Kulturë

“Lumturi Blloshmi. Nga e para” sjell metamorfozën e artistes dhe të sistemit

Katër dekada krijimtari të artistes Lumturi Blloshmi do të shpërfaqen në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ekspozita retrospektive “Lumturi Blloshmi. Nga e para” ofron përvojat personale e kontekstin shoqëror nëpër të cilat do të kalonte vendi. Peizazhi i viteve nën regjim, eksodi i viteve ’90 e transicioni politik janë prej imazheve që vizualizohen nëpërmjet veprave të Blloshmit. Me ekspozitën që hapet në fund të javës që vjen, programi i Galerisë Kombëtare të Artit bëhet vazhdimësi e prezantimit të punës së artisteve që lanë gjurmë në artin shqiptar.

Janë bërë më shumë se dy muaj prej kur institucioni shtetëror i artit pamor u bëri vend më shumë se njëqind veprave të artistes shumëdimensionale Violeta Xhaferi. Krijimtaria e një gjysmëshekulli, ndër të tjera, sillte kontributin artistik në artin pamor, në kinematografi e në skenën teatrore. U rikthyen veprat e të parës artiste grua që kishte ekspozuar aty. Lumturie Blloshmi është tjetra artiste e cila solli frymë të re në artin shqiptar në Shqipëri. Madje vitin e kaluar la gjurmë si artistja e parë grua së cilës iu prezantuan veprat në pavijonin shtetëror të Shqipërisë në Bienalen e Venecias. Ishin gjithsej 10 vepra të saj.

Sikurse vjen nga emri, ekspozita përfshin krijimtarinë që nga fillimi i karrierës së saj si artiste. Në komunikatën e GKK-së bëhet e ditur se aty përfshihen punë të mediumeve të ndryshme.

“Ekspozita përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet '60 deri në vitet 2000, dhe përfshin autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi e instalacione që flasin për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, po aq sa flasin dhe për kontekstin specifik politik dhe social në të cilin u krijuan”, shkruhet në komunikatë.

Nga Galeria është bërë e ditur se do të prezantohen edhe vepra që nuk janë shfaqur më parë dhe se ekspozita ka për qëllim “të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumëpërmasore dhe metamorfozën individuale të Blloshmit”. Nëpërmjet saj synohet të promovohet më tej krijimtaria e artistes Lumturi Blloshmi, e cila vdiq dy vjet më parë si pasojë e pandemisë, në moshën 76-vjeçare.

Veprat e Blloshmit të eksploruara në mediume të ndryshme reflektojnë realitetin e kohës në të cilën ajo kaloi. Në ekspozitën që do të hapet në GKK më 1 shtator veprimtaria e saj unike do të shfaqet në rend kronologjik, duke nxjerrë në pah autoportrete të shumta në të cilat shpërfaqen përvojat e saj personale. Gjithashtu përfshihen edhe tematika sociale ku artistja kishte shprehur nëpërmjet artit ngjarjet që kishin ndodhur. Pos situatës nën regjim, eksodit e transicionit politik, bëhet e ditur se në ekspozitë publiku do të mund të gjurmojë në interesimin e saj për aspektet filozofike dhe shpirtërore.

Lumturi Blloshmi u lind në vitin 1944 në Tiranë. Babai i saj ishte oficer i Qeverisë së Mbretit Zog I dhe u ekzekutua nga komunistët kur Blloshmi ishte vetëm dymuajshe. Kur ishte pesë vjeçe ajo humbi dëgjimin pas një infeksioni me meningjit. Blloshmi u diplomua në Degën e Pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968. Për shkak të biografisë familjare nuk doli edhe aq në pah gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.

Sipas biografisë së saj, në vitin 1973 u bë pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por veç një vit më pas e deri më 1984 i ishte hequr leja krijuese duke iu ndaluar të ekspozojë dhe vazhdojë praktikën e saj krijuese. Deri në vitin 2004 kishte punuar në disa institucione, ndër të cilat në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.

