Kulturë

“Lumbardhi” akordohet për muzikën e “117”-shit të jetës së viteve ‘70

Fondacioni “Lumbardhi” ka hapur thirrjen për muzikantë dhe instrumentistë për punëtorinë “Ansambli Eksperimental i Lumbardhit”, që mbahet në shtatë ditët e para të gushtit. Aty pjesëmarrësit do të kenë mundësi të kompozojnë e interpretojnë muzikë eksperimentale e vepra finale është “kolona zanore” për dokumentarin “117” të Besim Sahatçiut, prodhim i vitit 1976 që sjell rrëfimin e familjes me 117 anëtarë

“Ansambli Eksperimental i Lumbardhit” do ta pajisë dokumentarin “117” të Besim Sahatçiut me një lloj “kolone zanore”. Rezultati final pritet të jetë muzika origjinale për dokumentarin e vitit 1976, që dokumenton jetën rurale të asaj kohe. Udhëhequr prej pianistit e kompozitorit Ilir Bajri, deri në 15 muzikantë synojnë t’i përgjigjen dokumentarit me muzikë eksperimentale.

Versioni final është bërë e ditur se do të shfaqet më 8 gusht në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, në kuadër të programit të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”.

Fondacioni “Lumbardhi” ka hapur thirrjen për muzikantë dhe instrumentistë për punëtorinë “Ansambli Eksperimental i Lumbardhit”, që mbahet në shtatë ditët e para të gushtit. Aty pjesëmarrësit do të kenë mundësi të kompozojnë e interpretojnë muzikë eksperimentale, siç bëhet e ditur edhe në titullin e punëtorisë. Përfitim të njohurive dhe përmirësim të aftësive muzikore në mjedis dinamik dhe mbështetës ka premtuar “Lumbardhi” për pjesëmarrësit.

Drejtori i fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, ka thënë se punëtoria është përgjigje e nevojave të muzikës në qytetin e Prizrenit.

“Mendoj se punëtori të tilla janë të vlefshme pasi ka programe formale të edukimit, por kjo është një formë më eksperimentale, më e hapur. Në Prizren veçanërisht ka shumë më pak mundësi të tilla në muzikë. Është mundësi për të zhvilluar diapazone të reja dhe për të zhvilluar vizione të reja”, ka thënë Shporta, i cili ka thënë se nuk është planifikuar paraprakisht koncepti i muzikës.

“Muzika zhvillohet si përgjigje ndaj filmit, kështu që nuk mund të paragjykoj se në çfarë kahu do të shkojë pasi do të jetë e mentoruar nga Ilir Bajri. Do të zhvillohet në varësi prej natyrës së pjesëmarrësve dhe procesit bashkëpunues mes tij dhe pjesëmarrësve”, ka thënë Shporta.

Produkti final si audio parashihet të zgjasë 17 minuta aq sa zgjat edhe dokumentari “117” i Sahatçiut, të cilit do t’i bashkëngjitet. “Lumbardhi” veçse është në fazën e pranimit të aplikimeve.

“Po presim të ketë një numër serioz të aplikantëve, të kemi përbërje të mirë të ansamblit”, ka thënë Shporta.

Dokumentari i metrazhit të shkurtër “117” i regjisorit të ndjerë Besim Sahatçiu shpalos jetën në fshat, me fokus në familjen me plot 117 anëtarë të familjes nga fshati Nivokaz i Gjakovës.

“Jem kanë deri para katër muajsh nja 114 veta, tash janë lind edhe katër djem e jemi ba 117”, rrëfen kryefamiljari, me të cilin edhe nis të shtrihet dokumentari. Aty shihen se si secili ka detyrat e veta. Gratë janë të angazhuara me gatim, pastrim, kultura bujqësore. Shihen tek thurin punëdore sikurse edhe punojnë veshje për familjarët. Burrat shfaqen duke siguruar materialet e nevojshme për shtëpi para dimrit e punimin e tokës. Dokumentari kishte fituar çmimin kryesor në një festival në Beograd, në vitin 1978, dy vjet pasi ishte lansuar.

