Kulturë

Paralajmërohet rihapja e Hamamit të Durrësit

Monumenti i trashëgimisë kulturore, Hamami i Durrësit, po restaurohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit “EU4Culture”. Ndërhyrjet përfshijnë restaurimin e pjesës së brendshme, të fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital. Autoritetet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri kanë paralajmëtar se ndërhyrja do të përfundojë së shpejti, në mënyrë që monumenti të jetë i qasshëm për vizitorë. Restaurimi ishte bërë i detyrueshëm pas dëmeve që ndërtesa pësoi gjatë tërmetit të nëntorit të vitit 2019.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka publikuar pamjet nga puna që po bëhen për restaurimin e monumentit, si dhe planet se si pritet të duket ai pas ndërhyrjeve.

“Pavarësisht interesit të turistëve për ta vizituar, Hamami i Durrësit ka qëndruar i mbyllur për një kohë të gjatë. Fatmirësisht, ai do të hapet së shpejti për publikun, pasi të kenë përfunduar planet e restaurimit dhe rindërtimit, të cilat synojnë ruajtjen e tipareve origjinale”, ka shkruar Margariti në Facebook.

Hamami i Durrësit është pjesë e një grupi monumentesh me rëndësi arkeologjike dhe kulturore në Shqipëri, i ndërtuar në shekullin XVIII. Qysh në gusht të vitit 2021 ishte paralajmëruar ndërhyrja në monument.

Projekti që financohet nga Bashkimi Evropian përfshin edhe pajisjen me mjete digjitale nëpërmjet të cilave do të tregohet historia e objektit. Ishin planifikuar gjithsej 40 milionë euro për ndërhyrje në një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore në vend të prekura nga tërmeti. Në mesin e tyre ishte edhe Kulla Veneciane në Durrës, pranë së cilës gjendet Hamami. Ajo është rihapur muajin e kaluar. Një pjesë e saj ishte dëmtuar si pasojë e tërmetit dhe restaurimi i saj kishte filluar në qershor të 2020-s. Kulla C pranë Kullës Veneciane, e cila ishte një nga fortifikatat e Kalasë, ishte dëmtuar rëndë.

Përveç restaurimit, është synuar të investohet në rijetësimin e vendeve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes.

Sipas raportimit të mediave të Shqipërisë, ndërhyrjet e propozuara përfshinin ruajtjen e sipërfaqeve dhe gjatë restaurimit ruajtjen e origjinalitetit të hapësirës, restaurimin e elementeve që mungojnë e deri te stabilizimi i pjesshëm strukturor dhe kullimi. Pjesë e ndërhyrjes, po ashtu, do të jenë parmakët rreth elementëve autentikë të cilët do të shndërrohen në fokus të ekspozimit. Menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë, si dhe programi dhe planet e mirëmbajtjes po ashtu bëjnë pjesë në këtë projekt. Në infrastrukturë përfshiheshin instalimet elektrike për ndriçim, sistemi i mbikëqyrjes dhe sigurisë, biletaria dhe informacionet rreth monumentit.

Hamami ngërthen arkitekturë tipike të periudhës osmane. Në qendër ka pasur një kupolë sferike me lartësi 5.8 metra, pajisur me 12 dritare të vogla. Ka qenë në gjendje shumë të rëndë edhe më parë, prandaj ishte rikonstruktuar në vitin 1980.