Kulturë

Kubëza betoni në Qendrën Historike të Prizrenit

Trashëgimia kulturore e Prizrenit ka marrë edhe një goditje. Në emër të rehabilitimit të rrugës në Nënkala, Komuna e Prizrenit ka zgjedhur që ta betonizojë këtë pjesë. Kësisoj, ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për trashëgimi kulturore dhe me pëlqimin që kishte marrë nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Rruga pranë shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”, që gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit, është shtruar me kubëza të betonit. Investimi komunal në pjesën që është “Zona IV” sipas Planit për konservimin dhe zhvillimin e Zonës Historike të Prizrenit ka tejkaluar pëlqimin e lëshuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prizrenit.

Në vend të gurëve të granitit ose atyre lumorë, Komuna ka përdorur kubëza të betonit. Sipas dokumenteve të kësaj lënde, Komuna i ishte drejtuar me kërkesë QRTK-së në vitin 2018. Në mars të vitit të kaluar, përmes një shkrese QRTK-ja kishte njoftuar se Komisioni i këtij institucioni kishte vendosur për kushtet e rregullimit të rrugës.

“Materiali për shtrimin e rrugës duhet të jetë gur graniti ose gur lumor”, është një prej kushteve. Aty ceket se QRTK-ja duhet të njoftohet për fillimin e punimeve dhe nëse gjatë punës haset në kalldrëm të moçëm duhet njoftuar institucionet e trashëgimisë kulturore. Por në bazë të dokumenteve dhe gjendjes në terren, del se Komuna nuk ka përfillur kushtet dhe vendimin e QRTK-së. Për këtë, të hënën, pas reagimeve të disa individëve, ka reaguar edhe institucioni rajonal i trashëgimisë kulturore.

Sipas QRTK-së, në bazë të projektit ishte paraparë të vendoseshin disa ulëse, shporta për mbeturina dhe shtylla ndriçuese.

“QRTK – Prizren njofton opinionin publik që shtrimi i rrugës në Nënkala me kubëza betoni është i papranueshëm, pasi që është në kundërshtim me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konservimit, si dhe nuk është në përputhshmëri me pëlqimin e lëshuar”, shkruhet në reagimin e kësaj qendre.

Sipas këtij institucioni, Komuna e Prizrenit në vazhdimësi nuk është duke punuar në respektimin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit, “kurse trashëgiminë kulturore nuk e ka parasysh fare, duke mos investuar aspak në ruajtjen dhe mbrojtjen e saj e as duke mos zbatuar ligjet në fuqi”.

“I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit si investitor i këtij projekti të ndalojë menjëherë punimet joadekuate në Nënkala dhe t’i përmbahet projektit të aprovuar nga ana e QRTK-së”, shkruhet, midis të tjerash, në reagim.