Pasim ëndrrash nga Granit Xhaka, megjithatë Sunderlandi fitoi vetëm një pikë ndaj Leeds Unitedit të dielën.
Ndeshja Sunderland – Leeds United përfundoi 1:1, kurse i takoi xhiros së 18-të të Premier Leagues.
Në minutën e 28-të, Granit Xhaka fitoi një top, dha një pasim të shkëlqyer për golin e epërsisë 1:0 të realizuar nga Simon Adingra. Por Xhaka nuk është plotësisht i kënaqur, pasi Dominic Calvert-Lewin barazoi për Leedsin.
“Betejë e vështirë, por ne qëndrojmë të përqendruar. Pika e radhës, sfida e radhës. Së bashku në vitin e ri”, ka shkruar Xhaka në Instagram pas ndeshjes.
Ishte asistimi i pestë i Xhakës këtë sezon. Vetëm Bruno Fernandes dhe Rayan Cherki kanë më shumë asistime. Ata kanë regjistruar nga shtatë asistime deri më tani. Sunderlandi mbetet në vendin e shtatë në elitën angleze.
“E dija që Graniti do të më gjente me pasim. Të shënosh para tifozëve tanë është një moment pozitiv”, ka thënë Adingra.
Shkëlqimin e radhës të Xhakës në Premier League e ka vlerësuar edhe legjenda e Liverpoolit, Jamie Redknapp.
“Shkëlqyeshëm. Më pëlqen shumë ajo që bën Granit Xhaka. Një pasim i bukur në drejtim të bashkëlojtarit. Një prekje e mirë me këmbën e majtë dhe Adingra e përfundoi mjeshtërisht aksionin”, ka thënë Redknapp për “Sky Sports”.
Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris ka komentuar po ashtu barazimin. Ai thotë se nxori mësime të vlefshme.
“Ishte një ndeshje e vështirë, siç pritej. Leedsi është skuadër e mirë dhe në formë të mirë. Tregoi cilësi të shkëlqyer në fushë sot. Mendoj se e nisëm mirë dhe shënuam. Në fund të pjesës së parë patëm mundësinë të shënonim golin e dytë. Ishte një moment kyç sepse pas kësaj ata ndryshuan strukturën dhe ne luftuam për të gjetur ritmin dhe pikat tona të referencës. Ata dominuan, por ne gjetëm energjinë për të ndryshuar vrullin. Në fund të ndeshjes patëm mundësinë të ishim pak më të rrezikshëm, por mendoj se në fund është një rezultat i drejtë”, ka thënë Le Bris.
Ai është i lumtur me golin e Adingras.
“Është një mësim i mirë për ne në Premier League. Po ecim përpara me shumë ndryshime në skuadër. Jam i lumtur për Simonin sepse tregon se çdo lojtar është i rëndësishëm. Shokët e tij të ekipit e mbështetën dhe kjo e ndihmoi gjatë procesit. Shpresojmë se kjo do ta ndihmojë edhe në të ardhmen. Është vërtet pozitive që jemi ende të pamposhtur në shtëpinë tonë, veçanërisht në momente të vështira. Dhoma e zhveshjes është e zhgënjyer tani dhe kjo tregon dëshirën për të fituar”, ka theksuar trajneri i Sunderlandit.
Xhaka po cilësohet në Angli si transferimi më i mirë i edicionit. Ai ka luajtur rol kyç te Sunderlandi i rikthyer këtë edicion në Premier League.