Kulturë

Masat kundër koronavirusit lejojnë e pamundësojnë aktivitetet kulturore

Në mbledhjen e së hënës Qeveria ka vendosur që vendi të ketë një mbyllje të pjesshme. Në një periudhë kohore nuk do të ketë as lëvizje të njerëzve. Institucioneve të kulturës u është krijuar një mundësi që të punojnë, por nëpërmjet disa pikave të tjera të vendimit të së hënës, në të tjera raste, u është pamundësuar puna. Disa aktivitete tashmë kanë nisur të anulohen

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit kanë shkaktuar paqartësi te institucionet e kulturës. Ka edhe raste ku janë pamundësuar puna e prezantimi para publikut. Filharmonia e Kosovës ka anuluar koncertin e Korit që ishte planifikuar të mbahej të mërkurën e kësaj jave. Teatri Kombëtar i Kosovës ende nuk e ka të qartë se si do ta vazhdojë punën, kurse në këtë situatë edhe rrjeti i kinemave “Cineplexx”.

Në mbledhjen e së hënës Qeveria ka vendosur që vendi të ketë një mbyllje më të ashpër. Në një periudhë kohore nuk do të ketë as lëvizje të njerëzve. Institucioneve të kulturës u është krijuar një mundësi që të punojnë, por nëpërmjet disa pikave të tjera të vendimit të së hënës në disa raste është pamundësuar puna.

“Institucionet vartëse të MKRS-së dhe të komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme) lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 21:00, duke shfrytëzuar deri në 20 për qind të hapësirës/sipërfaqes së objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime)”, shkruhet në pikën 34 të vendimit të Qeverisë.

Kori i Filharmonisë së Kosovës planifikonte koncert për të mërkurën e kësaj jave. Deri të hënën aktivitetet mund të mbaheshin duke shfrytëzuar deri në 40 për qind të hapësirave. Por vetëm Kori numëron 48 veta pa llogaritur dirigjentin dhe ndonjë instrumentist eventual. Në anën tjetër po me vendim të Qeverisë janë ndaluar tubimet me mbi 10 veta.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se me 20 për qind të hapësirës ata nuk mund të mbajnë koncerte.

“Duhet ta sqarojmë më shumë këtë punën e përqindjeve. E kemi të pamundur që të zhvillojmë aktivitet. Dy njësitë kanë nga 50 veta. Janë të pamundura edhe provat e aq më pak prezantimi para publikut. Do të punojmë me grupe të vogla që ta mbajmë trendin e punës”, ka thënë Jashari. Masat e reja do të jenë në fuqi deri në ditën e 18-të të këtij muaji. Jashari ka thënë se shpresojnë që pas kësaj date të ketë zbutje të masave në mënyrë që të zhvillojnë aktivitetet.

Adrian Morina, i cili si aktor rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës ushtron edhe detyrën e udhëheqësit artistik të këtij institucioni, ka thënë se vendimi i Qeverisë “është pak i paqartë”.

“Në një pikë thuhet se lejohen tubimet deri në 10 persona, ndërsa te pika 34 flet për teatrot dhe institucionet e MKRS-së se mund të mbajnë prova dhe shfaqje me 20 për qind të kapaciteteve”, ka thënë ai. Sipas Morinës, kësisoj i bie që në sallë të vogël të lejohen 12 persona, kurse në të madhen vetëm 60. “Kjo bie ndesh me të drejtën e grumbullimit pasi lejohen vetëm 10 persona. Andaj do të kërkojmë sqarim shtesë dhe pastaj të marrim vendim”, ka thënë ai. Sipas tij, kufizimet e deritashme e kanë dëmtuar shumë jetën kulturore në vend, por jetët e njerëzve janë më të vlefshme se gjithçka tjetër.

Sipas vendimit të Qeverisë qendrat e mbyllura tregtare nuk lejohet të punojnë, pos dyqaneve ushqimore dhe farmacive brenda tyre.

Në anën tjetër kinemave u lejohet puna. “Cineplexx” funksionon brenda qendrave tregtare në Prishtinë dhe Prizren.

Menaxheri i komunikimit në “Cineplexx”, Dëfrim Puka, ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim se si do të veprohet në ditët vijuese.

I vetmi institucion i cili e ka të sigurt se do ta vazhdojë punën është Baleti Kombëtar i Kosovës. Ushtruesi i detyrës së drejtorit, balerini Kreshnik Musolli, ka thënë se do të japin shfaqje me nga 60 persona në sallë.

“Do ta vazhdojmë punën. Më datën 15 kemi premierë. Më mirë të vazhdojmë me nga 60 veta në sallë sesa fare”, ka thënë ai. Edhe për Musollin vendimi ka paqartësi.

“Aty thuhet se të gjitha veprimtaritë brenda qendrave tregtare duhet të mbyllen, ndërsa në anën tjetër thuhet se kinematë lejohen të punojnë me kapacitet deri në 20 për qind. Jemi duke pritur përgjigje konkrete prej Ministrisë së Shëndetësisë se a mund të punojmë apo duhet të mbyllemi përkohësisht”, ka thënë ai.

E sipas Ministrisë së Kulturës për gjithçka do të veprohet në koordinim me institucionet vartëse dhe ato të shëndetit publik.

“Do të përpiqemi pa dyshim që të mos dëmtohen planet e aktiviteteve, programet e tyre kulturore, gjithmonë duke i përshtatur ato me rrethanat e krijuara dhe me vendimet e institucioneve publike, të cilat natyrisht vlejnë për të gjithë”, ka thënë të dielën Qerim Ondozi, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Institucioneve të kulturës u ishin pezulluar aktivitetet më 13 mars të vitit të kaluar, kur u regjistruan edhe rastet e para me koronavirus në Kosovë. Muzeve dhe galerive u ishte lejuar puna prej 18 majit, kur shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Teatrot dhe kinematë kishin qëndruar të mbyllura deri në fund të shtatorit. Bile, në fillim të shtatorit qendra “Multimedia” kishte organizuar një peticion nëpërmjet të cilit kërkohej hapja e teatrove.

Jeta kulturore është goditur nga pandemia sikurse edhe fushat e tjera. Shteti ia ka dalë që në fund të vitit të kaluar të ndihmojë një pjesë të artistëve individualë. Në marsin e sivjetmë është ndarë edhe një tjetër shumë mjetesh. Qeveria e Kosovës ia ka ndarë Ministrisë së Kulturës edhe 500 mijë euro nga Programi për rimëkëmbje ekonomike. Sipas vendimit të ekzekutivit, 300 mijë do të jenë për subvencione dhe transfere për kulturën, kurse 200 mijë për subvencione në trashëgimi kulturore. Me pjesën e parë, institucioni më i lartë kulturor në vend do të shlyejë obligime të konkursit për projekte kulturore për individë në kuadër të Programit për rimëkëmbje që ishte hapur vitin e kaluar. E me 200 mijë të tjera pritet të hapet një konkurs për organizata dhe individë për projekte në trashëgimi kulturore. Edhe ky konkurs do të jetë në kuadër të Programit për rimëkëmbje ekonomike. Por një pjesë e atyre që ka vite që janë akterë në këto dy fusha, konstatojnë se MKRS-ja është duke punuar pa kurrfarë analize dhe pa ndonjë plan.