Kulturë

Laboratori i dramës shqipe – mundësi për ngritjen e teatrit

“RKS_DRAMA LAB 2021 / 2022” ua jep mundësinë pjesëmarrësve të rinj që të krijojnë drama të reja ose të përfundojnë projekte të shkrimit për teatër të nisura më herët. Ky organizim po vazhdon si nevojë e domosdoshme e stimulimit të shkrimit dhe zhvillimit të dramës – si komponent i rëndësishëm edhe i zhvillimit të teatrit shqiptar

Teatri i Gjilanit në bashkëpunim me “Qendrën Multimedia” po e vazhdojnë traditën për zhvillimin e dramës bashkëkohore shqipe. Edhe këtë vit e kanë hapur thirrjen si nxitje e procesit kreativ të shkrimit të kësaj gjinie letrare. Të interesuarit edhe këtë vit do të mund t’i bashkohen organizimit të laboratorit të dramës bashkëkohore shqipe “RKS_DRAMA LAB 2021 / 2022”.

Kjo thirrje ua jep mundësinë pjesëmarrësve të rinj që të krijojnë drama të reja ose të përfundojnë projekte të shkrimit për teatër të nisura më herët. Ky organizim po vazhdon si nevojë e domosdoshme e stimulimit të shkrimit dhe zhvillimit të dramës – si komponent i rëndësishëm edhe i zhvillimit të teatrit shqiptar.

“Mendoj se ky laborator do të shërbejë si ‘inkubator’ i ideve të shkrimtarëve pjesëmarrës të rinj e kreativë, të cilët do të eksperimentojnë idetë e tyre në formatin e laboratorit duke sjellë rezultat konkret e praktik – prodhimin e dramave”, ka thënë Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit.

Tri nga dramat, të konsideruara si më të mirat, të shkruara gjatë këtij procesi, do të botohen si dhe do të shpërndahen dhe do të promovohen përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë EURODRAM. Këto drama do të konsiderohen si potencial për inskenim në Teatrin e Gjilanit dhe po ashtu do të promovohen në aktivitete e festivale të ndryshme teatrore që mbahen në Kosovë, duke përfshirë edhe “Flakën e janarit” e “Kosovo Theater Showcase 2022”.

Pjesë e laboratorit të dramës shqipe të organizuar në vitin 2020 ishin bërë shtatë pjesëmarrës. Për disa ditë ata kanë zhvilluar dramat e tyre në fshatin Kukaj nën udhëheqjen e dramaturgut dhe regjisorit Fadil Hysaj. Si rezultat i kësaj pune janë zhvilluar gjashtë drama të cilat, sipas organizatorëve, janë në proces të botimit dhe do të promovohen të tilla në kuadër të Festivalit të Dramës Shqipe në Gjilan, më datën 28 janar.

Ky laborator synon krijimin e hapësirës për dramaturgë të rinj, duke ua ofruar atyre skenën e Teatrit të Gjilanit si shpalosje e koncepteve të tyre dramatike. Kjo pasi që Teatri i Gjilanit është i lidhur ngushtë me dramën shqipe duke u bërë edhe vend i manifestimit të saj në kuadër të Festivalit të përvitshëm të dramës “Talia e Flakës”. Nga këto ka nisur edhe ideja e krijimit të këtij laboratori.

Laboratori i dramës bashkëkohore shqipe do të mbahet në teatrin “Oda”, prej 13 deri më 20 janar.

Në këtë laborator pjesëmarrësit do të mund të përfitojnë përmes punës me dramaturgun Jeton Neziraj, dramat e të cilit deri më tani janë përkthyer në mbi dhjetë gjuhë të botës, si dhe ka punuar ngushtë me kompani e teatro të huaja. Pjesë e diskutimit do të jenë identifikimi i problemeve në shoqëri, deri tek qasja e shkrimit apo adresimit të tyre përmes shenjave e gjuhës teatrore.

Pjesë e këtij laboratori mund të bëhen dramaturgët, shkrimtarët, gazetarët dhe të gjithë ata që duan të shkruajnë drama. Mosha e preferuar është 18 – 45 vjeç dhe kusht i thirrjes është që pjesëmarrësit të jenë banorë të Kosovës.