Ka vdekur Libor Peshek, dirigjent i muzikës klasike çeke, i njohur botërisht edhe si drejtues i Filharmonisë Mbretërore të Liverpoolit. Ai ishte 89 vjeç.
Peshek vdiq të dielën, ka njoftuar Jan Hasenöhrl, drejtor i Orkestrës Simfonike Kombëtare Çeke, ku kompozitori i ndjerë ishte kryedirigjent deri në vitin 2019.
Peshek ka punuar me disa orkestra brenda dhe jashtë vendit. Ishte mbështetës i madh i veprave të kompozitorëve çekë, mbi të gjitha nxënës i Josef Dvořák dhe dhëndër i Josef Suk. Regjistrimet dhe koncertet e tij me Filharmoninë Mbretërore të Liverpoolit kontribuuan për ta bërë muzikën e Sukut të njohur në krejt botën.
“Kjo ndodhi më shumë ngase ishte koha e duhur për të prezantuar vepra të panjohura në Britani, madje edhe aso çeke, por ishte edhe koha e duhur për të bërë disa regjistrime”, kishte thënë ai në një intervistë për Radion Publike Çeke.
Peshek ishte dirigjenti kryesor në Liverpool prej vitit 1987 deri në 1997, për t’u bërë më pas dirigjent laureat. Nën drejtimin e tij, orkestra veriore angleze u quajt “Orkestra më e mirë çeke në këtë anë të Pragës”.
I lindur në Pragë, më 22 qershor 1933, Peshek ka studiuar dirigjim, piano, violonçel dhe trombon në Akademinë e Muzikës dhe Arteve të Pragës përpara se të fillonte karrierën ndërkombëtare prej dirigjenti që zgjati më shumë se 50 vjet.
Ai ka drejtuar disa orkestra në Holandë gjatë viteve 1970 dhe ka drejtuar Filharmoninë e Sllovakisë, si dhe ishte dirigjent permanent në Orkestrën Filharmonike Çeke në vitet ‘80. Më vonë ai ishte dirigjenti kryesor mysafir i Orkestrës Simfonike të Pragës.