Botë

“Sa herë po telefonoj, dikush ka vdekur”

“Ne shohim shumë vdekje në punën tonë mjekësore”, tha mjeku Rajesh Hembrom. “Por kurrë nuk kam parë kaq shumë njerëz, kaq afër meje që tashmë kanë vdekur ose ndoshta do të vdesin. Në njëfarë mënyre është pothuajse si një zonë lufte, pa një armik të dukshëm”. Një mik i fëmijërisë po trajtohet në një spital në Mumbai dhe anëtarët e familjes janë në kontakt me doktorin çdo ditë. Ai ka frikë se shoku i tij nuk do t’ia dalë dot

Së pari, u përpoq fort për t’ia gjetur babait një shtrat në kujdesin intensiv. Pastaj pasoi ngritja e çmimit për një injeksion terapeutik. Dhe, gjatë krejt kësaj kohe, kaloi orë të panumërta në telefon me mjekë, familjarë dhe miq që merren me probleme logjistike, shkruan gazeta “New York Times”.

Gati tetë mijë kilometra larg dhe pesë zona të tjera kohore, Anuja Vakil, 40 vjeçe, ka luftuar gjatë 12 ditëve të fundit për të ndihmuar në menaxhimin e kujdesit mjekësor të babait Jatin Bhagat, i cili është në gjendje kritike në një spital në Ahmedabad, në shtetin perëndimor të Indisë, Guxharat. Ajo e di që ai ishte me fat.

“Kur i lutem Zotit tani, e bëj për babanë tim”, tha Vakil. “Ai duhet ta mbijetojë”.

Organizimi i diasporës

Rastet e koronavirusit kanë shpërthyer në Indi javët e fundit, deri në gati 400.000 në ditë, duke tejkaluar të gjitha rekordet. Bashkë me shifrat vijnë edhe pikëllimi dhe ankthi kolektiv midis diasporës së madhe indiane për të dashurit e tyre të humbur, ose që po luftojnë për jetën në mes të një sistemi të kujdesit shëndetësor në pragun e greminës. Në bisedat në WhatsApp, thirrjet me video, grupet në Facebook dhe forume, diaspora është shqetësuar, ka vajtuar dhe është organizuar si një komunitet global.

Rreth 17 milionë njerëz nga India po jetonin jashtë atdheut të tyre në vitin 2020, sipas shifrave nga Kombet e Bashkuara, dhe miliona të tjerë kanë trashëgimi hinduse, duke e bërë diasporën më të madhën në botë. Në Shtetet e Bashkuara, rreth 4.8 milionë njerëz ose janë lindur në Indi ose kanë raportuar prejardhje hinduse në regjistrimin e fundit.

Ata kanë shikuar me sytë katër pasi vendi po regjistron më shumë infeksione në ditë se çdo shtet tjetër që nga fillimi i pandemisë. Për shumë prej tyre, dhimbja është shoqëruar edhe me frikën e madhe se kur njerëzit që i duan më shumë kanë nevojë për ta, ata nuk mund të jenë aty për t’i ndihmuar.

Ndërsa hindusët në të gjithë botën janë përvjelë për të ndihmuar të afërmit e sëmurë, Londra është kthyer në një epiqendër për përpjekjet e ndihmës nga diaspora. Shumë prej tyre po organizohen karshi një situate në dukje të pamundur, duke grumbulluar para për aparate oksigjeni, ose duke lidhur ata që kanë nevojë për kujdes me mjekët dhe duke përdorur rrjetet e komunitetit për të ndarë burimet.

Dorëzimi i ndihmave të mbledhura nga diaspora ka filluar të bëhet në Indi, së bashku me donacionet e qeverisë nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Australia.

“Motra m’u lut tha: ‘Të lutem eja, të lutem eja’”

Vakili është përpjekur të përqendrohet në këto anë pozitive. Megjithëse ishte e vështirë të ishte larg familjes, ajo thotë se komuniteti i saj lokal hindus në Londër ka provuar të jetë një dorë e zgjatur ndihme. Ajo flet me një mik në New York, babai i të cilit nuk është mirë. Ajo përpiqet t’i japë zemër babait të saj me thirrjet e përditshme me video, dhe mjekët e tij shpresojnë se ai mund t’ia dalë.

Babai nuk mund të flasë për shkak të ventilimit të kontrolluar nga presioni që e ndihmon të marrë frymë, por tund kokën si përgjigje kur ajo flet. Vakil mund të shohë rrudhat e vogla të përhapura rreth syve të tij kur ajo arrin ta bëjë të buzëqeshë.

"Motra m’u lut: ‘Të lutem eja, të lutem eja’. Por ajo nuk e kupton vështirësinë", shtoi Vakil për gazetën njujorkeze

India u shtua në "listën e kuqe" të udhëtimit të Britanisë javën e kaluar, duke ndaluar pothuajse të gjitha fluturimet direkte dhe duke vendosur një karantinë të shtrenjtë dhe të detyrueshme 10-ditore për disa qytetarë dhe banorë që lejohen të hyjnë. Dhe të premten, Shtetet e Bashkuara thanë se do të fillojnë të kufizohen udhëtimet nga India duke filluar javën e ardhshme.

Kufizimet, kostot e mëdha, angazhimet për punë dhe frika e prekjes nga virusi ua ka mundësuar udhëtimin shumë qytetarëve. Ndërsa rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten, shumëkush përshkruan biseda të dhimbshme me miqtë dhe të afërmit në shtëpi dhe një ndjenjë pafuqie ndërsa shikojnë tmerret që po shpalos gjysma e botës.

Kërdia “pas mbarimit të COVID-it”

Jyoti Minocha, shkrimtare dhe mësuese zëvendësuese e cila jeton në Fairfax në SHBA, shqetësohet për nënën dhe motrën e saj në Delhi. Kohët e fundit ajo humbi një kushëri dhe tha se dëgjohet me familjen çdo ditë me telefon. "Rrugët janë të heshtura, si fantazma, thotë motra ime", shkroi ajo në një mesazh me tekst. "I vetmi tingull që dëgjoni janë sirenat e ndihmës së shpejtë”, i ka thënë prestigjiozes “New York Times”.

"Unë flas me nënën time pothuajse çdo ditë", tha Ansh Sachdeva, 23 vjeç, student në Universitetin Bolton në Anglinë veriperëndimore. "Por sa herë që po telefonoj, dikush ka vdekur. Dikush ka COVID. ”

Ai thotë se në rrugën në New Delhi ku jetojnë prindërit e tij, asnjë shtëpi nuk ka qenë e paprekur. Ai ishte në shtëpi në nëntor për të ndihmuar në kujdesin e prindërve dhe gjyshit të tij që ishin infektuar me virus. Por tani shqetësohet se ata mund të sëmuren përsëri dhe kufizimet e reja të udhëtimit do ta bënin të pamundur që të kthehet atje.

Në janar, nëna ishte ajo që shqetësohej për kthimin e tij në Britani, kur një valë shqetësuese e dytë e virusit po përhapej në ishull. "Për ta", tha ai për perceptimin e përgjithshëm në Indi në fillim të këtij viti, "COVID-i kishte mbaruar”.

Por nuk kishte marrë fund. Shumë hindusë jashtë përcollën me shqetësim, ndërsa Qeveria lejoi ndeshjet e kriketit në stadiume të mbushura, tubime masive zgjedhore dhe një festival të madh fetar të quajtur Kumbh Mela, ku miliona njerëz u mblodhën në një qytet. Ndërkohë, nivelet e rasteve filluan të rriteshin në mënyrë eksponenciale.

Lidhja e fortë ndërmjet dy popujve

Në Britani, shtëpi e një komuniteti të gjallë dhe të larmishëm të njerëzve me rrënjë në Indi, dhimbja është e dukshme. Në një dyqan lagjeje në Harrow, një komunitet në veriperëndim të Londrës me një popullsi të madhe indiane, dy punonjës treguan se kishin humbur një vëlla javën e fundit.

NYT-i shkruan se lidhjet kulturore midis dy vendeve janë të thella, me diasporën e madhe hinduse të Britanisë që vlerësohet të ketë mbi 1.5 milion njerëz - popullsia e vetme më e madhe e pakicës etnike në vend. Për shumë njerëz, humbja, ankthi ose pikëllimi që po përjetojnë ndërsa anëtarët e familjes u sëmurën po komplikojnë atë që ishte tashmë një vit i vështirë, ndërkaq Britania po del nga bllokimi dhe shpreson për shkatërrimin e virusit.