Cemi Tatar, kurator i muzikës në fondacionin “Lumbardhi”, ka thënë se paraprakisht duhet një proces hulumtimi para nisjes së kompozimit.

“Kur formohet ansambli, shohim dokumentarët një herë, flasim se si mund të bëjmë muzikën për atë dokumentar. Pastaj nisim të bëjmë një temë dhe prej asaj teme dalin disa nëntema, disa motive, disa gjëra, i bashkojmë të gjitha, improvizojmë. Shohim detajet dhe krejt në fund e realizojmë muzikën”, ka thënë Tatar.

Sipas tij, “punëtoria nuk ka kritere, është e hapur për të gjithë, edhe për ata që veç e kanë qejf muzikën. Ajo është improvizuese, sepse muzikantët nuk janë aq të hapur për këso gjërash”.

Punëtoria nën të njëjtin titull ishte mbajtur edhe në vitin 2021 dhe kishte zgjatur dhjetë ditë. “Ansambli Eksperimental i Lumbardhit”, me Cemi Tatar në daulle, Ilirjana Memaj në perkusione, Alejna Laloshi në flaut, Yasin Rada në kitarë, Hasib Karaçi në klarinetë, Diart Ramadani në dizajn tingulli, me narratorë Agona Shporta dhe Ilir Bajrin në piano kishte prodhuar muzikën 18-minutëshe për dokumentarin “Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë 1972”. Edhe në këtë punëtori mentor kishte qenë pianisti e kompozitori Ilir Bajri.

Me krejt elementet e përbashkëta, Ares Shporta e ka vlerësuar procesin si vazhdimësi të programit. Sipas tij, ideja është të formohet ansambli i përhershëm, porse nuk ka kushte.

“Për momentin nuk kemi kushte të menaxhojmë një ansambël serioz që mundet të punojë në vazhdimësi. Po shpresoj se do ta gjejmë mundësinë ta formojmë një ansambël tonin. Ideja kishte qenë të mund ta zhvillojmë komplet një departament të muzikës që nuk është veç prezantuese, por bën kompozime të veta, krijon përmbajtje të re dhe depërton lokalisht e ndërkombëtarisht”, është shprehur Shporta.

Puna e Ilir Bajrit dhe pjesëmarrësve në punëtorinë “Ansambli Eksperimental i Lumbadhit” do të prezantohet në kuadër të programit të edicionit të 22-të të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”. Në edicionin e sivjetmë, “Lumbardhi” përveçse do të jetë mikpritës i programit të Festivalit, gjithashtu edhe do ta pasurojë atë.

“Në kuadër të ‘DokuFestit’ do ta kemi edhe një program të filmit në bashkëpunim me festivalin, i cili është me filmat e shfaqur para lufte në kinema, veçanërisht gjatë viteve ’60, ’70, ’80. Sivjet do të shfaqen katër apo pesë filma, por për momentin nuk kam informacione se cilët janë”, ka bërë të ditur Shporta. Ka treguar se filmat janë studiuar nga kuratorë dhe organizatorë të festivalit dhe se programi do të shpaloset më 10 dhe 11 gusht.

Fondacioni “Lumbardhi” u themelua në prill të vitit 2015 nga përfaqësues të “DokuFest”, “Ec Ma Ndryshe” dhe Rrjetit të Organizatave Kulturore në Prizren, për të përmbushur kërkesat e Iniciativës për Mbrojtjen e kinemasë “Lumbardhi”. Misioni i themelimit ishte ringjallja e kinemasë së mëparshme si një institucion kulturor i pavarur duke ruajtur vlerat e saj të trashëgimisë, zhvilluar programe vjetore kërkimore, arsimore dhe kulturore.

Shfaqjet e filmave, koncertet, ekspozitat dhe format e ndryshme të mbledhjes së komunitetit e bënë kinemanë e mëparshme një qendër të gjallë të arteve dhe komunitetit në Prizren me mbi 700 ngjarje të prodhuara nga organizata dhe më shumë se 150 përdorues të tjerë, ndërsa u vendos si një nga vendet më të frekuentuara të trashëgimisë kulturore në Kosovë, me mbi njëqind mijë vizitorë.

Thirrja për punëtorinë është hapur deri më 28 korrik.