Kulturë

“DAM” në rikthim me kryevepra zbërthen esencën e muzikës

“Këtë vit mezi po e presim që ta rikthejmë përjetimin e zakonshëm nga ajo punë shpeshherë edhe e jashtëzakonshme, të cilën e realizojmë”, është e para që thotë drejtoresha e festivalit “DAM”, Rreze Kryeziu – Breznica, kur flet për edicionin e sivjetmë. Por ka diçka specifike në menynë e sivjetme. “DAM” i sjell veprat e mëdha në formacione të vogla pa ua humbur madhështinë që e kanë. “Ritmi dyvjeçar i punës në kohë pandemie na ka shtyrë ta mendojmë një program që vjen si reflektim i veprave të mëdha, por të cilat në i ‘zvogëlojmë’. Këtë e bëjmë që nëpërmjet thjeshtësisë të zbërthejmë kompleksitetin e veprave masive”, ka thënë Dardan Selimaj, drejtor artistik i Festivalit

Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” është gati ta rikthejë lidhjen e plotë me publikun. Për edicionin e 17-të ka përgatitur goxha program. Por ka diçka specifike në menynë e sivjetme. “DAM” i “zvogëlon” veprat e mëdha për ta dëshmuar se thjeshtësia është esenca e artit dhe se kryeveprave nuk u humb madhështia edhe kur vijnë në këso formatesh.

Me emra të njohur të skenës vendore dhe ndërkombëtare, Festivali do të ketë një dedikim të veçantë për veprat e kompozitorëve shqiptarë. Edhe me këtë edicion, “DAM” e dëshmon se të rinjtë janë mision i përhershëm i tij.

Pas dy edicionesh të fragmentuara sa i përket lidhjes me publikun, Festivali është gati të rikthejë magjinë e koncerteve te publiku.

“Këtë vit mezi po e presim që ta rikthejmë përjetimin e zakonshëm nga ajo punë shpeshherë edhe e jashtëzakonshme të cilën e realizojmë”, ka thënë drejtoresha e festivalit “DAM”, Rreze Kryeziu - Breznica.

Koncerti që u anulua vitin kur pandemia pezulloi gjithçka, tash është gati të shfaqet para publikut.

“The Wiener Kammersymphonie” do ta hapë festivalin në mbrëmjen e 24 qershorit. Ky ansambël i muzikës së dhomës përbëhet nga emra talentesh që performojnë në Vjenë. Pika e fortë e këtij projekti unik është dëshira për të bashkuar talentet individuale në një bashkëpunim të veçantë dhe artistik. Një program të veçantë ata do ta sjellin në Kosovë, ku përveç muzikës vjeneze do të interpretohet edhe një vepër e kompozitorit shqiptar, Valton Beqiri.

“Në kuadër të koncerteve të artistëve ndërkombëtarë, ne vazhdojmë të synojmë edhe promovimin e krijuesve vendorë. Nga ‘Wiener Kammersymphonie’ do të interpretohet edhe një vepër e kompozitorit tonë Valton Beqiri”, ka shtuar tutje ajo. Misioni për t’u dëgjuar muzika shqiptare do të përmbushet edhe më me koncertin e titulluar “Sonus Albanica”. Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, përcjellë nga kuarteti i harqeve, do të interpretojë një program të zgjedhur me vepra shqiptare.

Një prej mbrëmjeve muzikore do t’i bashkojë në skenë flautisten Nina Shala dhe kitaristin Drilon Çoçaj.

Por krejt programi ndjek një qasje të veçantë. Për vepra të mëdha rëndom edhe formacionet janë të tilla. “DAM” bën të kundërtën: ua ruan madhështinë, ndonëse në formacione të vogla. “I rritim këto vepra duke i zvogëluar”, ka thënë Dardan Selimaj, drejtor artistik i Festivalit. Ka një zanafillë kjo mënyrë e konceptimit.

“Ritmi dyvjeçar i punës në kohë pandemie na ka shtyrë ta mendojmë një program që vjen si reflektim i veprave të mëdha, por të cilat ne i ‘zvogëlojmë’. Këtë e bëjmë që nëpërmjet thjeshtësisë të zbërthejmë kompleksitetin e veprave masive. Pra, për ta thjeshtësuar: një vepër që rëndom duhet ta luajnë 100 veta, ne e sjellim me solist, por prapë vjen si vepër e madhe”, ka thënë Selimaj.

Në edicionin e 17-të do të shfaqet edhe filmi dokumentar me titull “Okarina e Runikut”, që vjen si homazh për instrumentistin multidimensional Shaqir Hoti, i cili vdiq në prill të vitit 2021 në moshën 85-vjeçare.

Festivali i cili u ndërtua mbi qëllimin për t’u dhënë hapësirë të rinjve, ndër vite ka zgjeruar misionin e tij. Por ende këmbëngul në misionin për të cilin u themelua. Këtë e ka dëshmuar edhe me organizimin e garës ballkanike të kompozitorëve “BCCP”.

Këtë vit në një mbrëmje të Festivalit do të luaj Ledian Shala në piano, i cili është laureat i çmimit “Pianisti i ri 2021”.

”’DAM’ ka filluar nga studentë të Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve dhe në fillim ka qenë Festival që u është dedikuar muziktarëve të rinj dhe jo rastësisht, pasi që ata shumë pak kanë gjetur hapësirë”, ka thënë Kryeziu-Breznica për KOHËN.

Mbrëmja “Klubi 2000” do të bashkojë në skenë nxënësit e dalluar të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Kjo mbrëmje do të shërbejë edhe si thirrje për përmirësim të kushteve në të cilat mësojnë këta nxënës.

“Është koha që ne si komunitet të bashkohemi dhe të ndihmojmë sa më shumë jo vetëm në promovim, por edhe nëse mund të bëjmë diçka në raport me rregullimin e kushteve në të cilat ata ushtrojnë aktivitetin edukativo-arsimor”, ka thënë drejtoresha e festivalit “DAM”.

Drejt finales, violinisti Gëzim Latifi dhe pianistja Elena Atanaskovska rikthehen në “DAM” me vepra klasike. Pas sukseseve të shumta në arenën ndërkombëtare, kori “Siparantum” nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi do të jetë pjesë “DAM”-it me një mbrëmje të veçantë muzikore, që do të mbahet në kishën katolike “Shën Ndou”. Më këtë do të përmbyllet programi zyrtar, por “DAM” nuk ndalet këtu.

Fiks nëntë ditë më vonë “Post DAM” sjell recitalin e pianistit të dalluar japonez, Tempei Nakamura, që do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Koncerti është në bashkorganizim dhe me iniciativë të Asociacionit të Miqësisë Kosovaro-Japoneze, si pikënisje me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimeve në të ardhmen.

Festivali “DAM” e nis rrugëtimin më 24 qershor për ta përmbyllur më 3 korrik, duke përmbushur misionin e tij me fokus të rinjtë dhe zgjerimin në një platformë që sjell vazhdimisht risi për publikun.

“Edhe pse në pandemi e kemi ruajtur lidhjen me publikun, qoftë edhe me serinë e koncerteve ‘Një muzikant, një dëgjues’, unik në skenën vendore dhe i kanë dhënë tjetër kuptim raportit muzikant-publik. E madhështinë e këtij raporti sivjet e kemi zhvendosur te programi që ia jep publikut mundësinë t’i dëgjojë ndryshe veprat e mëdha”, ka thënë Selimaj.