Katër muajt e parë të këtij viti kanë dhënë shenja pozitive për një sezon të suksesshëm turistik, nëse për bazë merret fluksi i vizitorëve në Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik të Krujës. Ka dyfish më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këtë institucion, prej janarit deri në prill të këtij viti e kanë vizituar fiks 8.666 vizitorë nga vendi dhe jashtë. Prej këtij numri, sipas menaxhmentit të Muzeut, 3.780 janë të huaj.
“Turistët e huaj janë kryesisht nga Evropa Perëndimore, si Polonia, Sllovenia etj, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një numër të lartë kanë shënuar edhe nxënësit e shkollave të Shqipërisë dhe të Kosovës”, citohet të ketë thënë drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik në Krujë, Mehdi Hafizi, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Sipas tij, këto janë shifra optimiste për një sezon të mirë turistik në Shqipëri.
“Kjo shifër tregon dyfishin e vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit 2021, trefishin e vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit 2020. Pra, jemi shumë pranë numrit të vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit 2019, vitit më të mirë turistik në Shqipëri”, ka thënë ai,
Që prej muajit prill, Muzeu Etnografik i është nënshtruar rikonstruksionit dhe do të jetë gati në tetor për t’i pritur turistët”.
Kruja është kthyer tashmë në një qytet për turizëm gjatë gjithë vitit, i favorizuar nga vlerat që bart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi malor që ofron.
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri. Zona turistike, Pazari i Krujës, është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga qytetet më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.
Krahas Pazarit, Muzeut Historik dhe Etnografik, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske.