Kulturë

Masat kundër pandemisë pezullojnë edhe aktivitetet e muzeve dhe galerive

Pa u bërë dy muaj prej hapjes së muzeve dhe galerive, Qeveria ka marrë vendim për pezullim të serishëm të aktivitetit të këtyre institucioneve. Kthimi i kësaj mase është bërë shkaku i shpërndarjes enorme të koronavirusit. Qeveria të martën ka nxjerrë vendimin, përmes të cilit edhe muzetë e galeritë llogariten si hapësira me rrezik për shpërndarjen e virusit. Këto institucione kishin nisur aktivitetin më 18 maj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Por rritja e numrit të të infektuarve i ka kthyer në gjendje të mëparshme.

“Pezullohen aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës (përfshirë fitneset, pishinat, shkollat e futbollit dhe sporteve e tjera, trajnimet e kësaj lëmie etj.). Të gjitha aktivitet e lartcekura që zhvillohen në ambiente të hapura detyrohen të zbatojnë në përpikëri kushtet e parapara në Manualin për mbrojtje nga COVID-19”, shkruhet në vendimin e Qeverisë.

Kësisoj, muzetë dhe galeritë janë kthyer në kohën e vendimit të parë për pezullimin e aktiviteteve të tyre. Ishin mbyllur më 13 mars në kuadër të masave të para të Qeverisë për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit. Galeria Kombëtare e Kosovës muajin e kaluar ishte prekur nga COVID-19. Një punonjëse e administratës së këtij institucioni kishte rezultuar pozitive. Aktiviteti ishte pezulluar për disa ditë derisa ishin testuar edhe punonjësit e tjerë.

Pas nxjerrjes së vendimit të ri të Qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënës e sot (e martë) do të kërkohet mbyllja e këtyre institucioneve që janë nën vartësi të MKRS-së.

“Të martën do t’i lajmërojmë që konform vendimit të Qeverisë duhet të ndërmerrni masa për mbyllje të përkohshme deri në një vendim tjetër të Qeverisë”, ka thënë ai.

Muzeu Kombëtar i Kosovës, sikurse institucionet tjera publike, ka punuar vetëm me staf esencial shkaku i pandemisë. Kësisoj kishin respektuar rregullat e vendosura për institucionet private dhe publike.