Rrugëtimi prej 122 kilometrash prej burimit në Radavc të Pejës e deri në Kukës, ku Drini i Bardhë bashkohet me Drinin e Zi, sjell përplot imazhe si koleksion historish brenda Drinit. Së shpejti ato do të nisin të realizohen dhe t’i sillen publikut edhe në formë të dokumentarit. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës kanë zënë vend 18 fotografi të projektit të fotografit Ferdi Limani për të dokumentuar gjendjen e lumit. Ato janë veç një mostër minore e punës së tij në këtë drejtim. Siç ka bërë të ditur vetë autori, as pesë për qind e fotografive nuk janë të ekspozuara
Ekspozita me fotografi “Lumi Drini” e Ferdi Limanit sjell udhëtimin përgjatë gjithë lumit më të gjatë në vend. Në rrugëtimin e tij fotoaparati bëhet mjet dokumentimi për ndotjen dhe dëmtimin e lumit. Rrugëtimi prej 122 kilometrash prej burimit në Radavc të Pejës e deri në Kukës, ku Drini i Bardhë bashkohet me Drinin e Zi, sjell përplot imazhe si koleksion historish brenda Drinit. Së shpejti ato do të nisin të realizohen dhe t’i sillen publikut edhe në formë të dokumentarit.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës kanë zënë vend 18 fotografi të projektit të fotografit Ferdi Limani për të dokumentuar gjendjen e lumit. Ato janë veç një mostër minore e punës së tij në këtë drejtim. Siç ka bërë të ditur vetë autori, as pesë për qind e fotografive nuk janë të ekspozuara.
Në njërën fotografi ka shkrepur një burrë tek peshkon në brigjet e lumit në fshatin Rakovinë të Gjakovës, derisa në një tjetër është një banor i fshatit Ruhot të Pejës derisa tregon ujërat e pastra në të cilët dikur notonte, siç shpjegohet në përshkrimin e fotografisë. Fotografitë tregojnë edhe botën e gjallë në lumë e një tjetër paraqet një kërcyes që hidhet nga Ura e Shenjtë gjatë garave tradicionale të kërcimit.
Fotografitë tregojnë gjithashtu se si uji i lumit shërben për të pastruar thasë plastike. Në Çifllak të Rahovecit, Limani ka shkrepur fotografinë e një mjeti të rëndë pune duke nxjerrë zhavorr nga një fushë pranë lumit Drini. Në një tjetër shihet një veturë e hedhur në lumë sikurse edhe drunjtë e prerë të hedhur në ujërat e lumit dhe copa të mëdha betoni të hedhura në shtratin e lumit pranë një deponie ilegale të mbeturinave. Në përshkrimin e fotografisë thuhet të jetë në afërsi të fshatit Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës. Në një tjetër deponi, në Rakovinë të Gjakovës, ato madje digjen derisa po aty një kamion po mbushej me rërë të lumit. Njëjtë shihet se ngjan edhe në disa vende të tjera të cilat i përshkon lumi Drini.
Imazhet e ekspozitës janë në bardhezi si zgjedhje e autorit për të theksuar bukurinë dhe peizazhin e hapësirave që përshkohen nga lumi. Me këtë sikur e zbeh shumëngjyrësinë e ndotjes dhe i japin jehonë natyrës.
Fotografi Ferdi Limani ka thënë se “Lumi Drini” është një projekt afatgjatë dhe se me anë të saj ka pasur për qëllim të dokumentojë ndotjen e hapësirës së tij. Ka treguar se do të nisë realizimin e të njëjtit projekt, por kësaj here me kamerë.
“Secila fotografi ka koordinatat gjeografike dhe janë të paraqitura në website. Tash do të vazhdohet në të njëjtën mënyrë. Edhe pse është përfunduar projekti në një fazë prej burimit deri në Kukës, ku Drini i Bardhë bashkohet me Drinin e Zi, prapë do të jetë edhe një udhëtim tjetër prej fillimit, por kësaj here me një kamerë, ku do të bëhet një film dokumentar”, ka thënë Limani derisa ka bërë të ditur se xhirimet do të nisin sa të freskohet koha.