Harmeet Gill, 31 vjeç, është lindur e rritur në Londër, por prindërit e tij janë nga shteti verior i Punxhabit dhe ata mbeten jashtëzakonisht të afërt me familjen e gjerë atje.

“Është një lloj goditje e dyfishtë", tha ai, duke theksuar se komuniteti hindus në Britani ishte midis grupeve etnike të pakicave të goditura në mënyrë disproporcionale nga pandemia. “Ne e kaluam këtu dhe menduam, ‘Epo, të paktën India ishte e mbrojtur.’Ata po ia dilnin mjaft mirë”.

Por nuk zgjati shumë dhe të hënën xhaxhai i tij vdiq nga koronavirusi. Halla e tij u shtrua në spital të enjten. Në kohërat para-pandemike, e gjithë familja do të kishte udhëtuar në Indi për të mbajtur zi për xhaxhain, prijës i një familjeje të madhe sike.

"Thjesht është pafuqi e dukshme”, tha ai, duke shtuar se së bashku me tronditjen dhe trishtimin ka edhe një zemërim në rritje për keqmenaxhimin e qeverisë. "Ata e dinë se nuk kishte nevojë të ndodhte ashtu si ka ndodhur”, ka theksuar ai për “New York Timesin”.

Gill, i cili është vullnetar në një tempull sik në lagjen Southall në Londër, ka parë që ndikimi i shpërthimit pandemik në Indi po trazon komunitetin e tij, duke vënë në dukje se "shkalla e dukshme e saj do të thotë që të gjithë jemi bërë paksa të mpirë”.

Ndihma nga diaspora në Britani

Tempulli ka qenë një qendër ndihme gjatë gjithë shpërthimit të Britanisë, duke dhënë mijëra vakte ushqimi në javë. Anëtarët tani po mundohen të gjejnë mënyra për të ndihmuar në vendlindje.

Mjekët hindusë që jetojnë jashtë vendit gjithashtu kanë ofruar ekspertizë dhe këshilla mjekësore për dhjetëra miq dhe familjarë. Shumë prej tyre zgjohen herët për t’iu përgjigjur dhjetëra mesazheve të njerëzve që kërkojnë ndihmë, dhe disa madje ofrojnë video-konsulta.

Rajesh Hembrom, 43 vjeç, me origjinë nga Bhagalpuri në shtetin Bihar të Indisë, ka jetuar dhe ka punuar si mjek në Britani që nga viti 2003. Gruaja e tij është gjithashtu punëtore e kujdesit shëndetësor në vijën e frontit, dhe kur rastet u rritën në Angli në fillim të vitit të kaluar, babai i tij i moshuar dhe motrat ishin në ankth.

"Ata ishin mjaft të shqetësuar megjithëse kishte mjaft njëfarë qetësie në vendlindje", tha ai, "derisa do të shpërthente gjithçka", e citon gazeta amerikane.

Por pastaj dinamika u zhvendos, dhe ndërsa numrat rriteshin familja dhe miqtë e ngushtë filluan të dërgonin mesazhe, duke kërkuar ndihmë. Për momentin, ai po këshillon rreth 30 persona me telefon, duke ndihmuar në menaxhimin e kujdesit të tyre ose duke ofruar ndonjë njohuri. Disa nga njerëzit që ai po përpiqej t’i ndihmonte, tashmë kanë vdekur.

“Nuk ka linja të përshtatshme ndihme ku ata mund të telefonojnë, dhe ata më njohin, kështu që padyshim se më kontaktojnë”, tha ai.

Një mik i fëmijërisë po trajtohet në një spital në Mumbai dhe anëtarët e familjes janë në kontakt me dr. Hembromin çdo ditë. Ai ka frikë se shoku i tij nuk do t’ia dalë dot.

“Ne shohim shumë vdekje në punën tonë mjekësore”, tha ai. “Por kurrë nuk kam parë kaq shumë njerëz kaq afër meje që tashmë kanë vdekur ose ndoshta do të vdesin. Në njëfarë mënyre është pothuajse si një zonë lufte, pa një armik të dukshëm”.

Përktheu: Rexhep Maloku