Kulturë

Maestroja Vladar i skenave botërore sfidon kushtet në Prishtinë

Është emër i shquar skenash elitare, e në Prishtinë ka lënë në plan të dytë kushtet e sallës. Stefan Vladar ka ndarë me publikun në Prishtinë mjeshtërinë e virtuozitetin e tij. I jashtëzakonshëm, ka qenë vetëm njëri prej cilësimeve për interpretimin e tij, përderisa publiku e ka rikthyer disa herë në skenë. Me personalitete si Vladari, kryeqyteti bëhet qendër artistësh botërorë, por mbetet larg kushteve që ua ofron për interpretim

Mungesa e një salle koncertale në Kosovë u shpërfaq edhe një herë në koncertin e tetë të “Chopin Piano Fest”. Por, skena jo e denjë për artistë të rangut botëror, nuk ka paraqitur problem derisa asaj iu shtua edhe prishja e kondicionerëve në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. Me gjithë kushtet për të mbajtur koncert, pianisti austriak, Stefan Vladar, doli dhe u ngjit në skenë bashkë me duartrokitjet e publikut që e kanë shoqëruar derisa ka zënë vend para pianos.

Koncertin e hapi me veprat e bashkëkombësit të tij, kompozitorit austriak, Joseph Haydn. Mjeshtërinë në piano e shpërfaq sapo fillon t’i nxjerrë tingujt nga instrumenti në të cilin filloi të luajë që nga mosha gjashtëvjeçare. Me epitetin si mjeshtër i interpretimit në piano, 57-vjeçari është paraqitur në gjithë botën, ndërsa para publikut në Kosovë është kthyer për të dytën herë me “Chopin Piano Fest”.

“Isha shumë entuziast të performoj në Kosovë. Kjo është hera e dytë për mua para publikut kosovar, ku kam luajtur veprat e Haydenit, Beethowenit dhe Schubertit”, ka thënë Vladar. Nuk ka pasur mundësi ta ndjekë festivalin nga afër, por që e ka parë në rrjetet sociale. Megjithatë, festivalin e vlerëson si të mirë dhe si potencial për artistët e rinj.

Mosfunksionimi i kondicionerëve u shpërfaqet edhe më, kur pianisti nisi të performojë. Sapo përfundoi recitalin, Vladar zgjati dorën të mbërrijë shaminë mbi piano, hoqi syzet i fshiu djersët në gjithë fytyrën. Publikut i dha paksa hapësirë për duartrokitje të cilat i ka ndërprerë vetë pianisti.

Image
Me epitetin si mjeshtër i interpretimit në piano, Vladar është paraqitur në të gjithë botën, ndërsa para publikut në Kosovë është kthyer për të dytën herë

“Vetëm një moment”, i është drejtuar publikut, me buzëqeshje u është kthyer testeve bardhezi.

“Ishte vapë, u zgjova në orën katër të mëngjesit për të marrë aeroplanin nga Hamburgu, jam pak i lodhur, por është në rregull”, ka thënë ai. Pianisti austriak ka luajtur edhe “Sonatën në F-mol, op, 57” të Beethovenn teksa koncertin e ka nisur me kompozitorët austriakë, Joseph Haydn (Andante con variazioni in F-mol, Hob.XII/6) për ta përmbyllur me Franz Schubertin (Sonate B-Dur D960).

Salla ka qenë plot e ka pasur edhe ulëse shtesë.

“Stefan Vlader është një pianist i jashtëzakonshëm. Neve na vjen shumë keq që ai nuk koncerton me kushte shumë të mira siç është mësuar të ketë në salla të ndryshme, megjithatë publiku është shumë i interesuar dhe vlerësues për performancën e tij. Salla është kjo që kemi, është pak nxehtë, këto janë rrethanat në të cilat ne po sjellim emra kaq të mëdhenj”, ka thënë drejtoresha organizative e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha, duke shtuar se shpreson që sa më shpejt kryeqyteti të bëhet me sallë koncertale që, sipas saj, performancat të organizohen në kushte të dinjitetshme për artistët e ardhshëm që do të jenë pjesë e festivalit.

Çdo mbrëmje e edicionit të 12-të të festivalit ka mbledhur numër të madh të njerëzve në publik, që sipas Luzhës, Prishtina po bëhet qendër kulturore në rajon dhe tërheq vëmendjen e artistëve dhe festivaleve të tjera.

