Zgjedhjet lokale

Pula: Disa raste nën hetim, përfshirë ryshfet dhe fotografim të votës

Laura Pula

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, në emisionin special që i kushtohet ditës së zgjedhjeve në KTV, ka njoftuar se janë evidentuar disa raste që po trajtohen nga organet e rendit dhe të drejtësisë.

Pula ka thënë se deri tani janë ndërmarrë veprime ndaj disa personave të dyshuar për shkelje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor, përfshirë raste që lidhen me marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe me fotografim të votës.

“Është rasti në Fushë-Kosovë, ku dy persona janë të ndaluar lidhur me veprën penale të marrjes dhe dhënies së ryshfetit dhe ndaj tyre tani do të vazhdojë procedura e mëtutjeshme, ndaj njërit është sekuestruar telefoni me të cilin është kryer vepra penale. Përpos këtij rasti, të ndaluar persona deri më tani nuk kemi, kemi incidente të ndryshme apo informacione të cilat me të marrë ato kemi reaguar në secilin vend. Kemi edhe sot raste të fotografimit të votës. Përveç rastit në Fushë-Kosovë, ka pasur edhe një rast që mu tani ka ndodhur në njërën prej komunave, ku është ndaluar një person, por është ndaluar për intervistim e jo ndalim me vendim të prokurorit”, ka deklaruar ajo.

Pula theksoi gjithashtu se çështja e asistencës për personat me aftësi të kufizuara ose me pengesa të tjera gjatë votimit është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe se për këto raste nuk ka ndonjë hetim penal të hapur.

“Çështja e asistencës së personave qoftë me aftësi të kufizuara apo me pengesa të tjera, të cilët duhet të votojnë me prezencë të asistencës është çështje e rregulluar me KQZ dhe për këto është përgjegjëse KQZ-ja, e cila e ka bërë publike sa e di unë dhe informacionet e duhura i kanë dhënë me kohë. Nuk ka raste penale të hapura për to”, ka theksuar ajo. 

Balotazhi po zhvillohet në 18 komuna të vendit dhe, sipas autoriteteve, procesi po vazhdon përgjithësisht qetë dhe pa incidente serioze.

Lexo përditësimet tjera
Vota - ne zgjedhjet 2025

LIVE: Balotazhi në 18 komuna