Kulturë

Një pjesë e “Rilindjes” dhe “Nënë Tereza” midis 19 monumenteve të reja

Ajo që i ka shpëtuar tjetërsimit të Pallatit të Shtypit, salla e shtypshkronjës së “Rilindjes” ka marrë statusin e monumentit së paku për një vit. Kaherë qe alarmuar se edhe ajo pjesë është lënë pas dore. Në mesin e 19 aseteve që i janë shtuar Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme, është edhe materniteti “Nëna Terezë” në Prishtinë, objekti që është dëshmi unike e rezistencës së shqiptarëve në kohë represioni

Ministria e Kulturës ka vendosur që shteti të marrë nën mbrojte edhe 19 asete arkitekturore, duke i shndërruar në monumente, të paktën përkohësisht. Ky vendim është marrë me rastin e zgjatjes së afatit edhe për një vit të Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme. Lista paraprake që kishte afat deri në ditën e tetë të këtij muaji numëronte gjithsejtë 1635 asete. Bashkë me 19 të rejat, numri shkon në 1654 asete të trashëgimisë kulturore që mbrohen përkohësisht. Prej vitit 2016, vetëm 23 monumente janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Kësisoj shteti zyrtarisht mbron 1677 monumente.

Salla e shtypshkronjës së ndërtesës së ish-pallatit të shtypit “Rilindja” në Prishtinë bashkë me maternitetin “Nëna Terezë” po në kryeqytet, janë dy monumentet e reja. Publikisht për këto dy asete është bërë shumë zhurmë që shteti t’i marrë nën mbrojte.

Në rajonin e Prishtinës janë shtuar 7 asete të reja, në atë të Pejës një, nga Prizreni 4, në rajonin e Mitrovicës 5, e nga Gjilani 3.

E hartuar për herë të parë më 2012, Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme ka afat njëvjeçar. Prej atëherë i zgjatet afati çdo vit.

Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme është mekanizëm ligjor për t’i mbrojtur asetet për të cilat llogaritet se duhet të jenë monumente, të paktën përkohësisht.

Është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore organi që vlerëson nëse një monument mund të jetë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Qysh prej themelimit, më 2009, KKTK-ja nuk kishte përbërje të plotë deri në vitin 2015. Në korrik të vitit 2015 ishin emëruar shtatë anëtarët e këtij organi në kuadër të fushatës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO. Për tre vjet punë, anëtarët krejt çfarë kishin bërë ishte miratimi për shpalljen e 23 aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. E qysh prej korrikut të 2018-s deri në korrikun e vitit 2021 ky organ ishte jofunksional, pasi ish-anëtarëve u kishte skaduar mandati trevjeçar. Në dhjetor të vitit të kaluar Ministria e Kulturës i ka propozuar KKTK-së 54 asete për përfshirje në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Image
Ndërtesa private në “Kodrën e Trimave”, prej vitit 1992 do të shndërrohej në maternitetin “Nëna Terezë”

Sa i përket Listës së përkohshme, propozimet e reja të institucioneve vartëse të MKRS-së i janë nënshtruar shqyrtimit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe pastaj nga Komisioni Profesional i MKRS-së. Ndërtesat e përzgjedhura u takojnë disa tipologjive, dhe karakterizohen me vlera të raritetit, vlera historike, estetike, shoqërore e shpirtërore.

Sa i përket sallës së ish-shtypshkronjës “Rilindja” është vlerësuar pjesë e ndërtesës që u takon viteve ‘70, që paraqesin vitet e zhvillimeve të rëndësishme në fushën shoqëroro-politike të Kosovës. Pallati i Shtypit u projektua në vitin 1971 nga arkitekti maqedonas, modernisti Georgi Konstantinovski. Pas luftës së fundit brutalizmi që shpërfaqej në krejt ndërtesën është shpërfytyruar nëpërmjet një rinovimi që e ka “veshur” ndërtesën me pllaka të metalta.

“Vlera historike që lidhen me vlerat raritare si e vetmja ndërtesë Kosovë që ndërlidhet me industrinë e shtypit dhe aktivitet i veçantë për nga ndikimi i vet në lirinë e shprehjes; Vlera estetike si krijimtari e një artisti të kohës, përkatësisht lidhja me arkitektin Georgi Konstantinovski; Vlera estetike të mishëruara dhe të ruajtura në sallën e shtypshkronjës”, shkruhet në arsyetimin e marrjes së këtij aseti nën mbrojte.

