Prizren, 7 maj – Shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut planifikohet që të vendoset në Prizren më 28 nëntor 2019. Por lokacioni i mundshëm për vendosjen e kësaj shtatoreje ka filluar që të ngjallë debat në qytetin e vjetër. Anëtarë të caktuar të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, si dhe aktivistë të shoqërisë civile kërkojnë që shtatorja e Skënderbeut të vendoset në qendër të qytetit. Ndërkohë, Komuna e Prizrenit ditë më parë ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me shoqatën "Trojet e Arbrit", në kuadër të të cilit shkruan se lokacioni më i përshtatshëm për vendosjen e saj është “rrethi i Benafit” në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë.
Ende nuk është bërë publike se në çfarë mënyre do të bëhet përzgjedhja e shtatores, përderisa as Komuna nuk ka organizuar ndonjë debat publik.
“Pushteti aktual lokal i Prizrenit po bëhet gati që shtatoren e Skënderbeut ta vendosë te rrethi (te Benafi). Mendoj se nuk i bëjmë nder as Skënderbeut dhe as historisë nëse Skënderbeun e vendosim në ‘bisht’ të qytetit. Gjergj Kastrioti- Skënderbeu e ka vendin në qendër të qytetit në Shesh, afër Urës së Gurit”, ka thënë shefi i këshilltarëve të AAK-së opozitare në KK-në e Prizrenit, Ilir Baldedaj
Në të njëjtën kohë aktivistë të shoqërisë civile në Prizren kanë krijuar në rrjetet sociale faqen “Skënderbeu në Prizren”, që “ka për qëllim të mobilizojë qytetarët për lokacionin e propozuar për ngritjen e shtatores së Skënderbeut: Rruga e Farkëtarëve, përballë Urës së Gurit”.
Reagimet lidhur me lokacionin për vendosjen e shtatores së Skënderbeut vijnë pasi që Komuna e Prizrenit dhe shoqata “Trojet e Arbrit” (ShTA) kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashihet që shtatorja të vendoset më 28 nëntor të këtij viti.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")
-
Shtatorja e Skënderbeut në Prizren vendoset më 6 maj
-
Komuna e shoqëria civile përplasen rreth lokacionit për shtatoren e Skënderbeut në Prizren
-
Pandemia shtyn vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Prizren
-
Në Prizren vihet guri themeltar për shtatoren e Skënderbeut
-
Ulqini në kërkim të autorit të shtatores së Skënderbeut