Kulturë

Kujtim periferik në 37-vjetorin e dënimit me vdekje të poetit Nela

Havzi Nela

Në përkujtimin e 75-vjetorit të lindjes së Havzi Nelës, shkrimtari i njohur botërisht Ismail Kadare shkruante se shoqëria shqiptare është nën kambanë. “Poeti Havzi Nela është një kambanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”, do të shkruante Kadare

Poeti Havzi Nela është një prej “Martirëve të Demokracisë” në Shqipëri dhe poezitë e tij nuk përkonin me rregullat e kohës për krijimtari artistike. Institucionet e shtetit shqiptar, as ato që merren me librin, s’e kanë kujtuar Nelën me asnjë aktivitet apo veprim sado simbolik në 37-vjetorin e dënimit me vdekje. E veja e poetit, Lavdie Nela, e ka kujtuar atë duke vënë një tufë lule pranë bustit në qytetin verior

Një publikim në Facebook nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” dhe ripublikimi i këtij teksti nga një media publike janë veprimet me të cilat është kujtuar poeti Havzi Nela në 37-vjetorin e varjes në Kukës nga pushteti komunist. Nela është një prej “Martirëve të Demokracisë” në Shqipëri dhe poezitë e tij nuk përkonin me rregullat e kohës për krijimtari artistike. Institucionet e shtetit shqiptar, as ato që merren me librin, s’e kanë kujtuar Nelën me asnjë aktivitet apo veprim sado simbolik. E veja e poetit, Lavdie Nela, e ka kujtuar atë duke vënë një tufë lule pranë bustit në qytetin verior. 

“Përkujtojmë sot poetin Havzi Nela (20 shkurt 1934 - 10 gusht 1988)” mban titullin publikimi i Muzeut Kombëtar “Shtëpia me gjethe”. Marrë nga Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, botim i vitit 2017, aty është zbardhur një pjesë e biografisë së Nelës. 

Siç shkruhet në Fjalor, i lindur më 20 shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit, Nela pasi përfundoi shkollën fillore dhe të mesme nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. 

“Për shkak të bindjeve u përjashtua nga instituti si element destruktiv. Mes shumë vështirësish, filloi punën si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë në Mat. U dëbua nga ky fshat për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij: mendohej se ua lexonte nxënësve poemat e tij”, shkruhet në Fjalor. Aty bëhet e ditur se më vonë Nela arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Më pas punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si në Krumë, Lojma dhe në Shishtavec deri në vitin 1967, vit kur u transferua në Topojan. 

“Aty kontrollohej vazhdimisht dhe u mor në paraburgim shumë herë. Ndaj tij nisën një sërë kufizimesh mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte. Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. Gjatë kalimit të kufirit u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në Burgun e Prizrenit”, shkruhet në Fjalor. Sqarohet se më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së. Më 22 maj 1967 u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. Për pasojë Nelës do t’i konfiskohej e gjithë pasuria.

“E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, dënimit ekzistues iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës dhe ai u dënua me varje”, shkruhet në Fjalor. 

Pas vënies së tufës së luleve pranë bustit e veja e Nelës, Lavdie Nela, ka thënë se ai e donte shumë lirinë. 

“As 37 vjet pas vrasjes nuk është vënë drejtësi për të dhe për vuajtjet e mia”, ka thënë Nela. Ajo ka folur pikërisht në hapësirën ku 10 gushti i vitit 1988 e kishte zbardhur Nelën të varur. Trupi i tij qe ekspozuar gjatë gjithë ditës për t’u larguar nga aty në mbrëmje. Sipas disa dëshmitarëve, në Kukës atë ditë kishte forca të shtuara policore. Edhe për përdorime politike listat me nënshkrimet e atyre që kanë përkrahur varjen shpesh aktualizohen në media. Disa nënshkrime tentohet të mohohen nga familjarët e pushtetarëve komunistë. Çështja e Nelës ka bërë që diskutimet për të të jenë jo të rralla. 
Në përkujtimin e 75-vjetorit të lindjes së Havzi Nelës, shkrimtari i njohur botërisht Ismail Kadare shkruante se shoqëria shqiptare është nën kambanë.  

“Poeti Havzi Nela është një kambanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”, do të shkruante Kadare.