Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kufiri shtetëror dhe ai gjuhësor në të folmen dibrane

Interaktiviteti mes ligjërueses e publikut të mbledhur është zhvilluar që para fillimit të ligjëratës për eksperiencat në fushën e gjuhësisë në Amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Dita e shtatë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka vazhduar edhe pasditen e së martës me ligjëratën e studiueses nga Shqipëria, Lumnije Jusufi. Ligjëratën e saj, “Thyerjet e kontinuumeve kulturore dhe gjuhësore/dialektore dibrane nën ndikimin e kufirit shtetëror”, e ka filluar me këngën “Hajredin Pasha”, të interpretuar nga këngëtari Halim Keça nga Gostivari. Publiku ka dëgjuar këngën deri në fund e më pas e ka analizuar atë.

Ka thënë se theksi i këngëtarit nuk përkon me theksin dibran pasi fonema “y” është e heshtur. Këngën ka thënë se e ka zgjedhur pasi, sipas saj, portretizon një kohë të zymtë të Dibrës. Kënga tematizon Betejën e Gjoricës, e cila kishte ndodhur në vitin 1844. Ajo i referohet kohës kur vendi kishte mbetur pa udhëheqës dhe nuk kishte mbetur kujt t'i referohej pos pushtuesit.

Sipas Jusufit, Malësia e Dibrës ishte zgjeruar në periudhën 70-vjeçare të shekullit të kaluar, kur kishte kaluar një përvojë dhune e cila kishte filluar me lëvizjet e rezistencës kundër Reformave të Tanzimatit të Perandorisë Osmane. Zonat e Malësisë dhe Topalltisë ishin tronditur rëndë nga kjo, ku ishin zgjeruar si rezultat i lëvizjeve masive malore deri në portat e qytetit të Dibrës. Studiuesja thekson se ky migrim masiv kishte pasur pasoja të rënda sa u përket identiteteve rajonale dhe arealeve gjuhësore. Ajo në prezantimin e saj që do të botohet si studim prej më shumë se 400 faqeve iu është referuar edhe studiuesve të huaj. “Benjamin Langer, të cilit i referohem këtu, ka trajtuar shumë stereotipa të tjera për dibranët nga letërsia gjermane e shekullit të 19-të, si ‘të padisiplinuar’, ‘vrasës të pamëshirshëm’. Ata ishin ndoshta famëkëqij për zonën ndërmjet Ohrit, Strugës dhe Dibrës, pra boshti i njohur i lëvizjes së dibranëve. Duke iu referuar Hermann Wenden, një ekspert i hershëm i Maqedonisë, Siegfried Ziegler, shkruan fjalë për fjalë: …sepse rruga është e pasigurt. Akoma më e pasigurt rruga nga Struga në Dibër, ku një jetë njerëzore vlen sa plumbi që u shua”, ka cituar ajo nga kumtesa e saj.

Ka përmendur dy luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore që goditën qytetin e Dibrës, ngase ato kishin pretendime për të. “Për dibranët, pavarësisht nga gjuha apo feja e tyre, këto ishin vite procesesh të panumërta ndryshimi, ku secili prej tyre përhapi një identitet të ri, vite çorientimi dhe humbje identiteti pa ndonjë ndryshim të vërtetë identiteti, një fazë që Victor Turner e quan liminalitet, pra një gjendje kalimtare të individëve ose grupeve pas shkëputjes nga rendi shoqëror mbizotërues”, ka thënë albanologia në ligjëratën e saj, derisa ka shtuar se komponenti i parë i botëve kulturore të regjionit të Malësisë dhe Topalltisë në Dibër kanë qenë fetë dhe besimet.

Edhe “Mësova se duhej të heshtja, dhe kjo ndodhi në kufirin serb” Shtojca për Kulturë “Mësova se duhej të heshtja, dhe kjo ndodhi në kufirin serb”

Në kumtesën e saj thuhet se serbishtja e hershme dhe turqishtja luanin rolin e gjuhëve çati në rajonin e Dibrës. Turqishtja nuk ishte në gjendje të afirmohej si gjuhë familjare, ngase elita ishte shumë vendase me origjinë dhe praktike në rajon. Jusufi ka thënë se ndikimi i serbishtes nuk mund të shqyrtohej në nivel lokal për shkak të afërsisë së saj gjuhësore me gjuhën maqedonase dhe vjetërsinë e saj të avancuar. Në anën tjetër, sipas saj, ndikimi i turqishtes është shumë i madh, por shtrihet ekskluzivisht në leksikun e shqipes në përgjithësi dhe në dialektin e Dibrës në veçanti. Gjuha turke kishte qenë shembull i llojit të transferimit kulturor dhe gjuhësor. Thekson se areali gjuhësor i qytetit përbëhej nga dy gjuhët që fliteshin më së shumti: shqipja dhe maqedonishtja, të cilat fliteshin si gjuhë familjare. Njëra gjuhë funksiononte si gjuhë e familjes e tjetra si gjuhë publike. Ajo ka lexuar se meshkujt e rritur flisnin dy gjuhët, ndërsa gratë nuk luanin asnjë rol në aspektin gjuhësor si rezultat i lëvizjes së tyre jashtëzakonisht të kufizuar dhe hapësirës së vogël për komunikim vetëm brenda familjes ose fisit të bashkëshortit.