“Vërtet Prishtina ngadalë po bëhet një qendër kulturore, ku festivalet e tjera po na shkruajnë, kanë dëshirë të bashkëpunojnë, pianistët kanë dëshirë të marrin pjesë, kemi mundësi të jemi qendër kulturore në rajon, paralelisht me qendrat e tjera”, ka thënë Luzha.

Përfundimi i pjesës së parë të koncertit, të mërkurën mbrëma, vuri në pah vlerësimin e publikut për artistin, të cilin e kthyen në skenë edhe njëherë duartrokitjet e publikut, sikur e kthyen edhe në përfundim të gjithë koncertit. Dritat ndizen sapo i vendos notat e fundit në recitalin e tij, e publiku papritmas është kthyer nga zhytja në tingujt e pianos. Publiku i ka vazhduar duartrokitjet për ta kthyer Vladarin sërish në skenë.

“Kjo është praktikë e përbashkët për të luajtur për njerëzit që janë shumë entuziastë, është për publikun që ishte i pranishëm të ndjekë performancën time”, ka thënë ai.

Image
Salla ka qenë plot e ka pasur edhe ulëse shtesë, përkundër vapës që ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të kondicionerëve

Në njërën nga ulëset në rendin e parë të publikut zuri vend ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

“Ky është sukses i madh. Ne si ambasadë jemi shumë të kënaqur të mbështesim pianistin e famshëm në botë, Stefan Vladar. Artistët që performuan në edicionin e dymbëdhjetë të festivalit ishin padyshim fantastikë. Kam ndjekur pothuajse secilin koncert të festivalit dhe performancat ishin jashtëzakonisht kualitative”, ka thënë ambasadori Weidinger.

Si pianist, dirigjent, udhëheqës e drejtues i institucioneve më me zë të muzikës klasike, në Austri e jashtë saj, publiku nga afër dëgjoi paletën e pasur të tingullit pianistik të artistit virtuoz. Në mesin e publikut kishte edhe studentë të Fakultetit të Arteve, përkatësisht degës së Muzikës. “Besoj se sonte ka përfituar i gjithë publiku i gjerë, por më së shumti studentët e Fakultetit të Arteve që kanë pasur mundësinë të dëgjojnë një pianist të jashtëzakonshëm. Jemi shumë të kënaqur dhe shpresoj që kaq shumë publik të ketë deri në fund. Kishte jashtëzakonisht shumë interesim, në çdo koncert ka njerëz të rinj që vijnë të dëgjojnë muzikë klasike të nivelit të lartë”, ka thënë drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, e cila po ashtu drejton Asociacionin Kosovar “Chopin”. Për të janë shumë me rëndësi kultivimi i shijes dhe interesimi i publikut për muzikën klasike.

Stefan Vladar është një nga personalitetet më të shquara muzikore të Austrisë. Ai performon rregullisht si dirigjent dhe pianist në qendrat muzikore në të gjithë Evropën, Amerikë dhe Azi. U emërua kryedirigjent dhe drejtor artistik i Orkestrës Kamertale të Vjenës në vitin 2008, ndërsa gjatë viteve 2015 dhe 2016 drejtoi Orkestrën Simfonike Shtetërore të Moskës, si dhe orkestrat e tjera simfonike si: të Portlandit, Bankokut, Kajros dhe Orkestrën “Tsyphomphonyskys” të Moskës. Si pianist koncertesh, performoi me Orkestrën Simfonike të Radios së Pragës dhe “Sudwestdeutsche Philarmonie Konstanz”, ndërsa dha recitale solo në Vjenë, Zagreb, Münich dhe Budapest.

Si dirigjent, Stefan Vladar ka udhëhequr Orkestrën Simfonike të Vjenës “Camerata Salzburg”, si dhe orkestrat e tjera “Bamberg”, “Tschaikowsky” në Moskë, Filarmoninë e Stutgartit, Orkestrën Kamertale “Bambere” në Pragë e Zürich e të tjera. Për 20 vjet me radhë është drejtor artistik i “Neuberger Kulturtage”, ndërsa diskografia e tij përfshin më shumë se 30 publikime për produksione të ndryshme, ku dokumentohet puna e tij si pianist dhe si dirigjent me veprat e Haydenit, Schubertit, Schummanit, Chopinit, Prokofievit dhe Scriabinit.