Vetëm një e treta e hapësirave mund të vihen në dispozicion të publikut në ngjarjet kulturore. Me këtë vendim është vështirësuar edhe puna për disa institucione, pos faktit që frekuentohen nga më pak veta përderisa respektimi i masave nënkupton angazhim shtesë të stafit. Drejtues institucionesh theksojnë se tashmë janë “trajnuar” me masat dhe se me gjithë kufizimet, në këso forme mbajnë ritmin e punës e të raportit me publikun
Prej 400 ulëseve për publikun e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë shfrytëzohen 200. Por në koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të shtunën mbrëma ishin në dispozicion vetëm 120. Kaq hapësirë ka përcaktuar të shfrytëzohet vendimi i fundit Qeverisë kundër përhapjes së variantit dominues të koronavirusit. Vetëm 30 për qind e hapësirave mund të vihen në dispozicion të publikut. Me këtë vendim – por edhe me ata paraprakë dhe të tjerë që do të pasojnë – është vështirësuar edhe puna për disa institucione, pos faktit që ngjarjet kulturore do të frekuentohen nga më pak veta.
“Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet e tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të komunave lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 30 për qind të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse, me kusht që publiku të jetë i ulur në karrige. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një (1) metër në mes të personave”, shkruhet në pikën 60 të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës sa u përket masave në raport me pandeminë.
I njëjti vendim përcaktoi që për të frekuentuar ngjarjet kulturore duhet të paraqitet testi me rezultat negativ apo dëshmia e vaksinimit me dy doza. Institucionet janë ngarkuar që të kenë të caktuar persona të posaçëm që verifikojnë nëse të pranishmit posedojnë ndonjërën nga dy dëshmitë obligative. Maskat po ashtu.
Me qëllim që të përfillet me saktësi vendimi qeveritar, Filharmonia e Kosovës ka vendosur që rezervimi për të qenë në koncertin e fundit të bëhej nëpërmjet postës elektronike.
“Vëmendje! Për të rezervuar ulësen tuaj ju duhet po ashtu të bashkëngjitni të fotografuar edhe certifikatën e vaksinimit me të paktën dy doza. Mbajtja e maskës gjatë koncertit është e detyrueshme”, shkruhej në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës për koncertin e së shtunës.
Në mars bëhen dy vjet prejse – sikurse krejt shoqëria e institucionet e tjera – edhe ato të kulturës adaptohen në raport me masat kundër përhapjes së pandemisë.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se funksionimi duke shfrytëzuar 30 për qind të kapaciteteve nuk është praktikë e re.
“E kemi krijuar një përvojë dhe e kemi ‘trajnuar’ publikun tonë tradicional dhe ka mirëkuptim. Publiku lajmërohet dhe me e-mail formohet lista e publikut. Kur mbushet numri, ne e mbyllim pranimin e kërkesave për ta ndjekur koncertin”, ka thënë ai. Sipas Jasharit, ata që synojnë të sigurojnë një karrige në koncerte duhet të paraqesin edhe dëshminë e dy vaksinave kundër koronavirusit.
“Menjëherë të interesuarit e kanë dërguar edhe dëshminë dhe është treguar azhuritet i madh i publikut për t’i ndjekur koncertet. Ndoshta kur diçka është e kufizuar dhe e ndaluar është edhe më e kërkuar”, ka thënë ai duke komentuar interesimin për koncerte.
Sipas tij, e keqja e gjendjes së tanishme është se reduktohet numri i publikut në koncerte.
“Por, prapë më mirë 30 për qind sesa aspak. Sikur ta kishim sallën koncertale, 30-përqindëshi do të ishte shumë më i mirë sa i përket numrit të atyre që do të mund të ishin prezentë”, ka thënë ai.
Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” së fundmi e ka dërguar në pushim stafin profesional. Drejtori i përgjithshëm i “Shotës”, Shefqet Gjocaj, ka thënë se qenë tre-katër veta pozitivë. Sipas tij, në ushtrime e prova mundësia e shpërndarjes së virusit është e madhe.