Aty shtypej gazeta “Rilindja” bashkë me krejt botimet e asaj që ishte Krahinë Autonome në kuadër të Ish-Jugosllavisë. Shtypshkronja punonte me porosi edhe për vende të tjera.

“Rilindja” ishte gazeta e parë shqipe në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. Prej numrave të saj të parë, që dilnin vetëm në katër faqe, në ditët e saj më të mira “Rilindja” shitej deri në 234 mijë kopje në ditë. Me historinë e gazetës ishte e lidhur edhe veprimtaria e dendur e shtëpisë botuese “Rilindja” dhe shtypshkronjës me po të njëjtin emër. Për ata që punuan aty, historia e zhvillimit intelektual e kulturor të Kosovës është e lidhur ngushtë me atë që është vlerësuar si një prej organizimeve më të forta ekonomike në vend krahas fabrikave metalurgjike të dikurshme. Në vitin 2019 ishte lansuar platforma digjitale “Arkivi Rilindja” një projekt i ideuar nga shkrimtarja Ervinë Halili.

Sallës e shtypshkronjës, qysh prej vitit 2009, kur objekti i ish-Rilindjes ishte mbyllur kur ka pushuar së botuari gazeta “Rilindja”, dyert i janë hapur përkohësisht me rastin e ndonjë ngjarje a koncerti. Tash i kanë mbetur vetëm muret dhe prej 22 korrikut aty zë vend instalacioni “Brutal Times” i artistit turk, Cevdet Erek, në kuadër të “Manifesta 14”.

Kurse sa i përket maternitetit “Nëna Terezë” në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, ndërtesa prej vitit 1992 do të shndërrohej në ato që njihen si ordinancë lindjesh në kuadër të shoqatës humanitare që mbante të njëjtin emër. Shtëpia me pronar Shaban Svircën, do të shndërrohej në maternitet kryesor për shqiptarët.

Muajin e kaluar KOHA ka realizuar një dokumentar për këtë ndërtesë dhe ka raportuar se për objektin që Shaban Svirca paguan fatura tatimi, uji, rryme e mbeturinash, shteti ende nuk kishte ka marrë nën kontroll për ta dokumentuar një prej organizimeve më të ndritshme për njërën prej dekadave më brutale të shekullit të kaluar. Familja është e gatshme për të bashkëpunuar me shtetin. Ka pasur edhe ide që ndërtesa të shndërrohet në muze.

Sali Shoshi, i cili udhëheq me Fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij – “ChwB Kosova” ka thënë se deri tash nuk ka ekzistuar ndonjë vizion se si të dilet nga mbrojta e përkohshme në të përhershme, e pastaj të bëhet hapja e monumenteve për publikun nëpërmjet programeve e ideve që njerëzit të merren me monumente.

“Ishte dashur të ekzistojë një plan që do ta maste fuqinë e shtetit në financa e kapacitete, në mënyrë që të bëhet lista e përhershme dhe të funksionalizohen monumentet”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, duhet bërë financim të projekteve që ia kthejnë shoqërisë monumentet.

Image
Asetet që i janë bashkuar Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme

“Mbrojtja është veç një bazë që publiku të ketë vëmendje për një monument të rëndësishëm. Qëllimi është që të kthehet te publiku si faktor për zhvillim ekonomik, social, turistik e të tjera”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, fondet ekzistuese duhet të kanalizohen në këtë drejtim. Ka thënë se Ministria e Kulturës duhet t’i restaurojë monumentet e më pas shoqëria civile të hartojë e zbatojë plane për shfrytëzimin e këtyre aseteve.

Ka treguar se si anëtar i grupit punues te Rregullorja për inventarizim ka kërkuar që të përcaktohet në detaje me afate kohore procesi prej inventarizimit e deri mbrojta e përhershme. Sipas tij, duhet që në bazë të Rregullores të hartohet një plan.

“Duhet ditur saktësisht se për sa kohë kryhet procesi me aset që janë nën mbrojtje të përkohshme. Plani duhet bazuar në Rregullore. Te komponenti i shfrytëzimit duhet të punohet me një vizion që trashëgimia t’i kthehet publikut”, ka thënë ai. Sipas tij, trashëgimia duhet kthyer publikut.

Shtëpia e banimit “Hysë Popova” në Podujevë, Kulla e Hamit Berishës në Harilaq të Fushë-Kosovës, Shtëpia e Ismet Xhemalit në Keqekollë të Prishtinës, Xhamia e Vjetër në Orllan të Podujevës e Kroi i fshatit Uçë të Istogut janë midis aseteve të reja të trashëgimisë kulturore në Kosovë.