Masat e reja në përballje me pandeminë të cilat i ka marrë Qeveria e Kosovës e që kanë hyrë në fuqi prej së hënës, kanë bërë që dyert e hapësirave kulturore të mbyllen sërish. Krejt kjo po ndikon në aspektin psikologjik e profesional të punonjësve të kulturës, të cilëve u ka mbetur si zgjidhje përshtatja me situatën. Për ta primar është shëndeti i qytetarëve, në mënyrë që më pas të ketë mundësi për pak art e argëtim. Përkundër se pezullimi i aktiviteteve të parapara u ka nxjerrë jo pak telashe, organizatorë ngjarjesh kulturore u janë bashkuar thirrjeve për respektim masash e vaksinim
Duke u nisur nga praktikat e disa vendeve, festivali ndërkombëtar i muzikës, “DAM”, kishte menduar të hapte edicionin e 16-të të martën. Organizatorët kishin edhe një skenar për ceremoninë hapëse: Rreze Kryeziu, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit “DAM”, bashkë me një anëtar të orkestrës kamertale “New Born” do të vaksinoheshin në skenë. Me këtë do të bëhej thirrje për vaksinim e kujdes në mbrojtje nga pandemia. Një ditë para hapjes, këto plane kanë rënë në ujë.
Masat e reja që ka marrë Qeveria kanë ndaluar organizimin e festivaleve dhe mbajtjen e koncerteve deri më 13 shtator. Për këtë arsye “DAM” ka zhvendosur datat e tij, me shpresë se nuk do detyrohet t’i ndryshojë sërish.
Programi i paraparë të mbahej prej 31 gushtit deri më 5 shtator, respektivisht edicioni i 16-të, është zhvendosur prej 10 deri më 14 tetor.
Dardan Selimaj, themelues e drejtor artistik i festivalit “DAM”, ka thënë se në rast se masat do të vazhdojnë të jenë në fuqi, i gjithë edicioni do të kalojë në formatin online.
“Derisa edicioni i dytë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit, që është paraparë prej 6 deri më 10 shtator me program në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, do të realizohet në formatin online në datat e parashikuara”, ka thënë Selimaj. Ka shtuar se ani pse me një situatë të tillë janë përballur edhe edicionin e kaluar, mbetet problematik adaptimi i vazhdueshëm në rrethana të reja.
“Është i kushtueshëm dhe jo lehtë i përballueshëm në rrethanat në të cilat punojmë, por edhe e afekton programin, sepse ndoshta edhe pavetëdijshëm formati i këtij edicioni gjithmonë është menduar jo sikurse i edicioneve të kaluara, duke pasur parasysh situatat e paparashikueshme”, ka thënë Selimaj.
Bazuar në masat e reja, edhe bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës dhe institucionet e tjera të ngjashme vartëse të Ministrisë së Kulturës apo të komunave kanë pezulluar aktivitetin e tyre. E sipas masave të miratuara nga Qeveria, teatrot, orkestrat, ansamblet dhe baleti lejohen të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut), si dhe të mbajnë ushtrimet.
Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i udhëheqësit të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se masat e reja ndikojnë si në aspektin psikik ashtu edhe atë profesional te anëtarët e Trupës së Baletit.
Edicioni i 16-të i festivalit “DAM”, i paraparë të mbahej prej 31 gushtit deri më 5 shtator, është zhvendosur prej 10 deri më 14 tetor
“Së pari dihet se në sallën tonë nuk kemi ajrosje të mjaftueshme, e kur të shtohet mbajtja e maskës, frymëmarrja bëhet shumë e vështirë dhe po kemi mjaft probleme me këtë çështje”, ka thënë ai.
Sipas tij, baleti është art që është krijuar për atë momentin ku audienca ndan emocionet me valltarët në skenë, pasi në atë mënyrë mund të kuptohet e përjetohet më mirë shfaqja.
“Por, sidoqoftë, ne duhet patjetër të respektojmë çdo vendim të Qeverisë, sepse jemi dëshmitarë që numri i rasteve dhe i vdekjeve është shumë i lartë. Shpresoj shumë që të paktën të mos na ndërpriten ushtrimet e provat në sallë”, ka thënë ai. Ka shtuar se po u ndaluan provat e Baletit Kombëtar të Kosovës, që vepron në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të ndikojë drejtpërdrejt në provat që priten të nisin më 1 shtator për projektin e ri, përkatësisht premierën e dytë për vitin 2021, që është paraparë të jepet më 31 tetor.
Po ashtu, pandemia ka kohë që ka prekur edhe regjisorët e filmave e producentët, të cilëve u është vështirësuar puna në sheshe xhirimi.
Qe tri herë stafi i filmit “Hotline” me skenar e regji të Dren Zherkës ka shtyrë datat e xhirimit. Plani tani për tani është që xhirimet të nisin në shtator të vitit të ardhshëm.
“Ndryshimet e vazhdueshme paraqesin vështirësi të mëdha në planifikim dhe përgatitje të projekteve. Gjithashtu edhe krijojnë shpenzime ekstra”, ka thënë producenti i këtij filmi Bujar Kabashi. Sipas tij, vendi është akoma në pandemi dhe në vend se “ta akuzojmë njëri-tjetrin, më duket që është e udhës të zgjohemi nga gjumi – t’i ndalim dasmat, tubimet e të vaksinohemi sa më shumë”. Ka shtuar se pandemia nuk kalon ndryshe.
Festivalin “ReMusica” e “Hardh Fest” janë dy ngjarje të tjera kulturore të parapara që të mbahen gjatë këtyre ditëve, por që edicionet e sivjetme janë shtyrë për një afat të pacaktuar. Kanë njoftuar se vendimet e tyre do të jenë në pajtim me masat në fuqi të Qeverisë, gjersa kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe vaksinim.
“Hardh Fest” është njëra prej ngjarjeve kulturore që ka shtyrë edicionin e sivjetmë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve e të të vdekurve nga koronavirusi. Nëpërmjet një postimi ku shihet fotografia e vajzës duke mbajtur si maskë një fletë rrushi, stafi organizativ ka kërkuar që njerëzit të vaksinohen me shpresë se mund të takohen së shpejti...