“Pastaj kemi raste që i kanë familjarët e infektuar. Në shkurt kemi shumë punë. Andaj më mirë është të pushojmë këtë javë në mënyrë që të pamundësohet shpërndarja e virusit brenda ambienteve të ‘Shotës’”, ka thënë ai. “Shota” koncertin e radhës e ka më 17 shkurt, kur edhe kremtohet përvjetori i Pavarësisë së Kosovës. Do të luajë bashkë me Ansamblin e Valleve dhe Këngëve Popullore të Shqipërisë.
“Në situata të tilla punojmë me gjysmën e grupeve. Është vështirë të funksionojmë me këtë përqindje”, ka thënë ai.
Baleti Kombëtar i Kosovës është duke vazhduar punën. Sipas zëvendësuesit të drejtorit, balerinit Kreshnik Musolli, masat e reja e vështirësojnë situatën pasi po bëhet shumë kohë pa pasur mundësi të jepen shfaqje me 100 për qind të publikut në sallë, me gjithë interesimin tejet të lartë nga ana e audiencës.
“Në anën tjetër, jam i lumtur që kemi mundësi t’i vazhdojmë aktivitetet me këtë përqindje, sepse më e dëmshme për ne është të pezullohen aktivitetet në tërësi”, ka thënë ai. Ka treguar se të gjithë balerinët janë të vaksinuar dhe puna po ecën normalisht.
“Ne jemi dëshmitarë që çdo ditë mund të ndodhë që të infektohet dikush dhe nuk mund ta parandalosh këtë, mirëpo po bëjmë maksimumin që të mbrohemi e të ruajmë njeri-tjetrin me qëllim që puna të mos stopohet, sidomos tash që pas dy javësh fillojmë bashkëpunimin me pedagogun britanik David Peden”, ka thënë ai. Ka treguar se në fund të muajit shkurt fillojnë punën për premierën e parë të vitit 2022 me koreografin rus Konstantin Uralsky.
Paraprakisht institucionet e kulturës kanë funksionuar duke shfrytëzuar 50 për qind të hapësirave. Vendimit aktual do t’i përmbahen deri më 4 shkurt, kur pritet që akti administrativ të rishikohet nga Qeveria. Përfillës të përpiktë të vendimeve në raport me pandeminë janë Filharmonia e Kosovës dhe teatri i qytetit të Prishtinës, “Dodona”. Institucionet e tjera nuk e kanë respektuar asnjëherë në tërësi përqindjen e pranisë së publikut.
Institucioneve të kulturës u ishin pezulluar aktivitetet më 13 mars të vitit 2020, kur u regjistruan edhe rastet e para me koronavirus në Kosovë. Muzeve dhe galerive u ishte lejuar puna prej 18 majit, kur shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Teatrot dhe kinematë kishin qëndruar të mbyllura deri në fund të shtatorit. Bile, në fillim të shtatorit qendra “Multimedia” kishte organizuar një peticion nëpërmjet të të cilit kërkohej hapja e teatrove.
Jeta kulturore është goditur nga pandemia sikurse edhe fushat e tjera. Shteti ia ka dalë që në fund të vitit 2020 të ndihmojë një pjesë të artistëve individualë. Në marsin e 2021-shit qe ndarë edhe një tjetër shumë mjetesh. Qeveria e Kosovës ia kishte ndarë Ministrisë së Kulturës edhe 500 mijë euro nga Programi për rimëkëmbje ekonomike. 300 mijë ishin për subvencione dhe transfere për kulturën, kurse 200 mijë për subvencione në trashëgimi kulturore. E gjatë verës Qeveria iu ishte kthyer prapë kërkesave që të ndihmohet arti në pandemi. Ministria e Kulturës kishte vënë 1 milion e 710 mijë euro në dispozicion të projekteve kulturore, artistike dhe atyre të trashëgimisë kulturore. Janë financuar projekte të ndryshme për individë e organizata nëpërmjet këtyre mjeteve. Ndihmë tjetër ishte llogaritur edhe blerja e veprave të artit me 247 mijë euro, por ky proces qe anuluar në fund të vitit të kaluar. Për mbështetje të teatrove të qyteteve qenë paraparë 225 mijë euro, kurse për mbështetje të bibliotekave komunale 108 mijë euro dhe për mbështetjen e muzeve komunalë 210 mijë euro.