Ngjarjet sportive në vende të ndryshme manifestohen dhe përjetohen në mënyra të ndryshme. Kjo ndodh për arsye se shoqëritë dallojnë në mes vete për nga natyra e problemeve me të cilat ballafaqohen ato, qoftë politike, qoftë sociale apo edhe ekonomike, shkruan sot Koha Ditore.
Shoqëritë dallojnë në një masë edhe për nga niveli i zhvillimit shoqëror, dhe mënyra se si i qasen jetës dhe problemeve të saj. Në ngjarjet sportive këto karakteristika dhe dallime manifestohen direkt në sjelljen e tifozërisë dhe sportistëve. Për shembull kur është fjala te futbolli në vendet e Amerikës Latine vërehet se atje është prezent kulti i personalitetit të individit. Pasi që është fjala për futbollin dhe sportin, vlen të përmendet rasti i ish-futbollistit Diego Maradona.
Edhe pse ka më shumë se dy dekada që Maradona është pensionuar nga futbolli, ai vazhdon të adhurohet në shoqërinë argjentinase, por edhe jashtë saj. I shndërruar në kult, personaliteti dhe emri i tij mbeten të ngulitur në mendjet e njerëzve në Argjentinë, madje çuditërisht edhe në mesin e të rinjve të cilët për kohën sa Maradona ka qenë aktiv në futboll, këta nuk ishin ende të lindur. E njëjta gjë ndodhë edhe me Ayrton Senna-n ish-pilotin e famshëm brazilian të “Formula 1”, i cili edhe pse ka kaluar kohë e gjatë prej ndarjes së tij tragjike nga jeta në aksident në garën e Imolas, tifozët brazilianë vazhdojnë ta përkujtojnë atë si hero nacional dhe hero sportiv. Zakonisht shoqëritë në Amerikën Latine, bazuar në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, konsiderohen ende si modele të shoqërive që mbështeten në solidaritet mekanik, në të cilin model, ekziston një afinitet i jashtëzakonshëm për konceptin e familjes, religjionit dhe bashkësisë.
Sigurisht kur t’i shtohet kësaj edhe gjendja jo e mirë ekonomike e atyre shoqërive, pastaj niveli i varfërisë, atëherë personalitet sportive dhe ngjarjet e mëdha sportive përbëjnë një nga gjërat kryesore me të cilat ato shoqëri shprehin sentimentin e krenarisë së qenies së tyre kombëtare, por gjithashtu hyjnë në hyjnë në konkurrencë me pjesën tjetër të botës sa i përket sportit./Albert Mecini
(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)