Çifti Kaplan e blenë vizatimin në vitin 2005, tregoi Thomas, përmes binjakëve John dhe Paul Herring, tregtarë privatë nga New Yorku, klientët e të cilëve përfshinin edhe koleksionistët e njohur Ronald dhe Leonard Lauder. Sipas Kaplan, disa vjet më vonë bashkëpronësia e vizatimit të Rembrandtit përfshiu edhe Jonathan Ayers, një filantrop nga Florida që shërben si kryetar i bordit të “Panthera”, një organizatë me bazë në New York e përkushtuar ndaj ruajtjes së specieve të maces së egër në mbarë botën. Kaplan ndajnë kohën e tyre midis New Yorkut dhe Parisit
Gjatë dy dekadave të fundit, miliarderi dhe sipërmarrësi Thomas S. Kaplan dhe bashkëshortja e tij, Daphne Recanati Kaplan, kanë mbledhur rreth 220 vepra arti holandeze të shekullit të 17-të, të cilat i quajnë “Koleksioni Leiden”. Tani ata janë gati të ndahen me njërën nga blerjet e tyre më të hershme: vizatimin realist të Rembrandtit “Luani i Ri në Pushim” (1638–1642).
Të hënën shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” njoftoi se vepra do të dalë në ankand gjatë shitjeve të “Old Masters” në New York, më 4 shkurt 2026, me një vlerësim paraprak prej 15 deri në 20 milionë eurosh.
Çifti Kaplan e blenë vizatimin në vitin 2005, tregoi Thomas, përmes binjakëve John dhe Paul Herring, tregtarë privatë nga New Yorku, klientët e të cilëve përfshinin edhe koleksionistët e njohur Ronald dhe Leonard Lauder.
Sipas Kaplan, disa vjet më vonë bashkëpronësia e vizatimit të Rembrandtit përfshiu edhe Jonathan Ayers, një filantrop nga Florida që shërben si kryetar i bordit të “Panthera”, një organizatë me bazë në New York e përkushtuar ndaj ruajtjes së specieve të maces së egër në mbarë botën. Kaplan ndajnë kohën e tyre midis New Yorkut dhe Parisit.
Të ardhurat nga shitja në “Sotheby’s” do t’i shkojnë organizatës Panthera, sipas Kaplanit, i cili shton se ai dhe Ayers kanë vendosur ta shesin veprën për të përkujtuar 20-vjetorin e themelimit të organizatës në vitin 2006.
“Do të jetë një nga vizatimet më të shtrenjta ndonjëherë”, ka thënë ai. “Kjo tërheq vëmendjen e njerëzve”.
Sipas Gregory Rubensteinit, drejtor botëror i vizatimeve të mjeshtërve të vjetër në “Sotheby’s”, “Luani i Ri në Pushim” është “vizatimi më i mirë i Rembrandtit që ka dalë në treg pas shumë vitesh”. Ai beson se vepra, e cila ka gjasa të jetë realizuar nga jeta reale, mund të tërheqë si koleksionistë privatë, ashtu edhe institucione muzeore, përfshirë ata që janë të pasionuar pas Rembrandtit apo thjesht nga ndjesia e menjëhershme e figurës.
Rekordi aktual i ankandit për një vizatim të Rembrandtit u vendos në vitin 2000, kur “The Bulwark De Rose and the Windmill De Smeerpot, Amsterdam” (1649–1652) u shit për pak më shumë se 3.7 milionë euro në një ankand të “Christie’s” në New York.
Megjithatë, ajo shitje mbetet modeste krahasuar me rekordet e vizatimeve të mjeshtërve të tjerë të Rilindjes Italiane, ku katër më të shtrenjtat – përfshirë vepra të Rafaelit dhe Mikelanxhelos – kanë arritur çmime më të larta se vlerësimi maksimal për “Luanin e Ri në Pushim”.
Para shitjes në New York, “Sotheby’s” do ta marrë “Luanin e Ri në Pushim” në një turne global, që do të nisë në Paris dhe do të ndalet në New York, Londër, Abu Dhabi, Hong Kong dhe Arabinë Saudite, për t’u kthyer më pas në Manhattan, në zyrat e reja të “Sotheby’s” në ndërtesën Breuer, në kohë për fillimin e ankandit./The Art Newspaper