Kulturë

“Lumbardhi” me “117 Resounding” harmonizon me muzikë dokumentarin ikonik

Një tjetër formë e shfaqjes së dokumentarit ka ngjarë në “DokuFest”. Derisa në kuadër të programit të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër po jepen filma për teknologjitë e fundit e efekte interesante, një orkestër e posaçme ka interpretuar muzikën e dokumentarit “117” të Besim Sahatçiut. “Ansambli Eksperimental i Lumbardhit” i udhëhequr nga kompozitori e muzikanti, Ilir Bajri, e ka përmbushur me emocione për nga ana e audios dokumentarin ikonik. Interpretimi i drejtpërdrejtë i muzikës e ka bërë dokumentarin një mozaik që takon kohën e sotme me gati një gjysmëshekulli më parë”.

Hapësira e gjerë e krejt “Bahçes” ka qenë e vogël për të akomoduar publikun të martën mbrëma. Ka qenë një lloj entuziazmi më i veçantë seç ngjan në shfaqjet e tjera në kuadër të Festivalit. Atë e ka bërë kureshtja për të parë atë që organizatorët e kanë quajtur si “117 Resounding”, duke i dhënë zë edhe një tjetër herë dokumentarit.

Me duartrokitje të gjata 22 anëtarët e Ansamblit kanë ngjitur në skenë, të pozicionuar nën ekranin, ku do të shfaqej pjesa vizuale. Testimet finale kanë qenë njëfarë introje bashkë me atë të Festivalit që e bën të ditur temën “I AM AI AM I”. Performanca e Ansamblit ka qenë si një lloj kundërpërgjigjeje. Për atë se çfarë mund të bëjë inteligjenca njerëzore, disa ditë pasi aty ishte vendosur një “mjet digjital” nëpërmjet të cilit, inteligjenca artificiale e hapi “DokuFestin”.

Dokumentari “117”, prodhim i “KosovaFilmit” me vetëm zërat natyrorë, tashmë po regjistronte edhe kolonën zanore. Derisa kryeplaku rrëfen për emrat e të porsalindurve që kanë çuar numrin e familjes në 117, pjesa përcillet me serinë e tingujve të harkorëve që herë pas here i ndajnë ata të pianos së Ilir Bajrit. Derisa kujton e përmend emrat e të porsalindurve, ndalesat e tij mbushen plot ritëm dinamizmi.

Anëtarët e kanë tashmë të vizualizuar çdo pamje. Kur në dokumentar jepen pamjet e goditjes me sëpatë në dru, vijojnë perkusionet. Nganjëherë ngjan në ritmet e muzikës jazz të lehtë te violonçelat, vazhdojnë të rrëfejnë një ngjarje dramatike derisa tregohet puna e grave në përgatitjen e ushqimit e pastrimit.

Tingujt e harkorëve dhe një trumbete janë konstantë. Nganjëherë ndërhyjnë edhe perkusionet derisa tingujt e harkorëve ndryshojnë melodi. Me ndërrimin e skenave ndryshojmë edhe ritmet.

Nëse shihet pa ndërhyrje mund të perceptohet veç një shpalosje e jetesës së kësaj familjeje nga fshati Nivokaz i Gjakovës në vitin 1976. Por muzika e kompleton dhe i jep tjetër perceptim dokumentarit. Pauzat tejet të shkurtra në muzikë nganjëherë shënojnë edhe fragmentet e dokumentarit.

Udhëheqësi i “Ansamblit Eksperimental të Lumbardhit”, kompozitori e jazz pianisti Ilir Bajri, e ka vlerësuar filmin si shumë inspirues dhe se kësisoj, kanë pasur mjaft material për ta imagjinuar e konstruktuar muzikën bashkë me instrumentistët. Fillimisht ishte dashur të krijohej harmonia në ansambël.

“Harmonia e muzikës është shumë e lidhur me harmoninë e ansamblit. Ne kemi punuar në fillim për ta krijuar atë, për të punuar me një qasje më pozitive, të kemi më shumë ndihmë për tjetrin. Për dy-tri ditë është krijuar ajo atmosferë dhe më pas krejt ato sfidat gjatë komponimit të muzikës dhe ndeshjet e stileve janë trajtuar pozitivisht, dhe prej pengesave të ndryshme janë kthyer në mundësi për të krijuar diçka edhe më interesante”, ka thënë Bajri, i cili ka treguar se për një javë kanë mbajtur prova nga gjashtë orë në ditë.

