Vetmia që përjetohet gjatë krizës së koronavirusit është një ndjenjë, e cila është shprehur shpesh nga legjenda e sitarit indian Ravi Shankar.
“Unë kam marrë shumë dashuri, por vetmia s’më është hequr kurrë”, kishte thënë muzikanti në vitin 1977. “Në një mënyrë e kam këtë të trashëguar dhe e mbaj gjatë gjithë kohës”.
Ndoshta shpirti i vetmuar i Shankar shpjegon 100 vjet pas lindjes së tij se pse muzika e tij ka një peshë të madhe në këtë kohë të detyruar të izolimit social, transmeton Koha Ditore.
Tingujt meditativë në sitar të Ravi Shankarit mund të jenë një ftesë për të ngadalësuar. I lindur në Varnasi, në veri të Indisë, më 7 prill të vitit 1920, gjatë kohës së kolonizimit britanik, ai jetoi një jetë të shpejtë e të qetë. Si muzikant, Shankar udhëtoi nëpër botë dhe arti i tij i kaloi kufijtë ne mes të muzikës klasike indiane dhe evropiane.
Jeta e tij në skenë nisi në moshë të re – por si kërcimtar. Ai udhëtoi në Francë kur ishte 10-vjeçar me grupin e vëllait të tij të madh “Compagnie de Dans et Musique Hindou”. Dy vjet më vonë ansambli i tij udhëtoi nëpër Evropë dhe Amerikën Veriore.
Për më të riun nga shtatë vëllezërit, kjo ishte një mundësi e përsosur jo vetëm për të marrë eksperiencë në vallëzim, por edhe për të mësuar instrumente të ndryshme indiane dhe për të eksploruar kulturën perëndimore.
Në moshën 18-vjeçare, Shankar vendosi t’i dedikohej plotësisht sitarit. Duke u larguar nga vallëzimi ai ka studiuar instrumentin me më shumë se 20 tela për disa vjet në qytetin Maihar në Madhya Pradesh të Indisë. Mësuesi i tij ishte Allauddhin Khan, babai i kompozitorit dhe instrumentistit të njohur Ali Akbar Khan që luan në sarold.
Shankar lansoi LP-në e tij të parë “Three Ragas” në Londër, në vitin 1956. Ai po ashtu kompozoi koncerte për sitar dhe orkestër dhe shumë shpejt e gjeti veten duke udhëtuar nëpër botë me muzikën e tij.
Muzikanti indian nuk ishte i frikësuar as nga muzika pop e Perëndimit. Në vitin 1966 Shankar e mësoi kitaristin e “The Beatles”, George Harrison, që të luajë sitar gjatë një qëndrimi në Indi. Harrison më vonë e përdori instrumentin si shtesë bashkë me tupanin indian tabla në këngë, si “Norwegian Wood” dhe “Within You Without You”. Të dy lidhën miqësi të ngushtë.
Me suksesin e Shankar influenca indiane në muzikën pop të perëndimit dhe në jazz u rritën si zhanre hibride si zhvillimi i rockut raga – në të vërtetë, saksofonisti legjendari i jazzit John Coltrane, më 1965 i la emrin djalit të tij Ravi, sipas mjeshtrit të sitarit.
Në gusht të 1969-s Shankar ka luajtur së bashku me yje të rockut dhe bluesit si Jimi Hendrix dhe Janis Joplin në festivalin legjendar “Woodstock” – dhe ishte që atëherë i dashur për gjeneratën hipie.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.