturën e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë. Por në anën tjetër, nëse nuk ndërmerr masa në raport me kërkesat e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ky institucion do të funksionojë veç edhe këtë javë. Prej javës tjetër, TKK-ja pritet t’i mbyllë dyert për publikun pasi aktorët do të futen në grevë.
“20 milionë euro për infrastrukturën teatrore”, është njoftimi i radhës i ministit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Sipas tij, ka përfunduar rinovimi i tërësishëm i teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë. “Kjo është dëshmia e radhës e përkushtimit të Qeverisë sonë për të krijuar kushte të dinjitetshme për artistët dhe publikun artdashës. Ky modernizim i hapësirës së teatrit të Mitrovicës bëhet edhe në nderim të figurës së Muharrem Qenës, njërit ndër artistët më të veçantë të Kosovës”, ka njoftuar ai në rrjete sociale.
Po ashtu ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë që i takon, kanë “investuar me seriozitet në infrastrukturën kulturore të vendit, e cila kishte degraduar në mungesë të përkujdesjes shtetërore”.
“Me prioritet të veçantë po e trajtojmë infrastrukturën teatrore në gjithë vendin. Kemi rinovuar amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, derisa punimet kanë përfunduar edhe në shtëpinë e kulturës ‘Ukë Bytyçi’ në Suharekë, e cila ka amfiteatrin e saj”, ka njoftuar ministri Çeku. Ka përmendur se punimet e restaurimit po vazhdojnë në ndërtesën kryesore të Teatrit Kombëtar të Kosovës që pritet të përfundojnë në pjesën e dytë të vitit 2025. Ka bërë të ditur se pas hartimit të projekteve zbatuese, në fazë të procedurës së prokurimit janë rinovimet e tërësishme të teatrit të qytetit "Adriana" në Ferizaj dhe Teatrit ODA në Prishtinë.
“Në Rahovec vazhdon ndërtimi i Qendrës për Arte, e cila përmban amfiteatrin brenda. Aktualisht në fazë projektimi për rinovim janë edhe Teatri i qytetit në Gjilan, Teatri i qytetit ‘Avdush Hasani’ në Podujevë si dhe ndërtimi i amfiteatrit të ri të Prishtinës në aneksin e ish-Rilindjes. Në fillim të vitit 2025 nis hartimi i projektit për ndërtesën e re të Teatrit të qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren”, ka shkruar ai.
Por MKRS-ja, pritet që të përballet me telashe jo të vogla sa i përket Teatrit Kombëtar të Kosovës që funksionon në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Prej 16 shtatorit kanë nisur hapat sindikalë me kërkesë për rritje pagash. Ultimatum qe dhënë deri në fillim të nëntorit.
“Jemi duke e shfrytëzuar edhe hapin e ndërmjetësimit ligjor në mënyrë që të kalojmë nëpër të gjithë hapat proceduralë. Nëse nuk ka asnjë lëvizje nga Ministria e Kulturës pas pesë ditësh do të ketë grevë të përgjithshme”, kanë bërë të ditur në Shoqatën Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar. Ky hap do të ndalte punën e përgatitjes së shfaqjeve për të cilat po mbahen prova, s’do të kishte program e po ashtu, s’do të mbahet në afatin e paracaktuar Festivali mbarëkombëtar i tetarit “Moisiu”, që sivjet ka për nikoqir TKK-në nga dita e 20-të e këtij muaji.
Aktorët e institucionit më të lartë teatror në vend muajin e kaluar kishin zgjedhur që nga Shkupi të bënin një ultimatum. Në krah u kishte dalë edhe Festivali ndërkombëtar i teatrove “Skupi Festival”. Në shenjë përkrahjeje, termini i dhënies së shfaqjes “1984” ishte shtyrë për një orë. Kësisoj kishte ndodhur me secilën shfaqje të Festivalit.
“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit. Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, kishte njoftuar Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar që drejtohet nga aktorja Sheqerie Buçaj.
Në të njëjtin njoftim, sindikalistët kanë bërë të ditur se hapat e tyre do të jenë më radikalë.
“Sindikata do të vazhdojë me veprime të tjera sipas orarit të paralajmëruar deri më datën 1 nëntor kur, nëse deri atëherë s’do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse, ne do të kalojmë në grevë të plotë kur do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës”, shkruhej. Por greva si mjet sindikal është shtyrë shkaku i procesit të ndërmjetësimit.
Ky hap vjen pas atij të 16 shtatorit kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.
Aktorët 18 muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, e kanë shfrytëzuar mundësinë legale që ua ofron legjislacioni për veprime sindikale. Paraprakisht më 9 shtator e kishin lajmëruar Ministrinë e Kulturës për veprimet që do të merrnin.
Aty sqaronin se kërkesën për rritje të pagave e bazojnë në përgatitjen profesionale të trupës, shkallën e përgjegjësisë, specifikat e vendit të punës, volumin e madh të punës, punën pa orar, e cila arrin edhe deri në 16 orë punë në ditë, e punën gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të punës. Më pas si arsye kishin renditur “kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrin e reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrin e shikuesve që është trefishuar duke qenë institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së, duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend”. Më pas tek arsyetimet shkruhej se sot aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabartë edhe me punëtorët teknikë të teatrove të qyteteve.
Pakënaqësitë e aktorëve zunë fill qysh në shkurtin e vitit të kaluar kur hyri në fuqi Ligji mbi Pagat dhe u caktua vlera e koeficienteve. Asokohe MKRS-ja proklamonte se aktorët prej 720 do të marrin pagë në 840 euro.
Por këto paga të proklamuara janë veç për kategoritë e para të punonjësve, pasi profesionistët e artit dhe të kulturës ndahen në disa kategori.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur asnjëherë sa i përket kësaj çështjeje. KOHA ka mësuar se larg syve të publikut, Ministria e Kulturës ka komunikuar me Shoqatën Sindikale të Teatrit. MKRS-ja ka kërkuar që të ketë takim me të gjithë ansamblin e aktorëve, por kryesia e sindikalistëve për një takim të tillë i kanë thënë ministrit Çeku t’i drejtohet menaxhmentit të TKK-së. Aktualisht palët s’kanë komunikim.
Para 19 muajsh kur ishin ngritur pagat, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Shoqata Sindikale e këtij institucioni kishte kërkuar që kategoria e “Aktorëve të parë” të ketë koeficient 11. Vjet vlera e koeficientit ishte 105 euro. Sivjet është 110 euro. Për kategorinë e dytë të aktorëve është kërkuar koeficient 9 e për të tretën koeficienti 8.5. Por aktualisht “Të parët e teatrit” kanë koeficient 8. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.
Kërkesat për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës.
Asokohe, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtohen.
Paraprakisht, para 2023-s, pagat e krijuesve, performuesve dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishin rritur në nëntor të vitit 2019. Në shtatorin e atij viti fillimisht kishin hyrë në grevë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e më pas atyre u ishin bashkuar edhe punonjësit e institucioneve të tjera. Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues, pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore.
Më 1 nëntor të atij viti 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje.