Në Bërnicë të Prishtinës ka nisur edicioni i sivjetmë i festivalit “Sunny Hill”, duke mbledhur mijëra adhurues të muzikës. Nata e parë kulmoi me performancën e superyllit botëror Katy Perry, e cila dhuroi spektakël në skenën kryesore. Interesimi i madh ka shkaktuar edhe kolona të gjata në rrugët drejt Bërnicës. Festimet do të vazhdojnë gjatë gjithë fundjavës me emra të tjerë të njohur si Lewis Capaldi e Martin Garrix.
Katy Perry e çon Kosovën në “hapësirë”
Superylli botëror i muzikës, Katy Perry, ka bërë që Kosova të lërë gjurmë në “hapësirë”.
Ajo në skenën e “Sunny Hill Festival” në Bërnicë u shfaq me kostume astronauti. Akrobatët në skenë ia dhanë Perryt flamurin e Kosovës për t’i bërë vend në “hapësirë”.
Kjo bëri që atmosfera të mbërrijë në nivel që s’është përjetuar deri tash në natën e parë, të edicionit që do të mbyllet në orët e para të së hënës.
“Sunny Hill” kulmon me Katy Perryn në skenë
Nata e parë e edicionit të sivjetmë të “Sunny Hillit” ka mbërritur kulmin. E gjithë vëmendja tashmë është përqendruar te skena kryesore, ku është ngjitur superylli botëror Katy Perry.
Shpërthimi i madh i skenës ndodhi rreth orës 22:30.
Zona para skenës është e stërmbushur dhe publiku ka pritur me padurim nisjen e koncertit të artistes amerikane, një prej momenteve kulmore të të gjithë edicionit të sivjetmë.
I gjithë publiku po këndon njëzëri me të. Perry ka bërë dalje spektakolare në skenë.
“Përshëndetje Prishtinë. A jeni shqiptarë, a do të festoni me mua?” ka pyetur ajo në fillim.
Dhurata Dora nxeh skenën para Katy Perryt
Një prej artisteve më të pëlqyera shqiptare, Dhurata Dora, ka dalë në skenën kryesore të “Sunny Hillit” në natën e parë.
Ajo u prit me brohoritje nga pjesëmarrësit e shumtë.
“Është nder të jem midis artistëve ndërkomëtarë”, ka thënë ajo.
Dora është pjesë e programit të yjeve para superyllit botëror, Katy Perry, që pritet të nisë performancën rreth orës 22:30.
“Sunny Hill” bllokon Prishtinën
Kolonë e gjatë e automjeteve është krijuar në rrugën që çon drejt festivalit Sunny Hill në Bërnicë të Prishtinës.
Sipas pjesëmarrësve, kolonat po zgjasin gati me orë për të mbërritur në zonën e festivalit.
“Sunny Hill” konsiderohet një nga festivalet më të mëdha të muzikës në Evropën Juglindore.
Sonte në natën e parë të festivalit në skenë do të ngjitet ylli botëror i muzikës pop, Katy Perry. Interpretuesja e hiteve të njohura botërore si “Firework”, “Roar”, “Dark Horse” dhe “Teenage Dream” pritet të paraqitet në orën 22:30 në “Sunny Hill Stage”, në një nga paraqitjet më të mëdha muzikore të këtij viti në Kosovë.
Përveç Katy Perry, paraqiten edhe artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë në disa skena, ndërsa edicioni i këtij viti do të vazhdojë deri më 2 gusht me emra të njohur si Lewis Capaldi dhe Martin Garrix dhe Keinemusik.
Nis programi edhe në skenën kryesore të “Sunny Hillit”
Ka nisur programi edhe në skenën kryesore të festivalit “Sunny Hill”, ndërsa mijëra vizitorë janë mbledhur në parkun e festivalit në Bërnicë të Poshtme për natën e parë të edicionit të sivjetmë.
Gazetarja e KOHËS, Besartë Elshani, raportoi në edicionin e lajmeve qendrore të KTV-së se atmosfera po merr formë, ndërsa festivali fillimisht u hap me performancat në skenën “The Next Stage”, ku grupe të ndryshme muzikore sollën ritme energjike gjatë pasdites.
Ndërkohë, programi ka nisur edhe në skenën kryesore. Artistja Sahati ka përfunduar performancën e saj, ndërsa aktualisht po performon Blanco.
Kulmi i mbrëmjes pritet të jetë paraqitja e superyllit të muzikës pop, Katy Perry, e cila do të ngjitet në skenën kryesore para mijëra adhuruesve.
Pas përfundimit të programit në skenën kryesore, festa do të vazhdojë në skenën C4, ku muzika elektronike do të luhet deri në orët e para të mëngjesit.
Festivali do të zgjasë deri të dielën.
“Sunny Hill” merr formë – kumbon Prishtina
Atmosfera në “Sunny Hill Festival” po merr formë teksa mijëra vizitorë kanë mbushur Festival Parkun në Prishtinë.
Në “The Next Stage” ka performuar ILO, ndërsa në “The Satellite” publiku ka shijuar setin e grupit Sindicato del Baile, që ka sjellë ritme energjike në orët e pasdites.
Në “The Next Stage” ka nisur performanca e La Fazanit, e cila aktualisht po pritet ngrohtë nga publiku. Ndërkohë, skenat e festivalit po mbushen gjithnjë e më shumë, me vizitorë që po përgatiten për emrat kryesorë të mbrëmjes.
Sonte ylli i mbrëmjes do të jetë superylli botëror, Katy Perry.
E edhe këtë edicion e pranishme do të jetë këngëtarja që e themeloi festivalin, Dua Lipa. Ajo ka njoftuar tashmë se ka mbërritur në Kosovë dhe ka nisur promovimin e shtetit në rrjete sociale.
Festivali që mbledh adhurues edhe nga jashtë kufijve të Kosovës, nisi në vitin 2018 dhe sivjet mban edicionin e tretë në shtëpinë e vet në Bërnicë të poshtme.