“Fuqia e Mujit” qe testi e tash vjen “Kulshedra”, animacioni i cili në 1 minutë e 39 sekonda shpalos rrëfimin për krijesën e mitologjisë e të legjendave shqiptare. I takon serisë së animacioneve, me të cilat fondacioni “Thana” synon të hapë një kapitull të ri për trashëgiminë shpirtërore duke e parë se gjenerata e re e njeh krejt pak atë
“Dikur moti në malet e larta dhe në shpella fshihej krijesa e frikshme dhe më e rrezikshme – Kulshedra. Si një krijesë e ligë që ishte, ajo shkatërronte çdo gjë që i dilte para...”, nis narracioni i animacionit “Kulshedra” të prodhuar nga fondacioni për trashëgimi kulturore “Thana”. Është rrëfimi audiovizual për këtë figurë mitike si pjesë e kahershme e folklorit shqiptar, i destinuar për audiencën e të vegjëlve.
Ky projekt inovativ i “Thanës” ka për qëllim të ruajë trashëgiminë kulturore të vendit duke i dhënë një dimension të ri nëpërmjet animacionit, të cilin e bën mjet për edukimin mbi trashëgiminë kulturore. E, praktikat e tilla dalin të jenë të domosdoshme për të ruajtur trashëgiminë shpirtërore.
Fondacioni “Thana” me kanalin e në platformën YouTube synon që fëmijëve t’u ofrohen përmbajtje me karakter argëtues në gjuhën shqipe, mirëpo mbi të gjitha me rrëfenja përmes të cilave grupmoshat e vogla mund të kuptojnë më shumë rreth tregimeve ndërbreznore, të cilat cenohen nga harresa. E “Kulshedra” është i radhës në serinë e animacioneve bazuar në përralla, balada e mite shqiptare.
Fortunë Haziri nga “Thana” ka thënë se projekti si “Kulshedra” e ka zanafillën nisur nga mungesa e tregimeve për fëmijë në gjuhën shqipe.
“Arsyeja pse ekipi ynë ka filluar këtë projekt është sepse kemi vërejtur mungesë të tregimeve për fëmijë në gjuhë shqipe dhe të bazuara në folklorin tonë, i cili është mjaft i pasur me përralla dhe legjenda që mund të animohen dhe të shfaqen para publikut”, ka thënë Haziri. Sipas saj, ky është një kontribut në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të shohin animacione në gjuhën shqipe, por njëkohësisht edhe të mësojnë për trashëgiminë kulturore shqiptare “duke mos qenë të ekspozuar vetëm te tregimet e bazuara në folklore të tjera dhe të përkthyera në gjuhë shqipe, ose edhe të pa përkthyera fare”. Ka thënë se nuk janë kundër ndjekjes së prodhimeve në gjuhë të huaja nga fëmijët, por konsiderojnë që paraqitje në formë digjitale dhe bashkëkohore të rrëfenjave popullore shqipe nuk ka, andaj i janë përveshur punës me këtë iniciativë.
“Kulshedra” si pjesë e projektit “Edukimi i fëmijëve rreth Trashëgimisë Kulturore përmes animacioneve” – financuar nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – del si një prodhim dydimensional nga Drilon Haxhijaj dhe Dardan Sopa. Ata punuan tregimet në formë vizatimesh për t’i futur pastaj në korniza, e për t’i lënë udhë futjes së tyre në lëvizje. Narrativën e tregimit të përpunuar nga Afrim Demiri e me produksion të Gëzim Hasanit ia jep zëri i Dardane Ahmetit, ndërkaq puna hulumtuese deri te përzgjedhja e këtyre figurave u takoi udhëheqëses së projektit Fortunë Haziri dhe asistentit të projektit Aranit Krasniqi.
Animacionet e punuara me thjeshtësi për audiencën e destinuar mëtojnë ta bëjnë mesazhin sa më të qartë dhe të arrijnë të bëjnë rrëfimin sa më të kapshëm për moshat e fëmijëve prej 4 deri në 11 vjeç. E si e tillë figurës së Kulshedrës përtej vetive negative që i vishen, në animacion i ofrohet hapësira si figurë qendrore e mitologjisë dhe folklorit shqiptar bashkë edhe me doza argëtuese, të cilat do ta bënin të lehtë përthithjen e mesazhit.
“Animacioni për kulshedrën është përshkrues dhe si i tillë synon që vetëm të njoftojë audiencën me këtë figurë, prandaj edhe është i shkurtër si animacion. Fëmijët do të njihen me të bëmat e kësaj figure dhe për luftën e përjetshme të saj me dragonjtë, në animacionet e radhës, kurse nga ky animacion mësojnë në veçanti vetëm për figurën mitike si të tillë dhe njohin veçoritë e saj nga folklori ynë. Kështu, fëmijët mund të dëgjojnë si tregime para gjumit, por edhe në shkolla, pasi që shërben edhe si material edukativ”, ka thënë Haziri, derisa ka theksuar rëndësinë që ia kanë dhënë zhveshjes se kësaj rrëfenje nga elementet e dhunës.
Por, figura e parë që “Thana” kishte vendosur ta bënte film të animuar kishte qenë “Muji” nga eposi i këngëve kreshnike shqiptare.
“’Fuqia e Mujit’ është pjesë e projektit të parë nga organizata jonë që u realizua në këtë formë. Pas një hulumtimi dhe shumë diskutimeve ekipi ynë vendosi të fillojë me punën me këtë tregim, i cili njëherësh shërbeu edhe si një ‘pilot-episode’, që rezultoi të jetë mjaft i suksesshëm dhe i shikuar në kanalin tonë”, ka thënë Haziri, duke shtuar se ky sukses i kishte motivuar që të vazhdonin edhe tutje me projekte të ngjashme si ‘Kulshedra” apo figurat e tjera mitike.
“Fondacioni ‘Thana’ në vazhdimësi është duke punuar në krijimin e animacioneve të reja, ku do të përfshihen edhe figura të tjera mitike, tregime shqip, por edhe episode të tjera edukative rreth trashëgimisë kulturore. Gjatë këtij muaji do të publikohen edhe animacione të tjera për figurat e Dragoit, Orave dhe Divit, për të vazhduar më pas me tregime të formatit të gjatë, në disa prej të cilave edhe shfaqen këto figura të trajtuara paraprakisht”, ka shtuar ajo.
Në një përmbledhje të veprimtarisë së fondacionit “Thana”, Haziri ka treguar se roli kryesor i këtij fondacioni është i mbështetur në gjendjen alarmante të trajtimit joadekuat e të mangët që po i bëhet trashëgimisë kulturore ne vend.
“Ne jemi angazhuar që të fillojmë edukimin e gjeneratave të reja qysh në fëmijëri dhe në të ardhmen të jenë më të vetëdijshëm rreth mbrojtjes së saj. Përmes këtyre animacioneve, fëmijët qysh në moshë të hershme do të mësojnë rreth trashëgimisë sonë kulturore me shpresë që të ndjellim ndjenjën e përkatësisë dhe të mësojnë të krenohen me rrënjët e tyre në moshë të re”, ka thënë Haziri. “Thana”, sipas saj, shpreson të zgjojë kureshtjen e fëmijëve për të mësuar më shumë rreth trashëgimisë kulturore “dhe kështu njerëzit ta njohin dhe kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes dhe studimit të trashëgimisë kulturore“.