“Rajoni i Dibrës përfaqëson kështu një zonë tranzicioni shqiptaro-sllav, e cila në shumicën e saj ka qenë gjithmonë e ndarë në dysh - shqip në Dibrën e Poshtme dhe maqedonisht në Dibrën e Epërme, ku nuk kishte kufi të qartë gjuhësor. Këto shumica u zhvendosën me kalimin e kohës, sepse qyteti por edhe e gjithë Dibra e Epërme u bënë me shqiptarë me eksodin malor nga mesi i shekullit XIX, por nuk hoqi dorë nga dygjuhësia. Në bazë të këtij kontakti fqinjësor, kontakti intensiv gjuhësor shqiptaro-maqedonas mund të analizohet vetëm në fushën e dialekteve”, ka cituar nga kumtesa e saj.

Jusufi ka thënë se arealet dialektore të gjuhës shqipe kishin qenë të ndryshme, ku ai malor përbëhej nga nëntë të folurat e ndryshme si rezultat i ndarjes gjeografike në nëntë male. Siç citoi nga kumtesa, kontakti gjuhësor shqiptaro-maqedonas ishte shumë intensiv, sepse ndarja e Dibrës nuk i nënshtrohej asnjë faktori gjuhësor.

“Ky kontakt gjuhësor shtrihej jo vetëm në leksik, i cili ka qenë në qendër të kërkimeve deri më tani, por dhe veçanërisht në fonetikë/fonologji dhe morfologji. Ajo çoi në tipare të përbashkëta që herë e kishin origjinën në gjuhën shqipe e herë në atë maqedonase. Ndonjëherë ka paralele në të dyja gjuhët pa mundur të përcaktohet origjina. Maqedonasit myslimanë apo terbeshët, të cilët shumë herët formuan shumicën e maqedonasve në rajon, veçanërisht në qytet, mund të supozohet se janë ura në këtë aspekt”, ka thënë Jusufi në ligjëratën e saj.

Në studim ka përfshirë dy Malësitë dhe Topalltinë. Në të thuhet se dy gjuhë zyrtare ishin futur në dy anët e kufirit në Dibër, disa prej të cilave ishin përdorur paralelisht duke u shpërndarë në fusha të ndryshme: në territorin e shtetit shqiptar, dy varietete administrative dhe juridike shqiptare, gegërishtja e jugut dhe toskërishtja. Atë kohë për shqiptarët në Dibër maqedonishtja kishte karakterin e “një gjuhë të huaj për burrat me lidhje publike, por kjo lidhje ishte aq periferike saqë në fushën e gjuhës administrative asnjë sllavizëm nuk depërtoi në të folmen vendase, ndryshe nga të folmet e tjera të shqipes në Maqedoni”.

Ka përmendur edhe politikat e arsimit në dyja anët e kufirit e të cilat, sipas saj, ndryshojnë shumë. Ka thënë se në Shqipëri kishte qenë më i madh presioni politik për të shkuar në shkollë sesa në Maqedoni.

“Shkollimi shqip u fut edhe në pjesën lindore të Dibrës, por në rrethana krejtësisht të ndryshme dhe me presion shtetëror mezi të dukshëm për të luftuar faktorët armiqësorë të arsimit në shoqëri. Nga viti 1981 e në vazhdim shteti u soll edhe në mënyrë antiarsimore ndaj shqiptarëve. Për shkak se gjuha e shkollës ishte shqipja, maqedonishtja nuk përdorej shumë. Ndonëse ishte lëndë e detyrueshme si gjuhë e huaj në shkollë që në fillore e në vazhdim, ajo mësohej më shumë si rregull dhe në përputhje me kohën, duke përdorur metoda shumë të dobëta didaktike të gjuhëve të huaja”, ka thënë studiuesja.

Edhe “Gurbeqars: the non migrants” me lëvizjet ciklike të migrantëve Kulturë “Gurbeqars: the non migrants” me lëvizjet ciklike të migrantëve

Në kuadër të ligjëratës është folur edhe për gjuhën e periudhës së pasluftës, kështu duke përmbledhur kohën që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e deri më sot. Studiuesja ka thënë se gegërishtja jugore u vlerësua në vitet e pasluftës, por më vonë nuk u mbështet fare, për shembull për shkak të zhvillimeve në Prishtinë, nga ku kishin ardhur shumica e të diplomuarve. Ndikimi i varietetit kosovar të shqipes kishte qenë shumë më i madh në Maqedoni dhe veçanërisht në Dibër. Studiuesja ka thënë se fakti që shqipja standard ka zhvilluar edhe specifikat e veta në Maqedoni, ka të bëjë me librat shkollorë të shkruar në Maqedoni. Jusufi ka vlerësuar se pandemia Covid-19 ka treguar qartë ndarjen e Dibrës ku rajoni lindor i saj ishte epiqendra e parë e pandemisë në Maqedoni dhe se për shkak të mbylljes së shpejtë të kufirit asnjë rast nuk ishte transmetuar nga lindja në perëndim të rajonit.

Ligjëratën e ka përmbyllur me fjalët e shkrimtarit Eqrem Basha në romanin e tij “Varrë”. “Ne e dinim se gjuha ishte ajo që na mbronte. Gjuha ishte ajo që na bashkonte me ata të përtej telave, që ishim ne, derisa këmbëngulej të bëheshim si këta të midis telave, të vënë aty vetëm për të na ndarë”, ka cituar krejt në fund ajo.