“Vazhdimisht kemi punuar duke shikuar filmin dhe mandej, prej asaj kemi mundur që anën vizuale ta kthejmë në metafora muzikore. Muzika është krijuar bashkërisht jo veç prej meje”, ka treguar Bajri.

Sipas tij, kjo praktikë e të interpretuarit muzikë përcjellëse për një projekt filmik është e shpeshtë në vende të tjera dhe se do të synojnë të sjellin edhe të tjera në skenën vendore. “Te ne ndodh më rrallë, por kjo praktikë është si formë e shprehjes artistike në vende të huaja përdoret më shpesh. Ka lloj-lloj variantesh nuk është vetëm kjo. Ideja është të mos ndalemi me këso projekte. Në vendin tonë ka shumë pak përkrahje për këto gjëra, por ideja është të mos ndalemi”, ka thënë kompozitori e muzikanti Bajri më tej.

Muajin e kaluar, fondacioni “Lumbardhi” kishte hapur thirrjen për muzikantë dhe instrumentistë për punëtorinë “Ansambli Eksperimental i Lumbardhit”, që ishte mbajtur në shtatë ditët e para të këtij muaji. Aty pjesëmarrësit kishin pasur mundësi të kompozojnë e interpretojnë muzikë eksperimentale për dokumentarin. Përfitim të njohurive dhe përmirësim të aftësive muzikore në mjedis dinamik dhe mbështetës kishte premtuar “Lumbardhi” për pjesëmarrësit që në fillim. E se kështu ka rezultuar është konfirmuar të martën mbrëma nga instrumentistët e rinj.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi marrë pjesë në këtë ansambël. Kemi mësuar shumë, ka qenë eksperiencë e jashtëzakonshme, pasi e kemi përjetuar bashkë me publikun atë ndjenjën të jemi në skenë dhe të japim për publikun. Duhet të përballësh frikën”, ka thënë Lirdina Kukaj e cila ka luajtur në violë derisa është shprehur se përvoja që kanë përvetësuar do të jetë produktive në karrierën e tyre. “Në këtë punëtori jemi munduar të shprehim emocionin që e ka shprehur vetë regjisori, por ne me anë të muzikës”, ka thënë ajo. Çellistja Gresa Broqi, ka thënë se kanë qenë në shërbim të filmit që sipas saj, ka ardhur si ndjenjë e pafundësisë. “Këtu jemi bërë bashkë për të bërë muzikë bashkë, për të dhënë ide dhe në fund ka qenë edhe produkti final që e kemi interpretuar me ndjenjën më njerëzore e më profesionale. Kemi dashur të përçojmë te njerëzit se çfarëdo që krijon nga shpirti është shumë e bukur. Bukuria e ndjenjës nuk ka fund, gjë që u vërejt edhe nga reagimet e publikut”, ka thënë ajo, derisa e ka vlerësuar gjithashtu të rëndësishëm punëtorinë e udhëhequr prej Bajrit. “Sa më shumë mëson gjëra të reja në jetë hapet shpirti, hapet truri. Është shumë e bukur, të gjithë duhet të mësojnë gjëra të reja”. Udhëheqësi i fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta kishte thënë se punëtoria është përgjigje e nevojave të muzikës në qytetin e Prizrenit.

“Mendoj se punëtori të tilla janë të vlefshme, pasi ka programe formale të edukimit, por kjo është një formë më eksperimentale, më e hapur. Në Prizren veçanërisht ka shumë më pak mundësi të tilla në muzikë. Është mundësi për të zhvilluar diapazone të reja dhe për të zhvilluar vizione të reja”, kishte thënë kur ishte hapur konkursi Shporta.

“117” i Besim Sahatçiut ishte vlerësuar nga kritika si “portret shpirtëror i kombit”. Vlerësohet se kishte shënuar një pikë kthese në kinematografinë dokumentare kosovare, duke prezantuar vlera të larta estetike të papara në historinë e filmit të Kosovës.