Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Laboratori i dramës – nxitje e identifikim për vepra në shqip

Një laborator drame është menduar si vendi që do të nxisë procesin kreativ të shkrimit të kësaj gjinie letrare për krijuesit në vend. Me një thirrje drejtuar të interesuarve, disa teatro e qendra kulturore në vend kanë njoftuar për organizimin e kësaj punëtorie të dramës bashkëkohore shqipe “RKS_DRAMA LAB 2020/2021”.

Përmes një kumtese nisur në adresë të mediave të martën paradite, organizatorët kanë bërë me dije se pjesëmarrësit në këtë laborator do të kenë mundësi të përfshihen në procesin kreativ të shkrimit të dramës, të shkruajnë drama të reja ose të përfundojnë projekte shkrimi të nisura më herët.

“Në fund të procesit pritet që secili nga pjesëmarrësit të ketë një dramë të përfunduar, e cila pastaj do të prezantohet para publikut në formën e një leximi skenik”, thuhet në njoftim.

Në thirrjen për pjesëmarrje është thënë gjithashtu se dramat e pjesëmarrësve do të botohen në një vëllim, kurse tri prej tyre, të konsideruara si më të mirat të shkruara gjatë këtij procesi, do të përkthehen në anglisht, do të shpërndahen dhe do të promovohen përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë “EURODRAM”.

“Këto drama do të konsiderohen si potencial për inskenim në njërin prej teatrove partnere në ‘RKS_DRAMA LAB 2020/2021’ dhe po ashtu do të promovohen në aktivitete e festivale të ndryshme teatrore që mbahen në Kosovë, duke përfshirë këtu ‘Flaka e Janarit’ e ‘Kosovo Theater Showcase 2021’”.

Edhe Laboratori i dramës shqipe – mundësi për ngritjen e teatrit Kulturë Laboratori i dramës shqipe – mundësi për ngritjen e teatrit

Kështu, laboratori i dramës bashkëkohore shqipe “RKS_DRAMA LAB 2020 / 2021” do të mbahet në fshatin Kukaj në dy faza: me datat 27 nëntor dhe 3 dhjetor, si dhe më 18 dhe 22 dhjetor, ndërkohë që i gjithë laboratori do të drejtohet nga regjisori e dramaturgu Fadil Hysaj.

Gjithnjë sipas njoftimit, në afatin e fundit për dorëzim të aplikacioneve më 19 nëntor, të drejtë aplikimi kanë dramaturgët, shkrimtarët, gazetarët dhe të gjithë ata që janë të interesuar për shkrimin e dramave.

Të gjithë pjesëmarrësit do të kompensohen me një shumë prej 500 eurosh, ndërkohë që shpenzimet e ushqimit dhe qëndrimit, gjatë dy fazave të laboratorit, do të mbulohen nga organizatorët e projektit.

Ndryshe, laboratori “RKS_DRAMA LAB 2020/2021” do të organizohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Ardiana” në Ferizaj, qendra “Multimedia” dhe “Etno Teatri” në Kukaj.

Dramaturgu dhe profesori në Degën e Arteve Dramatike, Arian Krasniqi, e ka vlerësuar këtë nismë si një mundësi të mirë për brezin e ri të dramaturgëve në Kosovë.

“Çdo nismë që e stimulon shkrimin e dramës shqipe dhe e promovon më pastaj atë, është e mirëseardhur”, ka thënë Krasniqi për KOHËN. “Teatri i Kosovës ka nevojë për identifikim edhe me dramën origjinale shqipe, prandaj e shoh si të rëndësishëm këtë laborator për shkrimin e dramës shqipe”.

Edhe “Talia e Flakës” me çmim stimulon shkrimin e dramave shqipe Kulturë “Talia e Flakës” me çmim stimulon shkrimin e dramave shqipe

Ndryshe, ideja për një laborator të dramës shqipe ishte dhënë për herë të parë në prill të vitit 2014 në “Takimin Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe”, të organizuar nga Teatri Kombëtar në Tiranë.

Me pjesëmarrjen e dramaturgëve, regjisorëve dhe kritikëve të artit skenik nga tri shtetet shqiptare, diskutuesit kishin folur edhe për projekt-idenë “Laboratori i Dramës Shqipe”. \ S.M.