Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kultura dhe trashëgimia kulturore në Shqipëri realizojnë 3.2 milionë euro në vit

Mbi 3.2 milionë euro janë llogaritur të hyra vjetore nga shitja e biletave në institucionet dhe qendrat e trashëgimisë në Shqipëri. Shifrat janë publikuar të martën nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe ajo dëshmon rritje nga viti në vit. “Gjatë vitit 2023 janë mbledhur më shumë se 342 milionë lekë”, ka shkruar ajo dhe, sipas saj, kjo shifër rezulton të jetë 43.22 për qind më shumë se viti 2022 dhe 133.92 për qind më shumë se në vitin 2021.

Nga biletat në institucione, parqe arkeologjike, kala e monumente kulture, gjatë vitit 2022 u mblodhën rreth 239 milionë lekë (2.2 milionë euro), ndërsa në vitin 2021 biletat sollën rreth 146 milionë të ardhura (1.4 milionë euro). “Më shumë shërbime dhe mirëmbajtje në shërbim të turizmit kulturor”, ka shkruar ministrja Margariti në rrjetet sociale duke postuar edhe tabelën e të hyrave dhe krahasimin e shifrave. Një ditë më parë ministrja Margariti kishte bërë publike edhe shifrat e vizitorëve të institucioneve të trashëgimisë kulturore e të monumenteve, të cilat vetëm gjatë 2023 ishin vizituar nga më shumë se 1 milion persona, vendës e të huaj. “Gjatë vitit 2023 numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore dhe në monumente e ka tejkaluar edhe rekordin e vitit 2019”, kishte shkruar ajo duke uruar që 2024-a të jetë një vit edhe më i mirë. Viti 2023 pati 46 për qind më shumë vizitorë se viti 2022. “Për të njëjtën periudhë, nga janari në dhjetor, një vit më parë, vizitorët ishin rreth 689 mijë, ndërsa dy vjet më parë, në 2021 sitet e trashëgimisë kulturore u vizituan nga 425 mijë e 565 vizitorë”, shkruhej në postim.