Ekspozitën e saj të parë personale e hapi në vitin 1988 në Berat. Pas viteve ’90 ajo shquhet si një nga artistet më të mira bashkëkohore në artin pamor shqiptar. Vlerësohet se praktika e saj mes artit modern dhe atij bashkëkohor është një sintezë e instalacionit, fotografisë, vizatimit dhe pikturës. Punimet e saj janë shfaqur ndër të tjera në ekspozita në grup dhe ato personale në institucione, si në Muzeun e Artit në Chelsea e atë në New York, në Galerinë Komunale të Arteve në Bydgoszcz të Polonisë, në Bienalen e Aleksandrisë për Vendet e Mesdheut në Egjipt e në Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.

Ndonëse e shkëputur fizikisht me publikun prej më shumë se tre vjetësh, publiku njoftohet me shpirtin e saj krijues nëpërmjet veprave të saj prej 1 shtator deri më 15 tetor, sa do të qëndrojë e hapur ekspozita “Lumturi Blloshmi. Nga e para”.

Ekspozita është kuruar nga Adela Demetja. Në edicionin veror të emisionit “Express” në KTV, Demetja e ka vlerësuar artisten Blloshmi si artiste që ka guxuar të ndryshojë.

“Artistja është rast i veçantë brenda historisë së artit pasi nuk ka qenë e përfaqësuar. Në kohën e realizmit socialist ka arritur të mbajë fshehur disa punë të saj”, ka thënë ajo derisa ka treguar se janë munduar të trajtojnë dhe ta përfaqësojnë punën e saj si tejet individuale.

“Puna e saj ka qenë tepër eksperimentale në kohën kur punonte dhe ajo nuk është përfaqësuar ashtu siç duhet. Mendoj se me atë të punës së saj ne tregojmë se si një individ brenda realitetit artistik mund të ngrejë universin e tij të të kuptuarit”, ka thënë kuratorja Demetja për punën e artistes Blloshmi.

Demetja, që ishte edhe kuratore e Pavijonit Shqiptar në Bienalen e 59-të të Venecias, ka treguar se edhe ekspozita me veprat e Blloshmit që ishte hapur atje mbante të njëjtin titull. Ka thënë se për dallim nga prezantimi në Venecia, në Prishtinë ekspozita vjen më e detajuar. “Në Prishtinë kemi fatin ta prezantojmë artisten të zgjeruar, duke qenë se Galeria ka një hapësirë shumë më të madhe se ai i Pavijonit Shqiptar në Venecia dhe ndiqet në mënyrë kronologjike udhëtimi artistik i Lumturi Blloshmit dhe karriera e saj 50-vjeçare. Kemi punë që datojnë nga viti 1962, pra një nga autoportretet e para”, ka thënë ajo.

Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, ka thënë se është hera e parë që po prezantohet kaq e zgjeruar puna e Blloshmit. Ekspozitën e ka vlerësuar si mundësi për të hapur diskutimin për dallimet artistike dhe për krijimin e praktikave artistike në Kosovë e Shqipëri.

“E kemi nderin si institucion që të jemi nikoqir të kësaj ekspozite retrospektive. Është hera e parë që po prezantohet një numër kaq i madh i veprave në një hapësirë kështu. Është mundësi e parë për të parë punën e Blloshmit në kontekst të Kosovës, por edhe në rajon. Mendoj se e pasuron shumë programin e Galerisë sivjet dhe është në vazhdën e qëllimeve tona për të prezantuar artistë të cilët nuk kanë qenë pjesë e programit më herë ose edhe për të rimenduar histori të artit të cilat janë diskutuar në diskursin akademik e më gjerë”, ka thënë Halilaj.

Veprat e artistes Lumturi Blloshmi ishin ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës edhe në fillim të vitit 2016, kur kishin prezantuar një çerek shekulli të punës së saj. Me anë të fotografive kishte përfshirë edhe portretet e figurave politike shqiptare. Përmes fotografive të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ’90, ajo përcillte mesazhe të forta artistike dhe sociale.

Dy vjet më parë, më 30 prill të 2021-s, ishte hapur ekspozita grupore “Synime” ku, ndër të tjera, përfshiheshin edhe veprat e Blloshmit. Ndër të tjera, ekspozita përfshinte edhe veprat e Violeta Xhaferit, Lirije Bulliqit, Flaka Halitit, Brigita Antonit, Alma Bakiajt, Blerta Hoçias, Majlinda Hoxhës, Shpresa Faqti, Fitore Isufit e Ledia Kostandinit. E kishte kuruar Adela Demetja me Erëmirë Krasniqin.