Fotografitë në bardhezi ka thënë se janë praktikë e punës së tij, porse i shkojnë për shtati veçanërisht tematikës së ekspozitës. “Punët personale i realizoj në bardhezi dhe ishte e pritur që një punë të tillë afatgjate, dokumentare nëse do ta bëja, do ta bëja bardhezi. Njëkohësisht nuk desha të hasja në pengesa për shikuesin, sepse në këtë mënyrë e shohin gjendjen e drejtpërdrejtë se si është”, ka thënë fotografi Limani.
Ekspozita ishte hapur vitin e kaluar në fshatin Gjonaj me idenë që publiku të mund të sodiste lumin dhe ekspozitën në të njëjtën kohë. Para të pranishmëve ai ka treguar se realizimi i ekspozitës kishte nisur si dëshirë për një punë patriotike. “Kërkova një pikë se si mund ta bëja këtë dhe ku, duke parë gjendjen e lumenjve dhe ambientit në përgjithësi, mendova se mënyra më e drejtpërdrejtë për ta paraqitur gjendjen është nëpërmjet Drinit”, ka thënë Limani.
Ai u lind më 1982 në Prizren. Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Fotoist” ka shkruar se në fund të viteve ‘90 ai e kishte kuptuar rëndësinë e dokumentimit të historisë. Pas studimeve të gazetarisë ai kishte filluar të punonte për gazetat e përditshme në Kosovë dhe kishte bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
Puna e tij kulmoi kur ai u ngarkua nga Qeveria e Kosovës për të dokumentuar shpalljen e Pavarësisë. Ai prodhoi punë për media të ndryshme franceze dhe ndërkombëtare në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Ballkan. Përveç punës së tij të pavarur, ai është një kontribuues në “Getty Images”.
Drejtori i festivalit “Fotoist”, fotografi Burim Myftiu, ka thënë se autori e ka realizuar ekspozitën me pasion për ta ruajtur peizazhin e lumit. “Lumi Drini është lumi më i madh dhe është në rrezik që për një kohë të shkurtër të ndotet aq shumë sa të ketë rrezik që të jetë i papërdorshëm dhe të mos ketë më peshë pasi ndotja është masive. Ferdi nisi një projekt me dëshirën e vullnetin e tij që të ndikojë sado pak që ky fenomen të mbrohet dhe alarmohet”, ka thënë Myftiu në ngjarjen përmbyllëse të edicionit të parë.
Pos ekspozitës, Myftiu e ka vlerësuar punën e Limanit në përgjithësi duke e konsideruar tejet të përkushtuar. E ka cilësuar si fotograf serioz e prej më të kompletuarve në vend. “Punën e Ferdit e bën të veçantë përkushtimi. Ai është i përkushtuar në punën e tij. Kur e fillon një projekt, e punon me zemër, me dashuri. Ai ka pasion për fotografinë, ka frymëzim, nuk e bën vetëm sa për të bërë një fotografi. Këto fotografi mund të mos jenë të bukura pasi kanë tematika të ndryshme, por e ka fuqinë e saj që flet shumë, prandaj kontributi i tij për këtë vend është një akt patriotik”, ka thënë fotografi Myftiu.
Fotografi Nurkollari ka thënë se ekspozita është prej më të mirave të Festivalit. “Nga njëra anë është ekspozitë e një fotografi që është nga Kosova dhe nga ana tjetër që trajton një problematikë shumë të rëndësishme, që është ndotja e ambientit. E gjithë kjo tregohet përmes ndotjes së ujit të lumit Drini. Mendoj se është projekt shumë i rëndësishëm, do të doja shumë që kjo ekspozitë të ketë jehonë sa më të madhe që vetëdija për ndotjen gjithëpërfshirëse të jetë sa më e madhe”, ka thënë ai.
Ekspozita “Lumi Drini” që vjen si ekspeditë vizuale do të qëndrojë e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për një javë.