Kulturë

“Lumbardhi” synon arkivimin e kujtesës së mërgatës

Fondacioni “Lumbardhi” synon të pasurojë më tej “Arkivin Publik” me ato që konsiderohen si artefakte pamore e materiale. Fokus kanë periudhën e paraluftës dhe jo vetëm. Mbledhja e materialeve arkivore nëpërmjet të cilave do të shpalosej ruajtja e kulturës e traditës shqiptare e familjeve që jetojnë e veprojnë larg vendit është target i “Kampit të Kujtesës Diasporike”. Punëtoria për arkivim dhe digjitalizim zhvillohet në qytetin e Prizrenit.

Prej nëntorit të vitit 2021, fondacioni “Lumbardhi” e kishte bërë publik programin kërkimor “Arkivi Publik” që ka për qëllim zhvillimin e një koleksioni digjital të materialeve që dokumentojnë kujtesën kolektive. Kjo synohej përmes koleksionuesve privatë, fotografëve, artistëve dhe qytetarëve. Materialet e këtyre të fundit synon t’i sigurojë nëpërmjet punëtorisë në të cilën ftohen të rinjtë nga diaspora, pos për të kontribuar në program, edhe për të përmirësuar aftësitë kërkimore dhe interpretuese.

Nga “Lumbardhi” bëhet e ditur se në kuadër të punëtorisë “do të ofrohen ligjërata si prezantim dhe njohje me mocionet e arkivit dhe digjitalizimit, kujtesa kolektive, klasifikim dhe katalogim, interpretim. Përveç ligjëratave, studentët do të bëjnë punë praktike përmes së cilës do t’u mësojnë arkivimin, digjitalizimin e materialeve të llojeve dhe formateve të ndryshme, klasifikim dhe katalogim si dhe interpretimit të tyre”.

Qëllimi kryesor i punëtorisë është të ofrohet edukimi dhe njohuritë bazike për digjitalizimin dhe ruajtjen e materialeve personale që e pasurojnë kujtesën kolektive dhe lidhjen e tyre me Kosovën.

Koordinatorja e projektit, Fjolla Rabi, ka thënë se pritet të marrin pjesë 15 deri në 20 veta në këtë punëtori për tri ditë, prej datës 10 deri më 12 gusht. Pjesëmarrësit ftohen të sjellin materialet që i posedojnë në videokaseta, shirita negativë, fotografi, letra a dokumente të tjera për t’i digjitalizuar.

“Prej kohës së paraluftës dhe periudhës që mërgimtarët kanë dalë të jetojnë në vende të tjera, e dimë edhe prej historisë se shumica e gjërave gjatë luftës janë djegur. E vetmja gjë që ka mundur të mbesë kanë qenë fotografitë, ose videokasetat, nëse dikush i ka pasur me vete. Një gjë tjetër shumë e rëndësishme është edhe historia gojore, domethënë rrëfimi i tyre prej momentit kur e kanë lëshuar Kosovën dhe derisa janë ambientuar me vendin atje”, ka thënë Rabi, derisa i ka cilësuar materialet të vlefshme për të dokumentuar edhe mënyrën se si mërgimtarët kanë arritur të ruajnë kulturën e traditat shqiptare, ani pse jetojnë larg vendit.

Ajo ka bërë të ditur se platforma veçse është në proces të mbledhjes së materialit arkivor dhe se me publikimin e saj do të shërbejë edhe për hulumtime të ndryshme. “Kemi edhe arkiva private që i kemi marrë t’i digjitalizojnë. Në momentin që lansohet platforma, çdo individ do të mund të ketë qasje aty, qoftë edhe për ta përdorur për hulumtime të ndryshme shoqërore, kulturore, politike”, ka thënë Rabi. Të interesuarit për pjesëmarrje do të mund të aplikojnë deri më 7 gusht.

Ditë më parë, fondacioni “Lumbardhi” ka hapur thirrjen edhe për muzikantë dhe instrumentistë për punëtorinë “Ansambli Eksperimental i Lumbardhit”, që mbahet në shtatë ditët e para të gushtit. Aty pjesëmarrësit do të kenë mundësi të kompozojnë e interpretojnë muzikë eksperimentale e vepra finale është “kolona zanore” për dokumentarin “117” të Besim Sahatçiut, prodhim i vitit 1976 që sjell rrëfimin e familjes me 117 anëtarë nga fshati Nivokaz i Gjakovës.