Janë drama të shkruara gjatë një çerekshekulli dhe pos përmbledhjes së tyre në antologjinë dyvëllimëshe, ato janë thirrje për inskenim në teatrin shqiptar. Vijnë edhe si dokumentim jo vetëm i këtij, para dhe pas luftës në Kosovë, por edhe i ngjarjeve a reagimit artistik
Dramat bashkëkohore shqipe deri tani nuk janë përmbledhur në një vend. E për këtë, “Antologjia e dramës bashkëkohore në Kosovë” është cilësuar si botim i veçantë, që hap një kapitull të ri për këtë zhanër. Pos kësaj, dy vëllimet e botuara nga “Qendra Multimedia” konsiderohen si inkurajim për teatrot që ta kthejnë vëmendjen te drama shqipe. Aty përfshihen 16 drama. Janë po aq dramaturgë aktivë e që vazhdojnë që të shkruajnë tekste dramaturgjike.
Për renditjen e dramave, redaksia e botimit – në përbërje të Fadil Hysajt, Besim Rexhajt dhe Jeton Nezirajt – e ka përfillur kryesisht kronologjinë, sipas viteve kur janë shkruar a inskenuar ato. Kështu e kanë nisur me dramën e parë “Parfumeria” të Haqif Mulliqit, të inskenuar më 1997.
Dramaturgu Besim Rexhaj ka thënë se botimi i antologjisë së tillë të dramës bashkëkohore shënon një hap të parë e të veçantë artistik dhe kulturor. Monodrama e tij “Loja e pafund” është pjesë e vëllimit të dytë të “Antologjisë...”. U inskenua më 2017 në teatrin “Dodona”, në Prishtinë, nën regji të Fadil Hysajt.
“Kjo antologji mbulon një hark kohor mbi një çerekshekulli, përkatësisht e përfshin dinamikën e dramës shqipe të botuar në Kosovë nën rrethanat e pushtimit të viteve ’90 të shekullit XX, në kushtet e një kulturocidi të llojit të vet, të zbatuar nga regjimi totalitar serb i kohës, të cilit edhe në rrafsh tematik, motivor e ideofilozofik kjo dramë i përgjigjet me një guxim moral e krijues, me një refuzim artistik, politik e social”, ka thënë ai.
Rexhaj, i cili është edhe bashkëredaktor i botimit, ka shtuar se në këtë antologji shikuar nga aspekti kronologjik përfshihen edhe autorët të cilët i botojnë dramat e tyre në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit tonë. Këta autorë, siç ka thënë ai, në tekstet e tyre dramatike e projektojnë të tashmen dhe të djeshmen, posaçërisht aktualitetin ekzistencial të këtij dhjetëvjetëshi të emergjencave social-politike e kulturore.
Dramaturgu Arian Krasniqi ka treguar se kjo antologji mund të shihet si një fotografi e dramaturgjisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë, ku pjesa kryesore e krijuesve që aktualisht e shkruajnë dhe e inskenojnë dramën janë të përfshirë në këto dy vëllime.
“Mendoj se kjo antologji e respekton intensitetin, laramaninë tematike, ideore, formën e ndryshme që e shfaq secili prej krijuesve në veprën e tyre të gjinisë së dramës në këtë antologji. Prandaj, nëse flasim për tipa të dramës bashkëkohore shqipe, për tema të ndryshme, për formime që çojnë kah prirje të reja qofshin edhe ato eksperimentale apo që e kultivojnë konvencën ose llojin konvencional të shkrimit të artit dramaturgjik i gjen të përmbledhura në këtë antologji”, ka thënë ai. Kjo, sipas Krasniqit, është edhe e bukura e këtyre dy vëllimeve të antologjisë.
Autorët janë të gjeneratave të ndryshme. Brenda faqeve mund të gjenden drama si “Aroma e Hënës” nga Mehmet Kraja, “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nga Jeton Neziraj, “Gruaja në dritare” nga Arta Arifi, “Hamleti sipas Horacit” nga Ag Apolloni, “Monedha e Gentit” nga Milazim Krasniqi, “Kafeneja në udhëkryq” nga Visar Krusha e të tjerë deri te “Gishti” nga Doruntina Basha e “Veriu” nga Agush Mulliqi.
Regjisori dhe dramaturgu Fadil Hysaj, bashkëredaktor i botimit ka thënë se regjisorët duhet që të vënë sa më shumë në skenë drama shqipe. Ka treguar se antologjia përfshin drama të shkruara para dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
“Me përmbajtje tematike të përafërt me njëra-tjetrën, por me këndvështrime të ndryshme zhanrore e stilistike, këto drama kanë të përbashkët frikën dhe ankthin me atë që na kanosej para dhe gjatë luftës dhe zhgënjimin e madh me lirinë, e cila na u ofrua pas luftës”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, në mungesë të një historie ku do të evidentohen ngjarjet të cilat i kanë ndodhur popullit gjatë tri dekadave të fundit, 16 dramat mund të lexohen edhe si një kronikë emocionale e një kohe të ankthshme, kohë ngazëllimesh naive e poetike me iluzione për lirinë e premtuar dhe zhgënjimin e madh.
Aurela Kadriu nga “Qendra Multimedia”, që ka botuar këto dy vëllime, ka thënë se botimi i një vëllimi të tretë, është i domosdoshëm. Sipas saj, pak ka rëndësi nëse këtë do ta bëjë “Qendra Multimedia” apo dikush tjetër.
“Përtej botimit të këtyre dy vëllimeve është e rëndësishme që të fillojmë një debat rreth dramës shqipe dhe inskenimit që i bëhet asaj”, ka thënë ajo. Në promovim, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është nënvizuar fakti se ka edhe shumë autorë dramash të tjera që meritojnë të zënë vend në këtë antologji, por që kanë mbetur pa u përfshirë, e kjo për shkaqe e arsye kryesisht periferike.