Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Materniteti “Mbretëresha Gjeraldinë” do të shembet pjesërisht

Shembja e një pjese të maternitetit “Mbretëresha Gjeraldinë” po bëhet me leje të Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri. Ky Institutit ka miratuar projektin e Institutit të Ndërtimit për t’i hapur rrugë shembjes dhe rindërtimit të ri të gjysmës së monumentit që u ndërtua në fund të viteve ‘30 dhe në fillim të viteve ‘40.

Drejtoresha e IKTK-së, Arta Dollani, ka thënë se te Materniteti po bëhet një rikonstruksion për shkak të pasojave të tërmetit.

“Materniteti është monument kulture i kategorisë së dytë, pjesa e korpusit qendror dhe ballinës me basoreliev. Ndërsa pjesa njëkatëshe është ndryshuar disa herë në kohë të ndryshme, Korpusi që po restaurohet, deri te portiku mbetet i paprekur, bashkë me urën lidhëse që ka qenë”, ka thënë ajo. Sipas saj, shtesa kishte probleme.

“Kur ra tërmeti ndërtesa u inspektua dhe u pa që ka shumë probleme. Instituti pa që është jashtë funksionit dhe ishte çarë në disa zona. Projekti i ndërhyrjes u bë nga Instituti i Ndërtimit me të gjitha kërkesat që ka spitali, sepse ata kanë kërkesat e veta për llojin e institucionit që është”, ka thënë Dollani. Sipas saj, projekti i Institutit të Ndërtimit më pas ka shkuar te Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe pas shqyrtimit është miratuar. Në një intervistë për mediat shqiptare ajo ka përsëritur disa herë se korpusi me basorelievin ruhet, ndërsa pjesa tjetër që ishte shtesë po rindërtohet në bazë të kërkesave të spitalit.

Ndërtimi i themeleve të “Shtëpisë së Nanës dhe Fëmijës” ka filluar në fund të vitit 1938 nga firma italiane “Motta Scandurra”. Punimet përfunduan në fund të nëntorit të vitit 1942.

Sa i përket trashëgimisë kulturore të Tiranës, pas shembjes së Teatrit Kombëtar në maj të vitit të kaluar, rasti i Maternitetit është i dyti që ka nxitur reagime nga shoqëria civile. Me shembjen e godinës 80-vjeçare të Teatrit u rrënua një pjesë të historisë së Luftës së Dytë Botërore, të urbanizmit të kryeqytetit, disa gjyqeve të regjimit të pasluftës e së paku 75 vjetëve të institucionit më të lartë teatror në Shqipëri. Ende nuk ka ndonjë afat për nisjen e ndërtimit të objektit të ri teatror.

Artikuj të ngjashëm