Më e vjetra shtëpi e njohur në Amerikën Veriore ndodhet në Teksasin qendror. Struktura ishte me gjasë e drurit në kohën kur u ndërtua dhe se drunjtë ishin përdorur për këndet. Dyshohet se ndërtuesi i mbushte koshat me zhavorr nga një përroskë aty afër dhe pastaj i zbrazte brenda strukturës për ta shkëputur dyshemenë prej tokës së argjiltë, që zë vend në pjesën më të madhe të hapësirës
Austin, 21 janar (ksat.com) – Ajo gjendet në luginin e Gaultit, diku rreth 40 milje në veri të Austinit, dhe vlerësohet të jetë rreth 14 mijë vjet e moçme, ose mbase edhe më shumë se aq, sipas Clark Werneckes, drejtor ekzekutiv i “Gault School of Archaeological Research”. Ai ka thënë se struktura ishte me gjasë e drurit në kohën kur u ndërtua dhe se drunjtë ishin përdorur për këndet.
Dyshohet se ndërtuesi i mbushte koshat me zhavorr nga një përroskë aty afër dhe pastaj i zbrazte brenda strukturës për ta shkëputur dyshemenë prej tokës së argjiltë, që zë vend në pjesën më të madhe të hapësirës.
“Ata po i adresoheshin të njëjtit shqetësim që kemi ne, kur vëmë një shtrojerë para se të ngremë tendën”, ka thënë Wernecke. “Dyshemeja është rreth 7 me 9 inçë (17.7 me 22.8 centimetra) dhe 4 inçë (10.1 centimetra) e trashë me artefakte brenda dhe jashtë saj, që tregon se kishte një pjesë të përparme dhe një të pasme dhe, rrjedhimisht, është një strukturë”.
Struktura të ndryshme në Kolorado datojnë rreth 11-12 mijë vjet dhe në një vend afër Puerto Monttit, në Kil, ka struktura të tilla që, sipas Werneckes, mendohet të jenë rreth 14,800 vjet të moçme.
“Kjo nuk është diçka që e ngre vetëm për një natë, një tendë apo diçka e ngjashme. Ky është një tjetër indikacion që njerëzit më të vjetër të Amerikave nuk ishin gjahtarët tejet migratorë që kemi mësuar në shkollën fillore, por gjahtarë dhe mbledhës në një spektër të gjerë”, ka thënë Wernecke. “Ata hanin atë çka gjenin dhe, kur gjenin ndonjë cep të mirë për të jetuar, ata qëndronin aty për ca kohë”.
Siti i Gaultit ndodhet në një pronë private dhe qasja për publikun është e pamundur pa leje.