Lista Serbe i është drejtuar të enjten me një ankesë tjetër Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës e Kuvendit, kur shumica ka votuar për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i organit ligjvënës nga radhët e komunitetit serb. Ky subjekt ka kërkuar të vendoset masë e përkohshme, ndonëse afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re kanë nisur të rrjedhin
Më pak se një javë pasi Kuvendi është konstituuar plotësisht me zgjedhjen edhe të nënkryetarit të pestë, kushtetutshmëria e procesit është vënë në pikëpyetje nga Lista Serbe.
Përfaqësues të kësaj partie kanë dorëzuar të enjten ankesën në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit, nga radhët e komunitetit serb. Këtë e kanë bërë me pretendimin se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës e Kuvendit si dhe aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetueses mbi të njëjtën çështje.
“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, është bërë e ditur në njoftimin e Listës Serbe.
Legjislatura e nëntë është shpallur e konstituuar më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij është bërë pasi që janë shteruar nëntë kandidaturat e Listës Serbe, me nga tri raunde votimi.
Pasi asnjëri nga deputetët e Listës Serbe nuk e ka marrë numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka kërkuar që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë nëpërmjet shortit, duke ia mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq, i cili është nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, që të zgjidhet nënkryetar.
Kushtetuesja e pati trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryetari i Kuvendit e ka shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb. Lidhur me këtë rast, Gjykata pati konstatuar se Kuvendi nuk është i konstituuar, duke kërkuar që deputetët ta zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rrugë për formimin e Qeverisë.
Në vendimin e Kushtetueses është thënë se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e komunitetit serb, por nuk ka lejuar veto bllokuese.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Ai i ka edhe 10 ditë afat për t’ia prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e Qeverisë së re.
Për zgjedhjen e Qeverisë, nevojitet vota pro e 61 deputetëve. LVV-ja në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ka fituar 48 ulëse në Kuvendin me 120 deputetë.
Nëse Kurti nuk arrin që t’i sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, bazuar në ligje, është e obliguar që brenda 10 ditësh t’i ftojë edhe një herë në konsultim të gjitha partitë politike dhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin e ri, nëse ai ia dëshmon se i ka numrat për ta formuar Qeverinë.
Edhe mandatari i ardhshëm duhet t’i ketë 15 ditë kohë për t’ia paraqitur Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. E në rast se Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja Osmani duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja.