Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Mimika Luca – artistja ikonike e filmit, teatrit dhe baletit

Një prej ikonave të kinematografisë dhe të baletit shqiptar, Mimika Luca, ka vdekur në moshën 85-vjeçare. Kolegë e udhëheqës institucionesh e kanë vlerësuar atë si vlerë të shtuar të artit shqiptar. Vdekjen e ka konfirmuar të martën i biri i saj, Gjergj Luca. Ai ka bërë të ditur se varrimi i aktores do të bëhet të mërkurën.

Mimika Luca u lind në Gjirokastër më 24 dhjetor të vitit 1937. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, si balerinë, prej vitit 1951 deri më 1962. Më 1962 u pranua si aktore në atë që ishte Teatri Popullor.

Gjatë karrierës së saj si aktore teatri, Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role, Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”.

Mimika Luca ka interpretuar gjithashtu edhe në 12 filma artistikë, si “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë. Ka shkruar edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 u bë pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, Dega Dramë. Në vitin 1977 ajo u emërua edhe pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, Dega e Dramës. E ndjera ishte bashkëshortja e aktorit të famshëm Ndrek Luca.

Regjisori i filmit dhe televizionit Mevlan Shanaj ka thënë se Luca ka ikur herët dhe ende pa u moshuar. Ai ka kujtuar ditën e takimit në ditëlindjen e saj të fundit.

“Edhe në ditëlindje na zbukurove mbrëmjen me hirin tënd gjithë mirësi, elegancë, si balerina e përjetshme e Ndrekës! Mimi, ke qenë ndër aktoret që rrite emrin e femrës me personalitetin tënd edhe si shkrimtare! Kjo ikje ishte hapi yt i vetëm i gabuar në jetë! Krenar për miqësinë tonë! Lamtumirë Mimika Luca!”, ka shkruar ai në rrjete sociale.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se aktorja e balerina ka lënë një trashëgimi të çmuar prapa.

“Trashëgimia artistike e Mimika Lucës është një pasuri që publiku shqiptar e ka çmuar dhe do të vazhdojë ta çmojë përgjithmonë!”, ka thënë Begaj. Shkurt atë e ka kujtuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Lamtumirë e dashur Mimika! Tanimë je përqafuar me Ndrekën dhe kjo do ta bëjë Gjergjin më të fortë, shpresoj”, ka shkruar ai në Facebook.

E ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se me një thjeshtësi natyrale e thellësi Mimika Luca ka arritur të krijojë një galeri të pasur karakteresh.

“Brezat e rinj kanë shumë ç’të mësojnë nga trashëgimia që ajo ka lënë në kinematografinë shqiptare. U prehtë në paqe!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Luca ka hyrë në historinë e artit shqiptar si balerinë në kohën kur pak vajza ia mësynin këtij arti. E po ashtu edhe si aktore e disa prej filmave më të rëndësishëm të kohës kur jetoi.

Gjatë karrierës së saj si aktore teatri, Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role. Në filmat shqiptarë ka jetësuar role në 12 filma artistikë. Për më shumë se një dekadë ka qenë balerinë

Artikuj të ngjashëm